Harrohet rivaliteti historik

Ngjarjet tragjike kanë gjithnjë një anë pozitive, sepse bëjnë bashkë edhe rivalët më të mëdhenj. Brazili dhe Argjentina njihen për rivalitetin mjaft të ashpër mes tyre në futboll, por aksidenti fatal i skuadrës braziliane Çapekoense gjatë udhëtimit me avion për në Kolumbi, ka bërë që ky rivalitet të lihet mënjanë.
Federata Argjentinase e Futbollit i dërgoi një letër ngushëllimi Federatës Braziliane të Futbollit duke i bërë me dije gjithashtu gatishmërinë e plotë për të ndihmuar në rimëkëmbjen e klubit të goditur nga tragjedia. “Në emër të Federatës Argjentinase të Futbollit si dhe të gjithë klubeve pjesëtare të saj, përveçse duam t’ju shprehim keqardhjen tonë për këtë ngjarje të rëndë, duam t’ju bëjmë me dije se jemi në gatishmëri për të ndihmuar rimëkëmbjen e klubit të Çapekoenses duke vënë në dispozicion lojtarë të ndryshëm”, shkruhej në letrën e Federatës Argjentinase.

Flasin lojtarët që nuk udhëtuan
Një nga lojtarët, i cili nuk u grumbullua në ndeshjen që shënoi tragjedinë me skuadrën braziliane të futbollit ka folur për mediat pas tragjedisë. Alejandro Marinuccio, i cili ka luajtur edhe me Vijarealin në Spanjë tregon për mediat se një dëmtim e la larg ndeshjes në Kolumbi, ku edhe u rrëzua avioni me futbollistë.
“Kisha marrë një dëmtim dhe trajneri nuk më grumbulloi. Ndihem thellësisht i dëshpëruar. E vetmja gjë që më shkon në mendje tani, është që të lutem për shokët e skuadrës”, thotë ai.
Ishin 8 lojtarë të tjerë të ekipit që nuk u grumbulluan për sfidën në Kolumbi. Ata janë Nenem, Domerson, Marcelo Boek, Andrei, Hyoran, Nivaldo, Moises dhe Rafael Lima. Por më me fat mund të cilësohet, Matehus Saroli, i cili nuk arriti të fluturonte me skuadrën, pasi kishte harruar pasaportën.

Tifozë dhe familjarë kalojnë natën në stadium
Familjarë të futbollistëve të Çapekoenses dhe shumë tifozë të skuadrës po kalojnë momente shokuese që pas aksidentit ajror që skuadra braziliane e futbollit pësoi në Kolumbi, për ku ishte duke udhëtuar për të zhvilluar ndeshjen e parë të finales së Kupës së Amerikës së Jugut.
Që në momentet e para të përhapjes së lajmit, qindra tifozë u grumbulluan para stadiumit të skuadrës për të pritur informacione të reja. Ndërkohë në mbrëmje dyert e stadiumit u hapën dhe familjarë të shumtë të viktimave, si dhe tifozë të skuadrës, kaluan natën aty duke kryer homazhe në nderim të tyre.

I mbijetuari që kërkoi t’i ruanin unazën
Alan Rushel, i mbijetuari i aksidentit tragjik me avion mbi Kolumbi, kishte një arsye shumë të fortë pse në momentin kur u transportua në spital, i kërkoi atyre që t’i ruanin unazën që mbante në gisht. Sipas mediave lokale, futbollisti brazilian kishte qenë i ndërgjegjshëm gjatë gjithë kohës dhe kishte bërë këtë kërkesë të veçantë para se të futej në sallën e operacionit.
Mediat braziliane kanë zbuluar se arsyeja përse ai e bëri një gjë të tillë, ishte sepse sot duhej të ishte dita kur do të kishte shpallur datën e dasmës së tij, por e kishte shtyrë pikërisht për shkak të ndeshjes së skuadrës në Kolumbi.
Gjithçka u konfirmua nga e fejuara e futbollistit, atletja Marina Storçi, e kontaktuar nga mediat braziliane. “Alan është gjithçka për mua dhe sot ishte dita kur do të shpallnim dasmën tonë”, tha ajo.
Rushel i është nënshtruar operacioneve të njëpasnjëshme, por sipas mjekëve, pas këtij aksidenti kaq të rëndë, rrezikon të mbetet i paralizuar falë frakturave të shumta që ka pësuar në këmbë dhe në shtyllën kurrizore.