U filmua duke marrë 18 mijë euro, “arrest me burg” për oficerin

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për oficerin e Prokurorisë së Tiranës, Fatos Lushi. Ai u filmua nga një qytetar, duke marrë rryshfet 18 mijë euro për të zhbllokuar një llogari bankare të ligjshme. Mbi Lushin, i cili është shpallur në kërkim që të mërkurën e kaluar, rëndon akuza e korrupsionit.
Video u transmetua në emisionin “Stop” në Televizionin “Klan” dhe aty shihet Fatos Lushi, i cili kërkon paratë në emër të prokurorit Ardian Braho. Më pas, qytetari paguan shumën e kërkuar për t’i liruar 120 mijë euro, të cilat i kishin mbërritur nga jashtë, për t’i investuar në Shqipëri.
Krahas hetimit penal, Prokuroria ka nisur dhe një hetim pasur për oficerin Lushi. Janë duke u verifikuar llogaritë bankare për të parë nëse justifikohen me të ardhurat mujore të tij. Në sitë po kalojnë dhe pasuritë e palujtshme të Lushit dhe familjarëve të tij të afërt. Ndërkohë, Prokuroria është në pritje të dëshmisë së biznesmenit, që ka paguar paratë, i cili prej kohësh jeton në Itali.