4 të vdekur brenda 24 orësh në Fier, mes tyre dhe një 14-vjeçar

4 persona kanë ndërruar jetë në Fier gjatë 24 orëve të fundit në ngjarje të ndryshme. Burime nga policia thanë se, një 48-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa ka qenë në palestër, ndërsa një 14-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se të gjitha vdekjet janë prej shkaqeve natyrale, ndërsa mes tyre është vetëm një i moshuar, 88 vjeç.
Burime nga policia thanë se në lagjen “Kryengritja”, në banesë, ka vdekur 55-vjeçari me inicialet J. Xh. Nga hetimet rezultoi se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Po dje, në fshatin Seman, në banesë, ka vdekur 14-vjeçari me inicialet F. V. Nga veprimet e kryera rezultoi se, vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Ndërsa gjatë rrugës për në spital, ka vdekur 88-vjeçarja me inicialet M. Y., banuese në fshatin Kreshpan.
Ndërsa në lagjen “16 Prilli”, gjatë stërvitjes në palestër, ka vdekur 48-vjeçari me inicialet A. Ç, 48vjeç, banues në Fier. Edhe për këtë person, policia thotë se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Pesë makina përplasen në autostradë, 5 të plagosur
Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor në autostradën Rrëshen-Kalimash, në afërsi të tunelit të Thirrës në Mirditë. Policia bën me dije se 5 automjete janë përplasur konkretisht dy mjete tip “Benz”, një me targa AA 350 BD dhe tjetri me targë AA 621 T, njëri prej të dyve mjet i shërbimit taksi.
Në përplasje janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, një “Mitsubish” dhe dy “Audi A3”, njëri prej të cilëve nga Kosova. Si pasojë e përplasjes, 3 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar në Qendrën e Traumës në Tiranë, ndërsa 2 të tjerët, të identifikuar si Mark Gjeka dhe Riza Peca, drejtues të dy mjeteve tip “Benz”, ndodhen në Spitalin e Rrëshenit jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të njërit nga mjetet, si pasojë e terrenit të rrëshqitshëm, pas reshjeve të dëborës.