BE: Fëmijët në plantacionet e drogës

376

Nga Ilir Sinanaj

Në muajin nëntor Shqipëria do të marrë përgjigjen nëse do të hapë apo jo negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Shumë media dhe politikanë thonë se po. Së fundmi ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur se sipas mendimit të tij duhen plotësuar disa kushte përpara se Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit në BE, duke folur për nevojën që Kryeministri Edi Rama të njohë gjendjen e problemit të kanabisit.
Ndërkaq nëse do t’u referohemi progres raporteve e BE-së ndër vite për Shqipërinë, vëmë re një konstatim tepër shqetësues nga ana e Bashkimit Evropian.
Bëhet fjalë për përfshirjen e fëmijëve në kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Kjo problematikë konstatohet për herë të parë në progres raportin e BE-së për Shqipërinë të vitit 2014 dhe rikonstatohet i përkeqësuar në atë të vitit 2015.
Në progres raportin 2014, në kapitullin 27 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” thuhet: “Përdorimi i fëmijëve për të mbjellë dhe korrur kanabis është një çështje që përbën shqetësim serioz”.
Në progres raportin 2015, në kapitullin 27 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, thuhet: “Numri i fëmijëve që punojnë në plantacionet e kanabisit përbën shqetësim serioz”. Vihet re se nga progres raporti (2014) në progres raport (2015) fjalitë, ku konstatohet përdorimi i fëmijëve për prodhimin e kanabisit janë pothuajse fotokopje të njëra-tjetrës.
Por me një ndryshim thelbësor!
Në progres raportin 2014 kemi përdorimin e fjalës “plantacion”, si edhe konstatimin se fëmijët nuk “përdoren për të mbjellë kanabis”, por “punojnë në plantacione kanabisi”! Kujdes plantacione është në shumës.
Këto konstatime të progres raporteve të BE-së për Shqipërinë janë mëse tronditëse dhe lind pyetja: A i kanë lexuar ndonjëherë qeveritarët tanë këto raporte? Dua të besoj se nuk i kanë lexuar, pasi ajo që po ndodh, nëse do t’u referohemi këtyre burimeve të BE-së, me fëmijët e shqiptarëve është alarmuese. Nëse qeveritarët tanë do t’i kishin lexuar progres raportin 2014 dhe vepruar nuk kishte se përse të konstatohej “punësimi i fëmijëve në plantacione kanabisi” në progres raportin e vitit 2015. Por mos ndoshta nuk cilësohet si problem kjo gjë nga qeveria? Nga ana tjetër lind pyetja, po Lëvizja Socialiste për Integrim, që pretendon se e ka kauzë integrimin e Shqipërisë në BE, pse ka qëndruar kaq e “heshtur” për “punësimin e fëmijëve në plantacionet e kanabisit”, sipas konstatimit të BE-së?