Fundi i shekullit amerikan?

Joseph S. Nye

Jemi Roma? Pyetja është vendosur në titullin e një libri të famshëm të Cullen Murphy, të cilës autori i përgjigjet “Ndoshta”. Në fakt, Roma nuk u gjunjëzua prej goditjeve të një perandorie tjetër në ngjitje. Siç e kemi parë, shoqëria e saj, ekonomia e saj dhe institucionet e saj pësuan një rënie kaq absolute, saqë Roma qe e paaftë të mbrohej nga hordhitë e pushtuesve barbarë. Disa analistë theksojnë se kostot për ruajtjen e hegjemonisë në nivel ndërkombëtar i dobësojnë ekonomitë kombëtare dhe kontribuojnë në rënien absolute për shkak të ambicieve të tepruara “perandorake” (imperial overstretch). Por deri më tani, të dhënat lidhur me Shtetet e Bashkuara nuk japin kushedi se çfarë për ta konvaliduar një teori të tillë, pasi gjatë dekadave të fundit shpenzimet për mbrojtjen dhe për politikën e jashtme janë zvogëluar në terma të përqindjes së PBB-së. Megjithatë, pushteti relativ i Shteteve të Bashkuara mund të zvogëlohet jo për shkak të overstretch, por për arsye të brendshme.
Faktikisht, rënia e Romës i detyrohet ndryshimeve të ndodhura në situatën e brendshme: romakët humbën besimin në kulturën dhe në institucionet e tyre dhe ndërsa elitat qenë të impenjuara në një luftë të ashpër për supremaci, korrupsioni ishte galopant dhe ekonomia dobësohej. Shtetet e Bashkuara mund ta humbasin aftësinë e tyre për të influencuar ngjarjet botërore për shkak të betejave të brendshme që prekin kulturën e tyre, për shkak të rënies së institucioneve dhe stanjacionit të ekonomisë së tyre? Nëse kjo e fundit deri do të shembej, Shtetet e Bashkuara do të humbisnin jo vetëm shumë hard power, por edhe soft power. Edhe sikur të duhej të vazhdonin të ruanin një sasi mbresëlënëse resursesh ushtarake, ekonomike dhe soft power, Shtetet e Bashkuara mund të mos e kenë aftësinë për t’i transformuar resurse të tilla dhe ta influencojnë kështu politikën botërore. (…)

Ekonomia
Problemet kulturore dhe sociale të botës amerikane të diskutuara deri më tani nuk tregojnë një rënie të brendshme të tillë sa të dobësojë peshën ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, por një ulje të niveleve të produktivitetit në periudhën afatgjatë dhe një rritje ekonomike të pakënaqshme mund ta reduktojnë. Pavarësisht se parashikimet makroekonomike gëzojnë gjithmonë një shkallë të caktuar gabimi, duket se në dekadën që ka pasuar krizën financiare të 2008 rritja ekonomike e Shteteve të Bashkuara ka qenë më e ngadaltë nga parashikimi, edhe respektivisht jorritjes që në fillimvitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar karakterizoi Japoninë në vijim të shpërthimit të një flluske spekulative.
Për të ardhmen e afërt, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje të ekonomisë amerikane me rreth 2–3 për qind në vit. Një mesatare e tillë është më e ulët nga rritja potenciale, por nuk nënkupton në asnjë mënyrë stanjacion. Në kundërshtim me perspektivat ekonomike të përhapura dhe të zymta, me një rritje prej 2 për qindësh në vit, në harkun e 35 viteve PBB-ja do të dyfishohet. Në vitet tetëdhjetë të nëntëqindës, shumë vëzhgues mendonin se dominimi amerikan ishte zvogëluar dhe kjo kontribuoi që të ushqeheshin zërat e rënies për të cilat është folur më parë. Përqindja vjetore e rritjes së produktivitetit të punës, që në dy dekadat pas Luftës së Dytë Botërore arriti një mesatare prej 2.7 për qindësh, rrëshqiti në 1.4 për qindësh midis viteve 1980 e 1990. Pritej që Japonia dhe Gjermania do ta kalonin Amerikën dhe se një gjë e tillë do ta rrënonte hard power dhe soft power. Shtetet e Bashkuara dukej se e kishin humbur avantazhin konkurrues të tyre. Kurse sot, deri pas krizës financiare dhe recesionit pasues, klasifikimi i World Economic Forum i shikon Shtetet e Bashkuara në vendin e 3-të (nga 154 vende) në termat e konkurrueshmërisë ekonomike globale, pasi ka pasur përpara vetes ekonomi të mëdha. Krahasuar me to, Kina është vetëm në vendin e 28-të. (…)

Institucionet politike
Paqartësi më e madhe rrethon në fakt institucionet amerikane. Shumë vëzhgues besojnë se situata e ngërçit që përjetojnë Shtetet e Bashkuara do ta pengojnë sistemin politik amerikan që t’i përkthejë resurset e veta të pushtetit në rezultate. Francis Fukuyama thekson se, “shoqëria amerikane nuk është në rënie për shkak të situatës së përgjithshme të ekonomisë, relativisht e fortë, por për faktin se sistemi politik ka njohur një rënie të konsiderueshme”. Në qoftë se është e vërtetë se ngërçi partiak është sot në rritje, atëherë është e rëndësishme të kuptohet sesa situata aktuale është më e keqe sesa në të kaluarën. Sipas Sarah Binder, “distanca ideologjike midis partive ka bërë gjithçka përveçse për t’u kthyer në nivelet që regjistrohen në fund të shekullit XIX”. Ndërsa situata e ngërçit të fortë të Kongresit e presidencës së dytë Obama është e pakrahasueshme me atë të Kongresit të presidencës së dytë Clinton, Kongresi i 111-të, ai i dy viteve të para të presidencës së parë Obama, arriti që të miratojë politika të rëndësishme stimuli fiskal, reformën shëndetësore, rregullimin e sistemit financiar, një traktat mbi proliferimin e armatimeve dhe një seri amendamentesh të prirura që të pengonin diskriminimin ndaj homoseksualëve të pranishëm në ushtrinë amerikane apo që donin të shërbenin në të, Binder hipotezon se, “sistemi politik amerikan sigurisht që do ta kalojë këtë moment të vështirë, megjithatë ndërkohë Kongresi është i prekur nga një kapacitet legjislativ i ulët”. Një sondazh i Pew Research ka zbuluar se gjatë dy dekadave të fundit, nga njëra anë, koherenca ideologjike është dyfishuar, duke kaluar nga 10 në 21 për qind, nga ana tjetër, pjesa më e madhe e amerikanëve nuk ka manifestuar një pikëpamje të prerë konservatore apo liberale, por do që përfaqësuesit e tij të ndeshen në pozicione të ndërmjetme. Pavarësisht shpresave të tilla të elektoratit, nga viti 1970 partitë janë bërë më ideologjike. Konvertimi i pushtetit – të përkthejë resursin e pushtetit në influencë efikase – nuk është një problem i ri për Shtetet e Bashkuara.
Kushtetuta bazohet mbi një vizion liberal të shtatëqindës sipas të cilit pushteti kontrollohet më mirë nga fragmentimi dhe nga pesha e kundrapesha që kompensohen sesa nga centralizimi. Struktura e ekzekutivit amerikan u projektua për të qenë joproduktive, në mënyrë që të përfaqësonte një kërcënim më të vogël ndaj lirisë. Kushtetuta u shkrua në mënyrë të tillë që ta nxiste Presidentin dhe Kongresin për t’u matur njëri me tjetrin lidhur me drejtimin e politikës së jashtme. Grupe presioni të forta ekonomike dhe etnike konkurrojnë midis tyre për të kënaqur përkufizimet respektive të interesit kombëtar dhe e orientojnë Kongresin me qëllim që të miratojë masa që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe të vendosë sanksione ndaj vendeve të tjera. Siç arriti të nënvizojë Henry Kissinger, “ajo që nga jashtë kritikët e interpretojnë si një kërkim dominimi të Amerikës shpesh është një përgjigje që u detyrohet grupeve të brendshme të presionit”, sondazhet tregojnë një rënie besimi tek institucionet nga ana e qytetarëve. Në vitin 1964, tri të katërtat e amerikanëve deklaroheshin se kishin besim në aksionin e qeverisë federale; sot vetëm një e pesta. Të dhënat kanë qenë paksa me ulje–ngritje me kalimin e kohës: janë rritur sidomos falë shtytjes patriotike që ka buruar nga atentatet e 11 shtatorit 2001 dhe më pas kanë rënë sërish (numrat lidhur me besimin tek qeveria shtetërore dhe lokale janë lehtësisht më të mira). Qeveria nuk është e vetmja që e ka pësuar këtë ulje–ngritje konsensusi. Gjatë dekadave të fundit besimi në institucione të shumta të rëndësishme në fakt është përgjysmuar: ka rënë nga 61 në 30 për qind për universitetet; nga 55 në 13 për qind për kompanitë e mëdha; nga 73 në 33 për qind për mjekësinë dhe nga 29 në 11 për qind për informacionin. Gjatë 10 viteve të fundit është rritur besimi në sistemin arsimor dhe në forcat e armatosura, por ka rënë në atë ndaj Wall Street dhe korporatave kryesore.
Sipas një thënieje të markës xhefersoniane, amerikanët nuk duhet të preokupohen shumë për nivelin e besimit tek qeveria. Veç kësaj, kur nuk kërkohet me kadencë ditore mbi qeverinë, por mbi kontekstin kombëtar e konstitucional thelbësor, opinioni publik është shumë pozitiv. Në qoftë se i pyesni amerikanët se cili është vendi më i mirë për të jetuar, 82 për qind do t’u përgjigjen “Shtetet e Bashkuara”. Në qoftë se u kërkoni një mendim lidhur me institucionet demokratike, 90 për qind do të tregojë një pëlqyeshmëri të lartë. Pak mendojnë se sistemi është i korruptuar dhe se duhet të përmbyset. Disa aspekte të kësaj gjendjeje shpirtërore ka mundësi që janë ciklikë, ndërsa të tjerë janë prova e pakënaqësisë që i detyrohet momentin të veçantë të ngërçit në procesin politik. Respektivisht të kaluarës jo të largët, është e vërtetë se politika është polarizuar dhe është fortifikuar pas dy rreshtimeve kryesore, por origjina e politikës së keqe shkon tek etërit themelues. Deformimi në vlerësim i detyrohet besimit të madh në institucionet demokratike nga ana e gjeneratës që u ka mbijetuar Depresionit të Madh dhe fituese në Luftën e Dytë Botërore. Gjithsesi, anomalia përfaqësohet nga besimi i tepruar i manifestuar në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, jo nga nivelet e ulëta të regjistruara në vijim. Veç kësaj, pjesa më e madhe e dëshmive të humbjes së besimit buron nga të dhënat e sondazhit, por nëse është e vërtetë se me kalimin e kohës tendenca e përgjigjeve është për poshtë, atëherë është edhe e vërtetë se domethënia e kësaj rënieje mbetet e paqartë. Në fund të fundit, rënia më e fortë ka ndodhur rreth katër dekada më parë, midis fundit të viteve gjashtëdhjetë e fillimit të viteve shtatëdhjetë, jo në dekadën e fundit.
Megjithatë, ecuria e treguar nga sondazhet nuk është konfirmuar nga sjelljet e amerikanëve. Për shembull, Internal Revenue Service (agjencia amerikane e të ardhurave) nuk ka regjistruar një rritje domethënëse të evazionit apo të mashtrimeve fiskale. Klasifikimi i Bankës Botërore mbi luftën kundër korrupsionit i jep një pikësim të lartë Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2000 përqindja e kthimit mbi bazë vullnetare e formularëve të censusit me postë ka arritur në 67 për qind, nivel që ka mbetur i tillë më 2010 dhe që ka përmbysur një tendencë negative në fuqi nga viti 1970. Nga viti 1950 ka ndodhur një rënie e pjesëmarrjes elektorale, e kaluar nga 62 në 50 për qind, por që është ndalur më 2000, ndërsa më 2012 është regjistruar bile një rritje në 58 për qind. Nëse sjelljet nga pasqyrojnë përgjigjet ndaj pyetjeve të sondazheve, shkaqet e humbjes së besimit tek institucionet duhet të ishin kërkuar në motive më të thella, si individualizmi i spikatur dhe besimin më të paktë ndaj autoritetit, karakteristika të të gjitha shoqërive pasmoderne. Sa ndikojnë këto ndryshime mbi kapitalin social dhe pas pasojë, mbi efikasitetin e institucioneve amerikane?
Robert D. Putnam vëren se dobësimi i lidhjeve komunitare nuk ka qenë konstant gjatë shekullit të fundit. Përkundrazi, një vëzhgim i hollësishëm i historisë amerikane ka zbuluar ulje–ngritje në impenjimin civil, një histori rëniesh dhe rinovimesh. Tri të katërtat e amerikanëve ndjehen pjesë e komunitetit referues, të karakterizuar, gjithmonë sipas mendimit të tyre, nga një cilësi jete e shkëlqyer ose e mirë. Rreth gjysma e adultëve merr pjesë në një grup apo një aktivitet civil. Veç kësaj, ai amerikan është një sistem federal shumë i decentralizuar. Ngërçi vendimmarrës në nivel kombëtar shoqërohet shpesh nga bashkëpunimi dhe novatorizëm politik në nivel të qeverisë shtetërore dhe urbane. Siç ka komentuar “The Economist”: “Sistemi politik amerikan u projektua për të mos e bërë aspak të lehtë ligjërimin në nivel federal. Themeluesit e tij besonin se një vend me përmasat e Amerikës mund të qeverisej më mirë nëpërmjet një shtresëzimi nivelesh lokale, jo nga një nivel i vetëm kombëtar. Kështu, sistemi bazë funksionon; por kjo nuk duhet të përbëjë një pretekst për të injoruar zonat në të cilat ai mund të reformohet”. Mbetet për t’u parë nëse sistemi politik amerikan mund ta reformojë veten duke përballuar problemet e sipërpërmendura, por nuk është aq i komprometuar sa insinuojnë kritikët e tij, që shohin analogji me rënien e Romës dhe përshkruajnë një vend të prekur nga paraliza. Në fakt, siç është nënvizuar nga një autor i markës konservatore si David Frum, “në dy dekadat e fundit Shtetet e Bashkuara kanë parë të reduktohet kriminaliteti, numri i viktimave nga incidentet me makinë, sasia e emetimeve të anhidridit karbonik, aborted, konsumi i pijeve alkoolike dhe i cigareve, si dhe janë vënë në krye të atij revolucioni që është interneti”. Megjithatë, pyetja mbetet: a janë në gjendje institucionet politike të konvertojnë resurset në pushtet siç kërkohet nga nevojat e shekullit XXI?
Siç e kemi parë, Roma e lashtë kishte një ekonomi me një përqindje produktiviteti pothuajse zero, një shoqëri e sfilitur nga një lufte e brendshme dhe një korrupsion galopant: shpjegohet kështu degradimi i institucioneve politike, që e penguan Romën të mbrohet. Faktet e mësipërme e bëjnë jo të besueshme një analogji Romë–Shtetet e Bashkuara. Kultura amerikane paraqet fraktura (cleavages), por ato mbesin të menaxhueshme dhe më pak të rrezikshme nga sa kanë qenë në të kaluarën. Problemet sociale gëlojnë, është e vërtetë, disa prej të cilave bile po thellohen, por të tjera janë në rrugën e zgjidhjes. Ajo amerikane mbetet një shoqëri e hapur ndaj botës së jashtme dhe më mirë se çdo tjetër arrin që të rinovohet falë emigracionit. Ekonomia amerikane po rritet më ngadalë sesa në të kaluarën, por mbetet novatore në përdorimin dhe komercializimin teknologjik për shkak të kulturës sipërmarrëse të saj, të një sektori të pjekur të kapitalit të riskuar dhe të një tradite raportesh të ngushta midis industrisë dhe universiteteve më të rëndësishëm të botës. Është lidere e botës në kërkim e zhvillim dhe është në vijën e parë në teknologjitë e reja (kibernetike, nano, bio dhe energjetike). Ekzistojnë probleme në termat e pabarazisë dhe të formimit të krahut të punës të duhur për të përballuar sfidat e së ardhmes. Pikëpyetjet më të mëdha kanë të bëjnë ama me institucionet politike. Rastësia e një ngërçi politik është parashikuar qysh nga fillimi, në kartën kushtetuese, por gjatë viteve të fundit, sidomos në Uashington, problemi po merr përmasa preokupuese. Megjithëse krahasuar me të kaluarën një ngërç i tillë nuk shkakton frikëra të veçanta, pyetja për t’u bërë është nëse institucionet do të jenë apo jo në gjendje të përballojnë problemet e të ardhmes. Por, në të njëjtën kohë, sistemi federal garanton diversitetin dhe favorizon shpalosjen e potencialit të novatorizmit të pranishëm në shtetet dhe në qytetet e veçanta. Roli i qeverisë kombëtare bën që pjesë të novatorizmit të kenë impulse jashtë qarqeve që gravitojnë mbi Uashington. Veç kësaj, megjithë rritjen e konfliktualitetit praktik, gjatë viteve të fundit shumë prej kritikave (deficit, energji, asistencë shëndetësore) janë zgjidhur ose përmirësuar. Amerika ka shumë probleme, që nga ana e tyre ngrenë shumë pikëpyetje, por nuk po shkaktojnë atë rënie absolute në gjendje që t’i japë fund shekullit amerikan.

(Këto janë disa pjesë nga libri i shkencëtarit politik të shquar amerikan Joseph S. Nye me titull “Is The American Century Over?”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA