Idioti jam unë?

Eric SCHWITZGEBEL

Një gjë që në mëngjes ka mundësi nuk e bëni kurrë është që të shiheni në pasqyrë dhe ta pyesni: jam trap? Duket një pyetje e arsyeshme. Ka mundësi në botë ka idiotë të vërtetë dhe sigurisht shumë prej tyre kanë një mendim të mirë për veten. Nuk e konsiderojnë veten plehra, pasi vetëdijësimi nga trapllëku i tyre është mjaft i vështirë. Sipas psikologes Simine Vazire nga University of California, Davis, tentojmë që të kemi një njohje të mirë të tipareve të personalitetit tonë nëse janë neutralë, domethënë as negativë, as pozitivë dhe lehtësisht të vërejtshëm. Për shembull, pothuajse të gjithë e dinë nëse janë llafaznë. Është mjaft e pranueshme të jesh, si është të jesh i heshtur dhe gjithsesi shkalla jonë e llafazanerisë është para syve të të gjithëve. Vetëvlerësimi i llafazanerisë zakonisht i korrespondon vlerësimit që na japin të tjerët dhe matjes objektive të saj, kurse kreativiteti ka një komponent të fortë subjektiv – kush nuk do të donte të ishte kreativ? – dhe është shumë më pak e thjeshtë për t’u matur.
Modeli i Vazire konfirmohet nga fakti që ka korelacione të pakta midis vetëvlerësimit, vlerësimit të të tjerëve dhe tentativave të psikologëve për ta matur kreativitetin. Edhe pyetjes “A jam vërtet një trap i sigurtë në vetvete?” ka një komponent të fortë negativ, kështu që mendojmë: “Sigurisht që jo!”. Veç kësaj, nuk është një tipar objektivisht i vërejtshëm, kështu që i lë një hapësirë të gjerë interpretimit. “Ndoshta kam qenë pak i pasjellshëm me atë baristin, por e ka merituar, pasi ka harruar ta hedhë kafenë time dopjo në një filxhan të madh”. As njerëzit inteligjentë dhe të arsimuar nuk janë të imunizuar nga këto arsyetime. Përkundrazi, nga një kërkim i kryer prej Dan M. Kahan të Yale University, ka dalë se njerëzit e kulturuar dhe refleksivë janë shumë të zotë për t’i arsyetuar bindjet e tyre. Për shembull, dinë të interpretojnë çështjen komplekse të kontrollit të armëve për t’ua përshtatur simpative politike të tyre.

Përçmues dhe arrogantë
Kam dyshimin se midis opinionit që njerëzit kanë për trapllëkun e tyre dhe shkallës së vërtetë të tij korrelacioni është pothuajse inekzistent. Dikush mund ta pranojë me ngurrim se është, por ka mundësi që të tjerë ta konsiderojnë veten si të përkryer. Në të njëjtën mënyrë disa njerëz të sjellshëm e kuptojnë se janë me tepri të mirë dhe akomodues, ndërsa të tjerë nuk ia arrijnë sepse kanë një mendim tepër të ulët për veten.
Ka edhe një pengesë tjetër ndaj vetëdijes së trapllëkut personal: nuk e dimë mirë se në çfarë konsiston, të paktën jo akoma. Nuk ekziston një përkufizim shkencor që t’u përshtatet të gjitha rasteve: njeriu i paedukatë që na përplas telefonin turinjve, mësuesi që poshtëron nxënësit apo kolegu që transformon çdo mbledhje në betejë. Tipat e personalitetit të njohur shkencërisht që i afrohen më shumë “trapit” janë ata të “triadës së errët”: narcizizmi, makiavelizmi dhe psikopatia. Narcizistët e konsiderojnë veten më të rëndësishëm se të gjithë ata që i rrethojnë, gjë që në mënyrë implicite apo eksplicite i bëjnë edhe trapa. Por narcizizmi implikon një dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes që jo gjithmonë trapat e kanë. Makiavelikët i trajtojnë të gjithë si mjete për të arritur qëllimet e tyre, gjë që e bëjnë edhe trapat. Por makiavelizmi implikon një cinizëm të vetëdijshëm, ndërsa trapat shpesh nuk e kuptojnë këtë tendencë të tyre. Psikopatët janë egoistë e të pandjeshëm, si trapat, por edhe të prirur që të marrin mbi vete rreziqe në mënyrë impulsive; kurse trapat janë më llogaritarë dhe nuk e pëlqejnë rrezikun. Një koncept i ngjashëm me atë të fjalës anglisht jerk, trap, është ai i asshole (fjalë për fjalë “vrimë bythe”), i eksploruar kohët e fundit nga filozofi Aaron James i University of California Irvine. Sipas James, njerëzit asshole ndjehen në të drejtën se gëzojnë avantazhe speciale ndaj të tjerëve. Është një qëndrim i ngjashëm me trapllëkun, por nuk është e njëjta gjë. Mund të jesh trap duke mbajtur një qëndrim të ndyrë dhe ofendues pa marrë të drejtën e të pasurit avantazh special. Atëherë, çfarë duhet të bëjë një trap potencial që do të vlerësojë sesi sillet?
Hapi i parë është të përcaktojë me saktësi se çfarë do të thotë të jesh trap. Sipas meje, trapllëku është një kategori që duhet studiuar shkencërisht si e tillë. Fjala “trap” është e saktë dhe e dobishme, pasi kap një fenomen real që nuk futet në asnjë koncept psikologjik tjetër. Trapat nuk vihen në rolin e të tjerëve, përkundrazi i përdorin, i manipulojnë apo i trajtojnë si budallenj, në vend si të barabartët e tyre nga pikëpamja epistemike dhe morale. Në njëfarë kuptimi, të jesh trap do të thotë të injorosh vlerën e të tjerëve, meritën e ideve dhe projekteve të tyre, të përbuzësh dëshirat dhe bindjet e tyre, të jesh i pafalshëm ndaj inferioritetit të supozuar të tyre. Në të folmen e përditshme përdoret fjala “trap” për të nënvizuar këto lloj defektesh. Trapi e shikon botën nëpërmjet syzesh që errësojnë humanizmin e të tjerëve. Për të, kamerieri i një restoranti është një person pa personalitet, pa histori dhe objektiva të ndashëm. Është vetëm një instrument për t’i siguruar një vakt apo një nulitet mbi të cilin të shkarkojë zemërimin e vet. Për trapin, njerëzit në radhë përpara tij janë pa fytyrë dhe nuk vlejnë asgjë. Kush është nën të në hierarkinë sociale nuk ka të njëjtin talent si ai dhe meriton të bëjë punë të rëndomta.
Për ta nxjerrë më mirë në pah konceptin e trapit, mund të jetë e dobishme të merret në konsideratë e kundërta e tij: njeriu shumë i mirë. Ndoshta njihni edhe ju njerëz të tillë: të vëmendshëm ndaj nevojave dhe interesave të të tjerëve, respektues të ideve dhe të preferencave të tyre, të gatshëm që në rast konflikti të marrin përsipër fajin. Imagjinoni t’i vini syzet e trapllëkur sëprapthi, duke i transformuar në lente që i vënë zjarrin vlerës, interesave dhe rëndësisë së të tjerëve. Ka të ngjarë që asnjeri të mos jetë krejtësisht në një mënyrë apo në tjetrën. Dhjetëra kërkime biologjike konfirmojnë se, kur flitet për tipare më të gjera të personalitetit, pothuajse të gjithë jemi një përzierje gjërash të ndryshme dhe jemi subjekt të një serie influencash. Por çfarë pozicioni zëmë në spektrin që shkon nga trapi tek shumë i miri dhe në çfarë aspekti, në çfarë situatash dhe me kë? Ndoshta për të vlerësuar karakterin tonë nga pikëpamja morale gjëja më e rëndësishme është shkalla e trapllëkut, pasi tregon qëndrimin tonë ndaj të tjerëve.
Ky përkufizim na bën të kuptojmë se ekzistojnë dy pengesa ndaj vetëdijësimit. E para, është se tamam në çastin në të cilin preokupohemi sesa jemi trapa, për një moment nuk jemi më. Në qoftë se turpërohemi nga ideja se po sillemi keq me dikë, atëherë njohim vlerat dhe interesat e tjetrit, kuptojmë se është një njeri si ne dhe jo vetëm një instrument apo nulitet. Për një çast i kemi hequr syzet e trapllëkut. Paradoksalisht, shpesh shumë të mirë kanë frikë se mos kanë qenë jokorrektë, skuqen dhe kërkojnë falje për sjelljen e tyre, që nuk ka qenë kaq e tmerrshme. Ndërsa trapi i vërtetë nuk skuqet dhe nuk kërkon falje kurrë. Ndoshta keni reshtur së preokupuari dhe po mendoni: “Duke qenë se jam i preokupuar për faktin se mos jam trap dhe deri po lexoj një artikull mbi argumentin në fjalë, në thelb nuk duhet të jem edhe aq shumë”. Por është pikërisht ky moment në të cilin riafirmohet trapllëku potencial i juaj.
Pengesa e dytë ndaj kuptimit të trapllëkut tënd është paaftësia për të dëgjuar. Një prej mënyrave më të rëndësishme për të arritur vetëdijen morale është të jesh i gatshëm që të dëgjosh kritikat e të tjerëve. Për një trap është e vështirë, pasi nuk i shikon të tjerët si të barabartë me veten të denjë për respekt intelektual e moral, kështu që rrallë i pranon kritikat. Pse të merret seriozisht ajo që thotë një nulitet? Pse të përpiqesh ta kuptosh pikëpamjen e tij? Ka më shumë të ngjarë që trapi të mos i marrë në konsideratë kritikat, por të kundërsulmojë, të tërbohet, të nxehet ose të ketë mundësi të ta ngulë akoma edhe më shumë thikën. Veset e tjera morale nuk i shpëtojnë kaq lehtësisht vetëdijes. Për shembull, pandershmëria nuk na bën të mbyllim veshët ndaj akuzave për pandershmëri. Lakmia nuk ndërhyn në aftësinë tonë të të menduarit se ndoshta kemi qenë shumë lakmitarë. Por mbyllja e veshëve është në natyrën e trapave.
Nëse thelbi i trapllëkut është paaftësia për t’u vënë në rolin e atij që na rrethon, një mënyrë pak e natyrshme për t’u njohur është të vëzhgojmë të tjerët në vend të vetvetes. Në vend që të shikoheni në pasqyrë, kthehuni nga ana tjetër dhe shikoni ngjyrat e botës. Jeni të rrethuar nga idiotë dhe nga nulitete, nga njerëz që kanë shije të këqija dhe dëshira idiote, që janë të mërzitshëm dhe nuk e meritojnë vëmendjen tuaj, nga njerëz që mund të kuptohen menjëherë duke u aplikuar kategori të gjera negative si snobë, djem të patru, bij kurvash, me pak fjalë trapa? Nëse zakonisht e shikoni botën kështu, po ju jap një lajm të keq: ndoshta trapat jeni ju. Bota nuk është kështu. E keni një vizion të deformuar: nuk e kuptoni individualitetin dhe potencialitetet e atij që ju rrethon.

Vizion i gabuar
Ndoshta e kam paraqitur këtë botë të deformuar nga syzet e trapllëkut me ngjyra shumë të forta, por disa aspekte të caktuara të saj janë familjare për të gjithë, përjashto më të mirin e më të mirëve, por që e lënë veten të kushtëzohen në mënyrë të tepruar nga dëshirat dhe nga opinionet e të tjerëve. Të gjithë kemi momentet tona të trapllëkut, por sa janë të shpeshta? Nëse në një përqindje të caktuar jemi të gjithë paksa trapa, atëherë në çfarë përqindjeje jemi ne? Fatkeqësisht nuk është lloji i gjykimeve që jemi shumë të zotë të japim. Kujtesa është selektive, kujtojmë disa raste specifike, ato që konfirmojnë opinionin që tashmë kishim ose na nxjerrin në dritë më të mirë (ose për njerëzit më në ankth dhe më autokritikë, në dritën më të keqe).
Në qoftë se doni të keni një perceptim të saktë të trapllëkut tuaj, ekzistojnë dy sisteme më shkencorë. I pari është metoda e kampionizimit të përvojave, e përdorur për herë të parë nga psikologët Russell T. Hulburt i University of Nevada Las Vegas dhe Mihály Csíkszentmihályi i Claremont Graduate University. Karrikoni një timer apo një instrument tjetër të ngjashëm. Kur bie zilja, mendoni sesi po i shikonit gjërat. Ndoshta nuk do të jeni të zotë t’i gjykoni vetë dhe do të tentoni t’i racionalizoni, por ndërkohë do të keni kapur një kampion përfaqësues.
I dyti është metoda e vëmendjes së vetëdijshme, një koncept i marrë nga tradita medituese aziatike. Kohët e fundit psikologia Erika N. Carlson e Toronto University ka sugjeruar që ta përdorë për të njohur tipare të personalitetit më të vështirë për t’u njohur, ato që si trapllëku kanë një komponent të fortë subjektiv, por janë të vështirë për t’u vërejtur. Thelbi i vëmendjes së vetëdijshme qëndron në vërejtjen e fluksit të përvojës duke e gjykuar sa më pak të jetë e mundur. Sipas Carlson, duke i kushtuar vëmendje me rregullshmëri përvojave tona, mund të fitojmë një databazë më të gjerë e më përfaqësuese sipas të cilës të gjykojmë personalitetin tonë.
Edhe pse ky lloj kërkimi empirik është ende në fillim, është demonstruar një korrelacion i caktuar midis vëmendjes së vetëdijshme dhe njohjes së vetes. Sipas Amber S. Emanuel dhe kolegëve të saj të Kent State University, pjesëmarrësit në një studim që referonin se i kushtonin një vëmendje gjendjeve mendore të tyre dinin t’i parashikonin më mirë reagimet emotive të tyre ndaj zgjedhjes së një presidenti të Shteteve të Bashkuara. Christina L. M. Hill dhe John A. Updegraf kanë verifikuar se njerëzit më të vetëdijshëm i dallonin më mirë emocionet pozitive dhe negative butësisht të ndryshme gjatë kampionizimit të përvojave.
Nuk e di nëse është realiste të shpresosh as që shumë njerëz të përdorin një prej këtyre dy metodave për ta përmirësuar njohjen e karakterit të tyre, as nuk do të dija sesa do të funksiononte. Kështu që dua ta përmbyll me një sugjerim më modest: rimendojeni këtë artikull pas disa orësh, kur do të jeni në mes të njerëzve, në radhë tek mensa, në një mbledhje, në një festë apo në një shesh të mbushur plot. Vëzhgoni njerëzit rreth jush: janë të gjithë nulitete apo kanë diçka interesante? Kërkoni të vëreni nëse i keni vënë syzet e trapllëkut. U ndodh të gjithëve, por nuk mund të jetë vizioni i vetëm i botës. Duke u frenuar për një çast, kuptojmë pothuajse të gjithë sesa i gabuar është ky vision. Dhe është mënyra e vetme për të hequr syzet.

“Nautilus”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA