Vrasja e biznesmenit në Elbasan, viktima u qëllua nga një “polic”

Ekzekutimi i biznesmenit Erion Mihollari në Elbasan ka futur në një mister ngjarjen, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Asnjë pistë konkrete dhe asnjë i dyshuar, kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga vrasja, ndërsa viktima nuk rezulton asnjëherë i skeduar nga policia. Ekzekutimi i 37-vjeçarit dyshohet se u bë nga vrasës me pagesë. Dyshohet se njëri nga atentatorët ka qenë i veshur me uniformë policie, duke bërë të mundur largimin e tij, pa u pikasur nga dëshmitarët okular. Edhe pse grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të zonës ku ndodhi vrasja e emigrantit Mihollari, përsëri prej tyre nuk janë nxjerrë elementë të rëndësishëm që mund të identifikojnë autorët.
I sapo kthyer nga Italia, Erion Mihollari që ka në zotërim një kompleks në Elbasan është ekzekutuar me dy plumba vetëm pak metra larg banesës së të fejuarës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të shtunës, ku 37-vjeçari kishte ndaluar mjetin e tij shumë pranë stacionit të trenit, dhe ka shkuar tek banesa e të fejuarës së tij. Në momentin që ka qenë thuajse në dalje së hyrjes së pallatit, ai është goditur dy herë me plumba pistolete, ku nga dëshmitë dyshohet se kanë qenë dy persona.
Sipas dëshmive, e fejuara e tij ka qenë e vetmja që ka kuptuar se ndaj 37-vjeçarit është kryer atentat me armë zjarri. Në një moment, ai ka tentuar të çohet në këmbë, ndërsa një prej autorëve e ka parë dhe ka nisur ta qëllojë edhe me thikë. Edhe pse ai është transportuar menjëherë në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët, të cilët ndodheshin aty në momentin e krimit, ku mes tyre edhe bashkëshorten e tij, por deri më tani nuk ka një ide të qartë rreth autorëve të dyshuar të kryerjes se këtij krimi.
Vrasja e 37-vjeçarit duket se ka qenë e mirëorganizuar, pasi sipas rrethanave që është kryer krimi, kuptohet se viktima është mbajtur nën vëzhgim për shumë ditë deri sa u krye edhe atentati me pasojë vrasjen e tij.