Situata e karburanteve, Shqipëria garë për taksim më të lartë direkt dhe indirekt

223

Tregtarët me shumicë të hidrokarbureve deklarojnë se nëse nuk rrëzohet vendimi që rriti me 50 herë tarifat për licencimin e një pike të re në çmimin final të konsumatorit do të shtohen edhe 4 lekë. Sipas “Tv Scan”, kjo kosto deri më tani është mbajtur nga vetë kompanitë, të cilat kanë kërkuar në Gjykatën Kushtetuese fillimisht pezullimin, por që kërkesa nuk u pranua.
E ndërsa kemi një listë me taksa direkte dhe indirekte që i janë shtuar kompanive të tregtimit të nafës dhe nënprodukteve të saj Shqipëria ka edhe taksimin më të lartë përmes TVSH-së.
Në faturën që i jepet konsumatorit, mbi çmimin final aplikohet edhe një vlerë 20 për qind që vlen për të gjitha mallrat. Por nuk ndodh e njëjta gjë me Kosovën, e cila nivelin e tatimit mbi vlerën e shtuar e ka 16 për qind apo Maqedoninë, e cila e ka këtë taksë 18 për qind. Mali i Zi në një vlerë më modeste, por sërish poshtë nesh me 19 për qind.
Sa më i lartë çmimi final që rezulton nga ngarkimi i detyrimeve aq më e lartë edhe TVSH-ja që arkëtohet në buxhet. Referuar zhvillimeve të tre viteve të fundit shihet qartë se kemi një garë me rajonin për taksimin direkt dhe indirekt, duke shtuar taksa të tilla si markim, skanim, licencim, të cilat do rrisin automatikisht TVSH-në e vjelur nga qytetarët në çmime më të kripura.