Çfarë përfaqëson simboli i partisë së Blushit?

263

Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi prezantuan dje në orën 18:00 në Akademinë e Arteve forcën e tyre të re politike të quajtur LIBRA.
I larguar nga Partia Socialiste, gjatë fjalës së tij Ben Blushi u shpreh se LIBRA është një bashkim i njerëzve të lirë dhe që besojnë se Shqipëria mund të bëhet një vend si shtetet e tjera europiane.
“Ne të gjithë sonte jemi këtu për të besuar. Ne besojmë se Shqipëria mund të bëhet, do të bëhet vetëm nga shqiptarët. Kemi ardhur sonte të marrim vendim në dobi të Shqipërisë. Kemi ardhur të bashkohemi pas një ideje, jo pas një njeriu”. Me këto fjalë, Blushi ka sulmuar indirekt Edi Ramën që refuzon të kryejë zgjedhje brenda Partisë Socialiste për të mos u zgjedhur.
Kjo forcë e re politike do të ketë në përbërje njerëz të lirë dhe të cilitdo force politike, theksoi Blushi
“Ne kemi një ide, e cila na është kthyer në bindje. Kjo gjë është LIBRA. Kurrë në jetën tuaj nuk do të zhgënjeheni që vendosët të jeni LIBRA. A meritojmë ne që vendi jonë të prodhojë kaq shumë varfëri në 25 vjet? A meritojmë të kemi shkallën më të lartë të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja? A meritojmë të jemi kaq të varfër dhe kaq të pashpresë. Unë them se jo, ne themi se jo! LIBRA do të jetë një libër i këtij vendi ku shkruhet nga njerëz të ndryshëm të këtij vendi”, u shpreh deputeti.
Blushi sqaroi se emërtimi i kësaj partie do të thotë dije, liri dhe ekuilibër social, ndërsa ngjyra e verdhë e logos së partisë simbolizon Diellin.
“LIBRA do të thotë dije, liri, ekuilibër. Është të qenit i lirë dhe i drejtë. LIBRA do të jetë një arsye për të bindur gjithë ata që duan ta lënë Shqipërinë. LIBRA ka vendosur të qëndrojë deri në fund si një bashkësi njerëzish të barabartë.
LIBRA ka vendosur të ketë ngjyrën e Diellit. E verdha e Librës përfaqëson mençurinë, optimizmin. LIBRA ka vendosur të jetë optimiste. LIBRA ka vendosur të jetë e verdhë, e bindur se e kuqja na turpëroi për 50 vjet, bluja për 20 vjet dhe mavia për 3 vjet”, tha Ben Blushi.