2 pista avionësh droge në Gjirokastër, “mushkonja” tenton të ulet në Shkodër

358

Zbulohen dy pista të tjera të avionëve të drogës në Jug të Shqipërisë. Gazetari Artan Hoxha ka publikuar dje fotot e dy pistave avionësh të vegjël në Gjirokastër që janë përdorur për trafik droge. Sipas Hoxhës, këto pista ndodhen në Jug të vendit dhe se ato janë përdorur më parë nga piloti veteran italian, Guido Andrea Guidi, i cili u rrëzua më 15 shtator 2016, ndërsa inauguronte pistën e re në grykëderdhjen e lumit Ishëm. Gazetari Hoxha shkruan se, njëra pistë gjendet në fushën e Çajupit, ndërsa tjetër në fushën e Kardhiqit në Gjirokastër.
“‘Xhungël’ sjell pamje ekskluzive nga dy pista të përdorura për avionët e narkotrafikut në Jug të vendit. Menjëherë pas investigimit të ‘Xhungël’, policia merr masa urgjente dhe nxjerr jashtë funksionit të dyja pistat. Për më tepër këto dy pista janë përdorur më parë nga piloti veteran italian, Guido Andrea Guidi, i cili u rrëzua më 15 shtator 2016, ndërsa inauguronte pistën e re në grykëderdhjen e lumit Ishëm”, shkruan Hoxha.
Hoxha tha se, bashkë me grupin e xhirimit për 1 muaj e gjysmë është bërë identifikimi i 2 pistave të përdorura më parë nga Guido Guidi. “Për gati 1 muaj e gjysmë kemi mundur të bëjmë identifikimin ku ndodhen këto pista, për çfarë janë përdorur, a i plotësojnë parametrat. Sot bëhen 46 ditë nga momenti kur Guido Guidi ngecën në pistën e sajuar të Ishmit. Ai ka qenë aty për ta inauguruar këtë pistë. E mbani mend zhurmën e madhe që u bë më 15 shtator, pastaj çfarë ndodhi gjatë asaj pasditeje, në mbrëmje, shoqërimi im nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ky është një nga rastet tipike kur thuhet çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Gjithë kjo në 1 muaj e gjysmë na ka bërë që të përfshihemi”, tha Hoxha.

Pista e Çajupit

Gazetari Hoxha përshkroi me detaje pistën e Çajupit, aty ku sipas burimeve të tij, janë ulur avionë për t’u ngarkuar me drogë që nga viti 2013. “Njëra pistë është në zonën e Malit të Çajupit, mbi 120 metra lartësi. Zona ka një rrugë të asfaltuar, atje mund të shkosh me çfarëdolloj mjeti, fushë e rrethuar me male. Për të shkuar tek qafa e Çajupit, makina ngjitet dhe pastaj zbret deri aty. Kjo është pamja fiks. Fusha është cilësisht më e mirë se ajo e sajuara në grykëderdhjen e Ishmit. Aty nuk ke valë celulari. Në krahun e djathtë të saj ka kanale kulluese, kurse pjesa tjetër është me bar natyral të paprekur, nuk është punuar më që nga kohërat e komunizmit. Pista ka gjatësi prej 1 km e gjysmë”, shprehet ai.

Pista e Kardhiqit

Gazetari Hoxha ka dhënë informacione të detajuara edhe për pistën e dytë të përdorur nga trafikantët në Kardhiq. Ai tha se bëhet fjalë për një rrugë, dikur e nisur për të shkurtuar distancën mes Gjirokastrës dhe Sarandës, e cila ka një gjerësi të konsiderueshme rreth 14 metra dhe me gjatësi rreth 1.5 km. Hoxha theksoi se kjo pistë është e mbrojtur nga vëzhgimi dhe nuk duket nga rruga kryesore.
“Bëhet fjalë për pistën e Kardhiqit, për trafik të lëndëve narkotike. Është një rrugë mjaft e gjerë. Është nisur për të qenë një autostradë që të lidhte Tepelenë-Gjirokastër me Sarandën, më e shkurtër. Është rrugë pa krye deri në fshatin Kardhiq. Kjo rrugë është 13-14 m e gjerë dhe gati 1.5 km e gjatë, është përdorur për uljen e avionëve të vegjël për transportin e lëndëve narkotike. Ka një pjerrësi të vogël, por lugina është mbyllur, është larg nga rruga nacionale dhe me sy të lirë je i mbrojtur. Është një vend që ofron të gjitha mundësitë për uljen e avionëve edhe pa u vënë re. Të dyja këto pista janë përfolur edhe në Kuvend se janë përdorur. Ka patur raporte të SHISH dhe policisë kriminale që ky destinacion dhe tjetri janë përdorur. Grupet e narkotrafikut që kontrollojnë linjat ndërkombëtare të trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, kanë përdorur këto pista”, tha Hoxha.
Ndërsa ai shtoi se pas grupi i “News24” ishte në vendngjarje, drejtuesit e policisë Gjirokastër kanë dërguar mjete bujqësore dhe e kanë bërë fushën në malin e Çajupit të papërdorshme nga avionët. “Menjëherë pasi grupi i ‘News24’ ka shkuar në këto zona, ne kemi kontaktuar edhe me drejtues të policisë dhe shërbimit inteligjent të zonës, me banorë dhe dëshmitarë, një ditë më pas ka patur një reagim të menjëhershëm. Drejtuesi i Policisë së Qarkut Gjirokastër pas vënies në dijeni për ekzistencën e një piste të tillë, ka ndërhyrë dhe një ditë më pas në pistën e Çajupit është dërguar një mjet që ka hapur kanale në mënyrë që ta bënte të papërdorshëm. Nuk mund të shërbejë më për uljen e mjeteve të fluturimit”, u shpreh ai.
Tani që është vala e trafikut të kanabisit drejt Italisë, avionët e drogës shfaqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Gjatë tri ditëve të fundit, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë, Berat dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Dy ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar mesazhet e qytetarëve nga Durrësi, Fieri, Lushnja, Divjaka e Belshi.

Si e kontrollon qeveria tregun e kanabisit

Kultivimi i kanabisit në të gjithë vendin jo vetëm që bëhet me lejen e qeverisë, por zyrtarët e lartë kontrollojnë edhe tregun e shitjes së tij. Një kultivues kanabisi i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, mirë që çmimin e kanabisit e ulën këta të qeverisë, por kërkojnë edhe 30 euro për një rrënjë kanabisi. Sipas tij, i gjithë populli po punon në parcelat me kanabis për të mbushur xhepat e pushtetarëve. “Kanabisti dixhital denoncon: Kontrollin qeveritar të tregut të kanabisit në Kanabistan! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e një qytetari që merret me kultivimin e kanabisit.
“Përshëndetje z. Sali Berisha. Ka ra kilja e hashashit njëlloj me duhanin që prodhohet në Shkodër. Mirë që çmimin e ulën këto të qeverisë, por kërkojnë dhe 30 euro për 1 rrënjë ku me i ra llogarisë kaq është fitimi i një bime me këtë çmim që është në treg.
Kjo do të thotë që i gjithë populli shqiptar po punon për të pasuruar xhepat e këtyre kriminelëve në pushtet. Mos me i pagujt kemi frikë se na burgosin, na bëjnë presion në rrugë. Kemi frikë të ecim të lirë derisa t’i paguajmë, e lloj-lloj mënyrash të tjera. Kapin ato që s’kanë bukë të hanë e jua presin hashashin që ta nxjerrin në media.
Ky vit është thjesht një dështim për të gjithë ata persona që e shesin këtu në Shqipëri. Rroftë mundi që kemi bërë 6-7 muaj rresht ditë natë. Rroftë 200 kilogrami që morëm 200 euro kg = 40.000 euro. 25,000 euro kërkon shteti, 5 000 euro punëtorët, 3 000 euro fara dhe nja 1500 euro shpenzime të tjera. Që domethënë 5500 euro fitim për 6 muaj, turp, dështim total për ne, fitim marramendës për shtetin. Të lutem postoje”, përfundon mesazhi i qytetarit që merret me kultivimin e kanabisit.

Droga me avion, polici akuzohet vetëm për shpërdorim detyre

Prokuroria për Krime të Rënda mbyll hetimet dhe çon për gjykim 6 nga 14 të akuzuarit e një grupi kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike përmes ajrit. Grupi që drejtohej nga familjet Lamaj dhe Ahmetaj vepronte mes Shqipërisë e Italisë, u kap duke trafikuar me avion 128 kilogramë marijuanë nga fshati Kocul i Vlorës. Në episodin kriminal të goditur një vit më parë, mes 6 të arrestuarve në Shqipëri, ishte dhe një efektiv policie.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se efektivi i policisë i dyshuar si pjesë e grupit, Vladimir Zanaj do të gjykohet vetëm për shpërdorim detyre, pasi nuk u provua që ai të kishte bashkëpunuar me grupin për të fshehur apo për të penguar asgjësimin e kanabisit. Asokohe, Krimet e Rënda ndërsa patën zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe rolin e secilit prej anëtarëve në trafik, akuzonte efektivin e policisë se informonte bandën për kontrollet që i bëheshin parcelave nga policia.
“Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe efektivi i policisë së Qarkut të Vlorës, Vladimir Zanaj, i cili jepte informacion për kontrollet që i bëheshin parcelave me kanabis nga ana e policisë. Sokoli telefononte përdoruesin e një nr. telefonik xxxx422 duke e pyetur se kush kishte shkuar lart te parcelat. Sokoli i ka thënë se me kë duhej të fliste dhe personi që dyshohet se është punonjës policie ose i njohur i tyre, i ka thënë se do të interesohej ai. Më vonë nga ndjekja e përgjimeve ka rezultuar se përdorues i këtij numri telefonik ishte shtetasi Vladimir Zanaj, oficer  policie në D.P.Qarkut, Vlorë”.
Por tani në përfundim të hetimeve, organi i akuzës thotë se, Zanaj i kishte kushërinj të dyshuarit dhe ai ka shpërdoruar detyrën përsa kohë kishte informacion për veprimtarinë e tyre kriminale. Rolin më të rëndësishëm në këtë linjë të transportit ajror të drogës e kishin dy vëllezërit Sokol dhe Vilson Lamaj.

Një avion droge tenton të ulet në Shkodër

Një tjetër avion droge ka tentuar të ulet mesditën e djeshme në Shkodër. Lajmi është bërë i ditur nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha duke i dërguar edhe fotot. “Narkoflota në Kanabistan! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe disa foto ku duket një avion mbi qiellin e Shkodrës. Fotografitë janë dërguar nga një qytetar nga Shkodra. “Sot në orën 13:00 një tjetër avion droge ka tentuar të ulet në Shkodër”, shkruan qytetari nga Shkodra.
Avionët e drogës po shfaqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Vetëm ditën e premte, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Ish-Kryeministri Berisha publikoi të premten disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar edhe mesazhet e qytetarëve.
“Qielli me bullana mbuluar. sb”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar mesazhet e qytetarëve nga Durrësi, Fieri, Lushnja, Divjaka e Belshi.
“Mirëmëngjes Doktor. Kjo foto është bërë sot në fshatin Zharrëz të Fierit. Është një avion çarter, nuk duket edhe aq mirë se ishte në lartësi të madhe. Fotot janë bërë në orën 9:16 minuta”, shkruan një qytetar nga Fieri.
“Avionët e Saimir Tahirit plot me hashash nga zona e Divjakës dhe Vilbeshtova ulen dhe ngrihen çdo mbasdite mes dy kodrave në afërsi të pyllit të Bedenit. Respekte Doktor”, shkruan një qytetar nga Divjaka.
“Mushkonjat në Remë të Lushnjës”, shkruan një qytetar tjetër. “Avioni Durrës, Sektor “Rinia”.
“Mirëmëngjes Doktor. Mushkonjat e kanabisit janë kudo. Sot, janë parë të lëvizin disa herë në Belsh”, shkruan një qytetar nga Belshi.

R.POLISI