A mund Europa ta mbrojë veten?

Judy DEMPSEY

Duket se kohët e fundit kjo është një pyetje që po i shqetëson shumë ekspertët e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Përgjigjja është po aq e rëndësishme, pasi do të përcaktojë rolin e Europës në botë.

Davide Borsani, studiues i çështjeve strategjike dhe të sigurisë në Institutin italian për Studime Ndërkombëtare Politike
Shumica e liderëve politikë europianë nuk e kanë mirëpritur me entuziazmin e duhur fitoren e Donald Trumpit, kryesisht për shkak të tendencës së tij drejt izolimit, gjë që kërcënon të ndryshojë dramatikisht politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Europë, e cila vazhdon të jetë e njëjta që në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana tjetër, situata aktuale politike ofron potencialisht një mundësi unike për Bashkimin Europian që të rimendojë rolin e saj të mbrojtjes dhe të rrisë kapacitetin për të vepruar në mjedisin strategjik global në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër, realiteti duket krej ndryshe nga retorika. Që në fund të viteve 1950, kur projekti ambicioz i Komunitetit të Mbrojtjes Europiane dështoi, Bashkimi Europuan e ka pasur të pamundur të krijojë një kornizë të përbashkët për të krijuar pavarësi ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Mungesa e vullnetit të fortë politik për të rritur shpenzimet ushtarake dhe për të pajtuar interesat e ndryshme kombëtare të vendeve e kanë bërë pothuajse të pamundur krijimin e një alternative europiane ndaj hegjemonisë amerikane dhe NATO-s, që kanë përfaqësuar makinerinë e vetme për të siguruar deri më sot sigurinë europiane. Kështu, nëse Shtetet e Bashkuara vërtet tërhiqen nga angazhimet ushtarake në Europë, do të linin pas një vakum që Bashkimi Europian, në kushtet aktuale, e ka të pamundur të mbushë. Në këtë kontekst, ky skenar do të sillte rreziqe më shumë se mundësi për sigurinë europiane.

Frances Burwell,
Zëvendëspresident i Bashkimit Europian dhe iniciativave speciale të Këshillit Atlantik

Me administratën e presidentit Trump në horizont, pyetja nuk është nëse Europa mund ta mbrojë vetveten apo jo, por se çfarë duhet të bëjë Europa për të qenë një aktore më e pavarur dhe më e fuqishme, më pak e strukur pas Shteteve të Bashkuara. Pjesa europiane e NATO-s nuk do të jetë e aftë të mbrojë kufijtë lindorë nga sulmet tradicionale ushtarake, por një sulm i tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë. Skenari më realist është lufta hibride, trazirat civile, fushata e keqinformimit, sulmet kibernetike, madje edhe terrorizmi.
Në këtë mjedis, Europës i nevojiten burime ushtarake, por koherenca politike do të jetë akoma më e rëndësishme. Nuk duhet të ketë përçarje në Europë rreth natyrës së kërcënimit, madje edhe për kohën kur sulmi kërkon një kundërpërgjigje. Arsenali duhet të përfshijë një fushatë të fuqishme antipropagande duke filluar që tani, forca të mbrojtjes civile të afta për të pikasur dhe zbutur trazirat e brendshme, me aftësinë dhe fuqinë ligjore për të identifikuar shkaqet dhe autorët e eventeve të tilla; një kapacitet i fortë i mbrojtjes kibernetike; si dhe një bashkëpunim gjithpërfshirës kundër të gjitha formave të terrorizmit.
Së fundi, Europa nuk duhet të presë trazirat dhe konfliktet që të arrijnë në qytetet e saj. Një fushatë e plotë informimi duhet lëshuar drejt Rusisë, me qëllim që të gërryejë mbështetjen popullore për aventurat agresive të Vladimir Putinit. Europa duhet të marrë në dorë kundërsulmin, jo të presë ta bëjnë Shtetet e Bashkuara.

Fraser Cameron
Drejtor i Qendrës EU-Asia

Sigurisht që Europa duhet të jetë e aftë të mbrojë veten, por në fund gjithçka varet nga vullneti politik. Shumica e europianëve kanë qenë mëse të kënaqur të strehohen nën çadrën e sigurisë amerikane gjatë 50 viteve të fundit. Shumica e europianëve e kanë injoruar paralajmërimin e ish-sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates në vitin 2011, kur tha se Europa duhet të bëjë më shumë nga ana e saj, përndryshe angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj nenit 5 të NATO-s, lidhur me mbrojtjen e përbashkët mund të vihet në dyshim.
Refuzimi kokëfortë i europianëve për të mbrojtur veten siç duhet ka pasur efektin veçanërisht të dëmshëm për Europën, pasi e ka lënë pa asnjë talent të mendimit strategjik. Shtetet e Bashuara e kanë detyruar Europën të marrë pjesë në luftëra që nuk i përkisnin – Vietnam, Irak dhe Afganistan – dhe herë të tjera janë tërhequr nga ndërhyrja e planifikuar fillimisht për shtete individuale europiane.
Zgjedhja e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara duhet të shërbejë si orë zgjimi për Europën. Rajoni duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të bjerë dakord për politikën e mbrojtjes së tyre. Ka disa shenja inkurajuese se liderët e BE-së kanë filluar të ndërgjegjësohen se drejtuesi i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk është duke bërë shaka kur e përshkruan NATO-n si një institucion të kotë dhe i bën thirrje aleatëve të bëjnë pjesën që u takon. E vetmja mënyrë për ta bindur Trumpin që ta rimendojë qasjen e tij është përmes përpjekjeve të BE-së për të shpenzuar më shumë mbi sigurinë, të veprojë më shumë në këtë fushë dhe të demonstrojë vullnetin politik që duhet për të marrë vendime. Si gjithmonë, kjo do të varet nga mënyra se si do të përgjigjet Berlini.

Paul Cornish
Kryestrateg i Cityforum në Londër

Sigurisht që Europa mund ta mbrojë veten. Sigurisht që Europa mund ta bëjë rajonin më të sigurt, por vetën nëse është e gatshme të shfrytëzojë burimet e nevojshme për këtë. Në këtë pikë, ushtria e Bashkimit Europian që shumë ekspertë kanë kërkuar, mund të fillojë të shndërrohet nga një projekt “spostimi” të forcave ushtarake, në një realitet konkret.
Siguria europiane ka hyrë në një periudhë të trazuar. Ka nga ata që thonë se fjala “kërcënim” është tepër e ekzagjeruar për të përshkruar mjedisin bashkëkohor, si një përpjekje për t’u rikthyer në gjuhën dhe rreziqet e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, komentatorët duhet të paktën të pranojnë faktin se Europa është duke u sfiduar – politikisht, diplomatikisht, ushtarakisht, territorialisht, ekonomikisht, në fushën kibernetike dhe në sigurinë njerëzore. Më pas kemi edhe sfidën e brendshme për të cilën Europa ka qenë e ndërgjegjshme prej dekadash, por që ka zgjedhur të injorojë: kur bëhet fjalë për siguri kombëtare dhe rajonale, nuk ka para në qarkullim, të paktën jo para që vijnë nga Europa.
Pasi kanë shfrytëzuar për dekada të tëra sponsorizimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen dhe sigurinë europiane, është tepër ironik fakti që disa qeveri në Europë nuk janë tronditur nga rëndësia dhe kompleksiteti i sfidave të sigurisë së rajonit, por nga perspektiva e ndërprerjes së këtij sponsorizimi kur Donald Trump të ulet në Zyrën Ovale.

Michael Leigh
Ekspert i Fondit Marshall të Shteteve të Bashkuara në Gjermani

Dy tipare të programit të hamendësuar të presidentit Donald Trump që kanë nervozuar disa nga aleatët europianë janë afrimi me Rusinë dhe kërkesa që europianët të bëjnë më shumë për të mbrojtur veten. Një luftë e re e ftohtë nuk është aspak në interesin e Europës dhe as të Shteteve të Bashkuara, edhe pse tensionet kanë prodhuar njëfarë uniteti transatlantik.
Presidentët e ri zakonisht e eksplorojnë mundësinë e bashkëpunimit me Rusinë dhe pretendojnë se kanë një kapacitet unik për t’u marrë vesh me kundërpalën ruse. Trumpi e bën këtë, njëlloj si çdo gjë tjetër, në mënyrën më ekstravagante. Por liderët europianë duhet të këmbëngulin që dialogu me Rusinë të shoqërohet me përmbajtje. Ata duhet të kundërshtojnë çdo lëvizje për të legjitimuar aneksimin e Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014.
Aleatët e NATO-s janë zotuar të rishqyrtojnë rënien e shpenzimeve të tyre buxhetore për mbrojtjen në shtator të vitit 2014 gjatë samiti të NATO-s në Wales. Trumpi tani kërkon që ata të mbajnë premtimet e tyre. Vendet anëtare duhet të plotësojnë detyrimin e shpenzimit të 2% të GDP-së për sigurinë dhe mbrojtjen, pavarësisht shtrëngimeve fiskale, për t’i treguar Washingtonit dhe Moskës se janë të gatshëm t’i kundërpërgjigjen agresioneve. Europianët mund të forcojnë bashkëpunimin e tyre për armatimet, sigurinë kibernetike, kundërterrorizmin, paqeruajtjen specifike, ndihmat humanitare dhe misionet. Por Bashkimi Europian nuk mund ta zëvendësojë NATO-n si forca kryesore që siguron mbrojtjen territoriale në rajon.

Sten Rynning
Profesor i Qendrës së Studimeve të Luftës në Universitetin e Danimarkës

Europa, pa aleancën atlantike do të ishte në telashe të mëdha. Në një skenar të tillë, Europa do të kthehej në objektin e politikës së balancimit të pushtetit. Pas votës së 23 qershorit për të lënë Bashkimin Europian, Britania po pretendon se çelësi për të influencuar është aftësia për të projektuar pushtetin kombëtar, kur në fakt është aftësia për të caktuar një qendër të përbashkët graviteti politik. Kjo është strategjia e Gjermanisë. Është strategjia e duhur, por sfidohet në dy mënyra thelbësore.
Së pari, partneriteti thelbësor ndërmjet Gjermaninë dhe Francës nuk është i fortë sa duhet. Franca është në luftë kundër terroristëve islamistë, është treguar e paduruar me një sërë investimesh të shumta institucionale që Gjermania favorizon. Rezultati është zbehja e vullnetit për të bashkëpunuar në frenimin e armiqve.
Së dyti, kundërshtarët e Europës nuk frenohen lehtë. Rusia është tepër e fuqishme dhe kokëfortë, ndërsa terroristët islamistë janë të gatshëm të absorbojnë më shumë dhembje nga sa europianët pretendojnë se mund t’u shkaktojnë. Kështu, Gjermania dhe Franca do të duhet të sakrifikojnë vendet baltike për të akomoduar Rusinë, ndërkohë që lufton me sa mundet kundër terrorizmit. Qendra gjermano-franceze ka pak gjasa t’i rezistojë këtyre rrethanave dhe balanca e pushtetit do të vihej në rrezik. Kjo nuk do të thotë se do të shkaktoheshin luftëra të mëdha, por do të ishte fundi i Europës si një objekt mbrojtjeje.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI