Ballkani Perëndimor me mirëqenien më të ulët në Europë

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguesit më të ulët për sa i përket mirëqenies. Shqipëria dhe vendet e rajonit renditen të fundit në Europë sipas studimeve nga The Boston Consulting Group (BCG).
BCG ka zhvilluar një nga mënyrat më të mira për të matur “mirëqenien e qëndrueshme” bazuar mbi 44 tregues të ndryshëm, të cilët janë grupuar në tri grupe të mëdha. Ky institut e mat mirëqenien duke u mbështetur mbi ekonominë, investimet dhe qëndrueshmërinë e një vendi.
Në renditjen europiane, në krye të klasifikimit janë vendet skandinave me 100 pikë, vendet e Beneluksit 95 pikë, Gjermania 93.6 pikë, si dhe Zvicra dhe Austria me përkatësisht 91.1 dhe 92.7 pikë.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet pas Serbisë me 50 pikë, ndërsa Maqedonia është në fund të klasifikimit me 42.9 pikë.
Në kontrast nga vendet e Europës Perëndimore, të cilat bëjnë pjesë në 10 vendet me treguesit më të mirë në botë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fund. Por, pse ka kaq shumë diferenca brenda një kontinenti?!
Norvegjezët janë të kënaqur me perspektivën e vendeve të punës, me cilësinë e shtëpive dhe ndihen të sigurtë në një vend ku krimi është i ulët. Ata e rendisin mjedisin si një prej faktorëve më domethënës të mirëqenies së tyre.
Gjermania, me 93.6 pikë, dominon vendet e bllokut qendror, të cilët gjithashtu kanë tregues të lartë në hartën e vendeve europiane. Popullsitë e vendeve fqinje si Austria, Zvicra, Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda plotësojnë listën e vendeve europiane më të dëshirueshëm për të jetuar.
Në raport, gjithashtu, citohet se mirëqenia është kryesisht e lidhur me pasuritë e një vendi dhe me normat e rritjes së PBB-së. Në këto drejtime, Shqipëria ka tregues të mirë të konvertimit të pasurisë në mirëqenie, ndërsa Kroacia, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina po konvertojnë rritjen ekonomike në mirëqenie, sipas studimit të BCG.