Gjendet trupi i inxhinierit të Uzinës Ballsh, dyshohet se është vrarë

Trupi i pajetë i inxhinierit të Uzinës së Ballshit është gjetur pasditen e djeshme në një pyll në Mallakastër. Burime nga policia thanë se në vendin e quajtur “Pylli i fshatit Kalenjë”, Mallakastër, është gjetur nga një bari i fshatit Kalenjë kufoma e 57-vjeçarit Sh. D., banues në fshatin Kalenjë, Mallakastër. Ky person ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa pa adresë më datën 14 nëntor 2016.
Dyshohet se, inxhinieri i Uzinës së Ballshit mund të jetë vrarë. Në trupin e tij janë gjetur shenja dhune. Policia e Fierit ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 57-vjeçarit të zhdukur dy javë më parë në Mallakastër. Shefo Duraj u zhduk pa lënë gjurmë, pasi doli nga turni i tretë në Uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh. Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktjma nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Në kokë janë vërejtur plagë dhe fraktura të kafkës ndaj ekspertët mjeko-ligjorë po kryejnë këqyrje të hollësishme për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Ndërkohë, policia bëri të ditur se vdekja ka ardhur për shkaqe aksidentale.