Eurodeputetët vendosin: Zgjedhjet janë kusht i BE

Komisioni për Politikat e Jashtme në Parlamentit Evropian ka debatuar dje për draftrezolutën e Shqipërisë. Zgjedhjet janë artikuluar nga eurodeputetët si një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave me Shqipërinë ndonëse eurodeputeti Flekenshtejn ka bërë thirrje për një vendim të shpejtë në këtë drejtim.
Eurodeputetët kanë theksuar se në Shqipëri mbetet problem inkriminimi i funksionarëve të lartë në funksione të ndryshme.
Draftrezoluta e Bashkimit Europian i bën thirrje partive politike të Shqipërisë për të respektuar ligjin për përjashtimin e autorëve të veprave penale nga postet publike, në frymë dhe në letër, kur të përcaktojnë kandidatët e listave të tyre. Rama vazhdon ta mohojë këtë kusht të vendosur nga Bashkimi Europian. Ai kërkon anashkalimin e pikës së të inkriminuarve me qëllim që ata të jenë pjesë e fushatës së zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Eurodeputetët nuk janë tërhequr nga kërkesat për zgjedhje të lira. Draftrezoluta kujton përgjegjësitë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Bën thirrje ndaj Komisionit Ad-Hoc parlamentar për Reformën Zgjedhore për të përfunduar rishikimin e Kodit Zgjedhor duke adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it; Bën thirrje ndaj autoriteteve kompetente për të siguruar zbatimin e duhur në kohë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2017. Dokumenti është hartuar nga eurodeputeti i majtë Flekenshtejn. Ai flet për domosdoshmërinë e një dialogu politik. “Rithekson se një dialog konstruktiv, bashkëpunim i qëndrueshëm politik dhe gatishmëria për kompromis është vendimtare për suksesin e reformave dhe për të gjithë procesin e anëtarësimit në BE”. Sipas draftit të paraqitur prej tij reforma në gjyqësor duhet të jetë gjithpërfshirëse ndërkohë që Rama me rrëzimin e paketës kushtetuese të miratuar me konsensus ka rrëzuar çdo mundësi për gjithpërfshirje. Ai kërkon kapjen e drejtësisë përmes kontrollit të Vettingut duke ja lënë atë në duar tri zyrtarëve që janë nën kontrollin e plotë të Ramës.
Draftrezoluta “Përsërit se një reformë gjithpërfshirëse e gjyqësorit është një kërkesë madhore e qytetarëve të Shqipërisë për të rikthyer besimin tek përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve publike, dhe se kredibiliteti e efektiviteti i procesit të reformave në tërësi, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, varet nga suksesi i procesit të verifikimit (Vetting) dhe reformës në drejtësi”.
Bën thirrje për trajtimin e mëtejshëm të mangësive në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke përfshirë mungesën e pavarësisë nga degë të tjera të pushtetit, drejtësinë selektive, llogaridhënien e kufizuar dhe mekanizmat joefikase të kontrollit, korrupsionin, kohëzgjatjen e përgjithshme të procedurave gjyqësore dhe zbatimit.
Rithekson rëndësinë kritike për media profesionale dhe të pavarura në shërbimin publik dhe privat; është i shqetësuar për ndikimet politike në media dhe vetëcensurën e gjithpërhapur mes gazetarëve; vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audiovizuale dhe vonesat në plotësimin e vendeve të AMA-s; Bën thirrje për masa për të rritur standardet etike e profesionale dhe bashkësinë e kontratave të rregullta të punës së gazetarëve, për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik.
Parlamenti Europian, sipas draftit, do të shqyrtojë mundësitë, përmes programeve ekzistuese për vendet e zgjerimit, për të ndihmuar kolegët shqiptarë, në këtë kuadër, për ushtrimin e rolit mbikëqyrës dhe rritjen e cilësisë së legjislacionit. Vlerësohet përmirësimi i marrëdhënies së institucioneve shtetërore me shoqërinë civile, por kërkohet rregullimi i kuadrit fiskal për organizatat jofitimprurëse. Toleranca fetare vendase konsiderohet “thelbësore për parandalimin e radikalizmit islamik” dhe luftën kundër terrorizmit.
Një problem mjaft i rëndësishëm në draftrezolutë konsiderohet pamundësia e luftës efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kuvendit i kërkohet të miratojë Kodin e Etikës dhe të forcojë kapacitetet e mbikëqyrjes ndaj qeverisë. Drafti përsërit gjetjet e raportit të fundit të Komisionit për vendin në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, për administratën publike dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë për pronat, fëmijët dhe minoritetet, si dhe përsa i takon lirisë së medias.
Draftrezoluta i është dorëzuar eurodeputetëve dhe ajo pritet që të ketë ndryshime gjatë ditëve të ardhshme.

Arben SHAHINI