Spanja humbet Javi Martinez ndaj Shqipërisë

Spanja ka humbur një element të rëndësishëm për dy ndeshjet e radhës të eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018 kundër Italisë dhe Shqipërisë, teksa Javi Martinez është larguar nga grumbullimi i përfaqësueses së “La Furia Roja” për shkak të një dëmtimi. Lajmi është raportuar nga e përditshmja sportive spanjolle “Marca” sipas së cilës, futbollisti i Bayernit vuan nga një dëmtim muskular. Lopetegui menjëherë ka marrë masat, duke grumbulluar në kombëtare në vend të mbrojtësit të bavarezëve, Inigo Martinezin, që luan për skuadrën e Real Sociedadit.
Inigo është një futbollist që nuk e ka grumbullimin e parë, pasi ka luajtur dy ndeshje në të kaluarën me përfaqësuesen spanjolle, ku debutimin e ka patur në vitin 2013, në një miqësore të fituar nga iberikët 2-0 ndaj Ekuadorit përpara zhvillimit të Kupës së Konfederatave.