Investimet kapitale në ngërç, 34% e fondit përqendrohet në dy muajt e fundit të 2016-s

Qeveria do të përqendrojë 34% të fondit të investimeve publike të programuar për këtë vit vetëm për muajt nëntor-dhjetor. Nga 59 miliardë lekë që është fondi vjetor për investimet kapitale, pas shkurtimit me rreth 4 miliardë lekë në shtator, deri në fund të tetorit janë përdorur vetëm 38 miliardë lekë. Kështu janë për t’u përdorur gjatë nëntorit dhe dhjetorit edhe 21 miliardë lekë ose 35.5% e totalit të fondeve. Sërish fondet e mbetura rrezikojnë të mos ekzekutohen ose më e pakta, të mos përdoren me efektivitet, siç ka ndodhur dy vitet e fundit kur Ministria e Financave ka faturuar fondet e mbetura me letër-kredi, duke i parapaguar kompanitë që janë kontraktuar për investimet ende pa bërë punimet. Investimet kapitale këtë vit janë në nivelin më të ulët të dekadës krahasuar me PBB, por sërish përdorimi me eficencë i tyre po has në vështirësi. Ekspertë nga Ministria e Financave bëjnë me dije se edhe fondet e alokuara deri më tani, më shumë kanë qenë rikonstruksione dhe riparime të godinave publike, se sa investime të dukshme në sektorë që të sjellin shtim të vlerës në periudhat e mëparshme. Ndërsa për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh). Ministria e Financave argumenton se, në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si më 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim. Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.