Çfarë fshehu Rama nga takimi me deputetët gjermanë?

Duket sikur zoti Rama e ka përcjellë me shpërfillje zotin Krischbaum, por burime diplomatike kanë zbardhur disa detaje interesante të takimit. Bashkë me zotin Krischbaum, në delegacionin gjerman ishte dhe një deputet i CDU-së i quajtur Hans Joachim Falenski. Ka qenë ky i fundit që ka pasur dhe replikat më të ashpra me Ramën gjatë takimit.
“Kryeministri Rama nisi të mbronte punën e qeverisë së tij, sidomos për sa i takon çështjes së kanabisit dhe krimit të organizuar. Rama përmendi dhe raportet e Delegacionit të BE-së në Tiranë, si një tregues që mbështeste thëniet e tij.
Por në këtë moment, deputeti i CDU-së Falenski, ka flakur në drejtim të Ramës pikërisht një raport të BE-së, duke i thënë se po mashtronte dhe se kanabisi dhe krimi i organizuar ishin problem që nuk ishte mohuar ndonjëherë nga BE-ja.
Më tej, Falenski i bëri të ditur kryeministrit shqiptar se, përveç raporteve administrative, ekzistonin dhe raporte të specializuara të inteligjencës që kishin zbardhur veprimtaritë kriminale”, shprehet burimi diplomatik për Hashtag.al.
Ndonëse po përpiqet që të menaxhojë mediatikisht situatën e vet në raport me ndërkombëtarët, Edi Rama është i vetëdijshëm se do i duhet që bashkë me kanabisin, të korrë dhe reperkursionet e institucioneve ndërkombëtare.
Rama është njoftuar që në muajin qershor se shërbimi inteligjent gjerman BND e kishte në shënjestër implikimin qeveritar në çështjen e kanabisit. Ai bëri disa përpjekje diplomatike për të ndikuar në rangjet e BND-së, por pa sukses.
Nga ana tjetër, Rama ja ka arritur që të mpijë reagimin e ambasadorit amerikan mbi çështjen e kanabisit apo të Guardia di Finanza në Itali.
Njësoj ka ndikuar edhe mbi Delegacionin e BE-së në Tiranë, të drejtuar nga zonja Vlahutin, ndërsa kjo e fundit u shigjetua nga deputetët gjermanë gjatë një darke pune në Tiranë. Rama u investua dhe nëpërmjet komisionerit grek të BE-së, Avramoupulos, i cili i dërgoi dhe një letër përgëzuese Saimir Tahirit për aksionet anti-kanabis.
Por përtej lojës së lobingut, Kancelarja Merkel informohet nga raportet e BND-së dhe jo nga letrat përgëzuese të politikanëve grekë. Ndaj dhe tentativa e Ramës për të mpirë reagimin e Berlinit, rezultoi e paefektshme dhe tashmë kanabisi nuk është më një problem që mund ta kontrollosh nëpërmjet mediave proqeveritare apo dy-tre ambasadorëve në Tiranë.