Genoa “frenon” Juventusin

Vetëm një mbiemër i madh mund t’i bëjë ballë Juventusit dhe kur emri që mban mbi shpinë është Simeone ke atë të duhurin. Giovanni Simeone, djali i El Cholos, ishte protagonisti i Genoas në fitoren 3-1 me Juventusin duke shënuar një dygolësh në “Marassi” kundër kampionëve në fuqi, që pësuan humbje e 3-të sezonale, këtë herë, atë më të thellën. Ekipi i Allegrit në ndryshim nga humbjet e mëparshme me Interin dhe Milanin nuk arriti të kishte asnjë lloj impakti në ndeshje, pasi Giovanni Simeone shënoi dy herë në minutat 3 dhe 13-të, për një epërsi të dyfishtë të ekipit të tij. Goli i 3-të ishte një dhuratë e vetë Juventusit me Alex Sandro, që gabimisht dërgoi topin në rrjetën e tij. Shifrat bardhezinjtë i shkurtuan vetëm në fund me një goditje dënimi shumë të bukur të Pjanicit.
Një humbje që për momentin nuk ndikon në klasikimin e bardhezinjve ndërsa ngjiti jo pak në renditje Genoan. Atalanta është skuadra e momentit. Ekipi ku luan Etrit Berisha, i cili këtë herë mungoi për shkak dëmtimi regjistroi fitoren e 6-të radhazi pasi mposhti në transfertë dhe Bolognën 2-0 falë golave të shënuar nga Masiello në pjesën e parë dhe Kurtic në të dytën. Një sukses që e mban Atalantën në zonën europiane. Cagliari mori një fitore qetësie ndaj Udineses në Sardenjë me golat e Farias dhe Saut teksa mundi 2-1 Udinesen, që nuk mundi të ruajë dot barazimin provizor të Fofanas.
Tomas Strakosha regjistron ndeshjen e pestë në Serie A dhe njëkohësisht suksesin e katërt sezonal për të me skuadrën e Lazios. Portieri i kombëtares shqiptare u rreshtua titullar për të dytën herë rresht pasi Marchetti nuk ia doli të rikuperohej për transfertën e Palermos, ku Lazio fitoi me rezultatin 1-0. 22-vjeçari shqiptar zhvilloi një ndeshje pozitive në “Renzo Barbera”, stadiumin që më 24 mars do ta vizitojë si portier i Shqipërisë për eliminatoren ndaj Italisë. Në minutën e 31, Milinkovic Savic kaloi kryeqytetasit në avantazh, ndërsa gjatë 45 minutave të para, gardiani kuqezi u detyrua të kryente vetëm një ndërhyrje kur në minutën e 34, Nestorovski rrezikoi portën bardhekaltër.
Në fraksionin e dytë, Lazio u tregua më e kujdesshme duke kontrolluar ndeshjen dhe duke ulur presionin, kjo e detyroi portierin shqiptar të aktivizohej shpeshherë në pasimet e shpeshta të bardhekaltërve për të qetësuar lojën. Ai u shfaq i sigurt dhe nuk e vuri për asnjë moment në rrezik suksesin e ekipit të Simone Inzaghit. Me këtë sukses, Lazio qëndron në zonën europiane me 28 pikë dhe shkon e qetë drejt derbit të Romës javën e ardhshme. Për Strakoshën, kjo ishte ndeshja e dytë brenda pak ditësh pas rikthimit në fushë kundër Genoas.