Çani: Ia vështirësuam kualifikimin Torinos

Arlind Ajeti ishte ai që fitoi derbin e shqiptarëve në raundin e 1/16-ave të Kupës së Italisë, pasi në kohën shtesë Torino e tij realizoi 4 gola duke eliminuar Pisën. Paraqitja e mbrojtësit shqiptar në debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me skuadrën “Granata” u vlerësua me notën 6 nga mediat italiane, me Ajetin që përveç se shfaqi shumë siguri në prapavijën e Torinos iu afrua në dy raste golit. Në krahun tjetër Edgar Cani dhe Samir Ujkani ishin dy lojtarët më të mirë në fushë për Pisën teksa u vlerësuan me notën 6,5 për performancën e tyre.
Portieri i përfaqësueses së Kosovës me pritjet e tij arriti ta çonte ndeshjen në shtesë, ndërkohë që nuk pati faj në asnjë nga 4 golat e realizuar nga Torino. Ndërkohë me shiritin e kapitenit në krah, Cani u shfaq si një gladiator në fushën e lojës duke vendosur në vështirësi në jo pak raste mbrojtjen e Torinos. Në fund të sfidës sulmuesi i kombëtares kuqezi theksoi se Pisa e Gennaro Gatusos bëri një ndeshje të mirë ndaj Torinos së Sinisa Mihajloviç. “Kemi vendosur në vështirësi për një pjesë të madhe të kohës Torinon, që është një nga skuadrat më të mira të Serisë A, rezultati në fund të takimit ishte i gënjeshtërt”, deklaroi për mediat Edgar Cani.
Sfida mes Torinos dhe Pisës, që ishte edhe një derbi shqiptarësh, përfundoi me rezultatin 4-0, me të gjithë golat që u shënuan pas përfundimit të kohës së rregullt. Kjo përballje shënonte debutimin e Ajetit në ndeshjet zyrtare me skuadrën “Granata”, që duhet pranuar vuajti jo pak për ta eliminuar Pisën, në radhët e së cilës Edgar Cani mbante edhe shiritin e kapitenit. Madje në minutën e 60-të një ndërhyrje e gabuar e Ajetit ndaj Canit u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari.
Duhet theksuar se që nga minuta e 77 Pisa luajti me një lojtar më pak, pasi Lazzarri doli nga fusha i dëmtuar, ndërkohë që Gatuso i kishte kryer të tre ndërrimet. Në minutën e 3-të të 15-minutëshit të parë Adem Ljajiç shënoi golin e parë, që e çliroi psikologjikisht Torinon. Më pas për skuadrën e Mihajloviç realizuan me radhë Maxi Lopez, Boye dhe Belotti. Në fazën e 1/8-ave Torino do të përplaset me Milanin.