Grabitet banesa e deputetit të PS, sekret shuma e parave të vjedhura

Deputeti i PS, Namik Kopliku, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte shqyrtuar projektligji per ndryshim ne ligjin “Per programet sociale te strehimit”. /r/n/r/nLawmaker, Namik Kopliku, speaks during a parliamentary session.

Banesa e deputetit të PS, Namik Kopliku është grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Sipas informacioneve të para mësohet se, autorët kanë shqyer derën e banesës dhe më pas kanë marrë bizhuteri dhe sende me vlerë. Bëhet fjalë për banesën që deputeti i Qarkut të Shkodrës ka në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, zonë të cilën e mbulon Komisariati i Policisë Nr.3. Dyshohet se grabitësit kanë marrë një shumë të madhe parash, ndërsa policia nuk jep asnjë informacion për shumën e parave të grabitura. Shkaku që policia nuk jep informacione për shumën e parave të grabitura është se zbulohen paratë e deputetit që mban në shtëpi dhe nuk i dërgon në banka, sepse nuk mund të deklarojë prejardhjen e parave.
Deputeti socialist ka treguar se ka qenë në Shkodër kur ka ndodhur ngjarja. Ai tha se është njoftuar të martën nga fqinjët për diçka të dyshimtë në derën e shtëpisë dhe menjëherë është nisur për në Tiranë. “Gjatë momentit të grabitjes, banesa ka qenë e mbyllur, sepse unë me gjithë bashkëshorten ishim në Shkodër për aktivitetet e organizuara me rastin e 28-29 nëntorit. U shqetësuam normalisht edhe unë edhe gruaja. Kur shkuam në banesë gjetëm fishekun e bravës së derës të prishur dhe derën e hapur. Kishin marrë sende me vlerë, bizhuteri. Në ambient kishin bërë rrëmujë, e kishin kthyer përmbys në kërkim të gjërave me vlerë dhe parave ndoshta”, ka treguar deputeti socialist.
Ai deklaroi se, menjëherë ka bërë kallëzimin në polici për ngjarjen, duke dhënë edhe të dhënat për gjërat që mungonin në banesë. “Denoncova në polici dhe jam në pritje të vënies së autorëve para drejtësisë. Përveç bizhuterive e sendeve me vlerë kanë vjedhur edhe një sasi parash, lekë të përdorimit të përditshëm. Grabitja mund të ketë ndodhur 2 ditë më parë, por fqinjët e kanë njoftuar dje sapo kanë vënë re diçka të dyshimtë”, tha deputeti Kopliku. Policia tha se, ka nisur hetimin për ngjarjen, por deri tani nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.

Si u grabitën 8 milionë euro në banesat e dy ministrave

Një muaj më parë u grabitën 8 milionë euro në banesat e një ministri dhe ish-ministri të Ramës. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia, por burime pranë Policisë së Tiranës konfirmuan shumën marramendëse që u janë grabitur dy zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe bënë të ditur se po hetohet për zbulimin e autorëve. Sipas policisë, bëhej fjalë për dy raste të ndryshme vjedhjeje, ku janë marrë 8 milionë euro në dy banesat e ministrit dhe ish-ministrit. Kjo shifër konfirmohet nga burimet policore dhe deklarimeve të një biznesmeni pranë Kryeministrit Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama.
Në dijeni janë vënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Burimet e policisë bënë të ditur se po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit e shtëpive të dy zyrtarëve të lartë.
Nuk dihet se kush është ministri që i kanë vjedhur shumën marramendëse të eurove në banesë. Po ashtu edhe ish-ministri, ndonëse dihet se dy ministra janë larguar nga qeveria “Rama”, duke dhënë dorëheqjen. I pari ishte ministri i Ekonomisë, Shkëlqim Cani që dha dorëheqjen, ndërsa më pas u dorëhoq edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, por nuk dihet se kujt prej këtyre të dyve iu grabitën eurot dhe sendet me vlerë në banesë.
Ministrat e Ramës i mbajnë paratë në shtëpi dhe nuk i dërgojnë në banka, sepse bankat nuk i pranojnë, pasi duan burimin se prej nga kanë ardhur këto para. Nuk i dërgojnë në banka, sepse janë para të vjedhura nga tenderat, korrupsioni dhe taksat e shqiptarëve. Mjaft ministra të qeverisë aktuale janë akuzuar nga opozita dhe mediat për abuzime me tenderat, vjedhje dhe përvetësime parash dhe dalja në dritë e shifrës reale të grabitjes ka trembur ministrin, pasi nuk ka se si t’i justifikojë se ku ka marrë gjithë ato para që i mbante në banesë.