Aktori Andy Garcia: Vdiq një diktator, jo një ikonë revolucionare

Andy Garcia, i lindur në Havanë në vitin 1956, i natyralizuar si shtetas amerikan shumë vite më parë, thotë me një frymë: “Kuba dhe kultura e saj janë në AND-në time, janë thelbi i identitetit tim, por nuk i kam kursyer kurrë kritikat ndaj Castro-s. Kam thënë gjithmonë se Kuba është tradhtuar, mistifikuar, përdorur nga Fidel. Një diktator, jo një ikonë revolucionare”.

– Aktori (që ka cekur Çmimin Oscar me “The Godfather III”) ka xhiruar një film si regjisor, “The Lost City”, pikërisht mbi Kubën e Batistas dhe marrjen e pushtetit nga ana e Castro-s. Një sagë e frymëzuar edhe nga historia e familjes tuaj…
Isha 5 vjeç kur im atë vendosi që të emigrojë në Miami, si qindra mërgimtarë kubanezë. Për vite të tëra më ka frikësuar dhe më ka bërë të vuaj fakti që shikoja në shumë bluza fytyrën e Castro “shpëtimtarit”, kur në të vërtetë e ka shkatërruar ekonominë e vendit tim. E kam mbajtur për vite të tëra brenda vetes dhembjen e mërgimit të familjes time për faj të atij që, e përsëris, e kam konsideruar gjithmonë një luftëtar të keq.

– Çfarë kujtimi keni për babain tuaj dhe për arratinë në Miami në kërkim të një jete të re?
Im atë ka qenë një avokat i madh dhe një gazetar e mendimtar i lirë. Në Amerikë filloi të punojë si kamerier. I jam mirënjohës për kurajon e tij dhe pse na ka dhënë të gjithëve ne fëmijëve vlerën më të vërtetë të lirisë dhe vetëdijen e shumë bashkëpatriotëve tanë disidentë të hedhur në fund të detit, pasi janë vrarë dhe kanë vuajtur nëpër burgje. Castro ishte i verbuar nga idetë e tij dhe asnjë revizionizëm historik nuk do të më bëjë që të ndërroj ide.

– A jeni ndjerë ndonjëherë një njeri i përkëdhelur i fatit?
Mund të them vetëm se e gjithë jeta ime është shënuar nga nostalgjia për Kubën. Kurrë për vendin tim nuk jam ndjerë i përkëdhelur nga fati. Nuk kam besuar kurrë në këtë revolucion. Mendoj se për vite e vite me radhë Kuba ime e shkëlqyer është bërë një vend hamletian dhe i plagosur për faj të dy regjimeve, atij të Batistas dhe atij të Castro-s.

– Sa e konsideroni veten amerikan e demokratik dhe sa kubanez e konservator?
Nuk më pëlqejnë këto etiketa, megjithatë shpirti më i vërtetë i Kubës ka kërkuar gjithmonë lirinë. Presidenti Obama ka kujtuar shumë herë me të drejtë fjalët e poetit kubanez Josè Martí: “Liria është kushti bazë për çdo njeri që dëshiron të ndjehet dhe të jetë i ndershëm”.

– Ju keni denoncuar në televizion ata që i keni quajtur “masakrat e Castro-s”…
Kanë shkaktuar ndarje ideologjike në gjenerata të ndryshme. Ëndrra e revolucionit, më shumë për keq sesa për mirë, ka shënuar shumë identitete. Shumë të rinj janë vrarë për këtë. Kam refuzuar shumë komente kur Obama me një të ashtuquajtur “erë të re” vendosi që të rivendosë marrëdhëniet midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara pas bisedave me Raul Castro dhe kam heshtur lidhur me disa apele të Papa Françeskut.

– Çfarë do të doni të thoni sot?
Atë që kam përsëritur gjithmonë: do të kthehem në Kubë kur të marrë fund regjimi dhe populli im nuk do të jetë më i shtypur. Amerika më ka ofruar lirinë, do t’i jem përgjithmonë mirënjohës.

– Shumë mendojnë ndryshe, edhe midis “latinos”-ve në Florida apo në California…
Shpresoj që të afrohet liria për popullin kubanez, por degëzimet e pushtetit të Castro-s janë të pafundme. Edhe pse jemi larg nga vitet gjashtëdhjetë që me pa të drejtë e kanë idealizuar Fidel, duke e transformuar në një lloj Robin Hood.
(Nga “Corriere della Sera”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA