Schalke, vjen fitorja e parë në Bundesligë

Schalke regjistroi fitoren e parë në këtë sezon të Bundesligës gjermane, pas pesë humbjeve radhazi, duke mposhtur me shifrat 4-0 Borussia Mӧnchengladbach. Choupo-Moting zhbllokoi shifrat në të 52-ën, me një penallti të fituar nga ai vetë. Në gjashtë minutat në vazhdim, “blutë mbretërorë” mbyllën virtualisht sfidën. Goli i dytë u realizua nga Embolo në minutën e 56-të, me sulmuesin e Zvicrës që në zonë nuk e kishte të vështirë të shënonte.
Në të 58-ën, Goretzka trefishoi shifrat, pas largimit jo të mirë të portierit Sommer nga goditja e Choupo-Moting. Rezultati përfundimtar 4-0 u vulos nga Embolo, 6 minuta përpara fundit të lojës, me Schalken që kthehet të marrë frymë lirisht. Për Gladbach, disfata ishte një shans i humbur për të marrë vendin e dytë në klasifikim.
Në takimin e mëparshëm, Wolfsburg u frenua në barazim 0-0 nga Mainz. Një start sezoni zhgënjyes për “ujqërit”, të cilët vazhdojnë të vuajnë përpara portës, ndërsa 6 pikë në gjashtë ndeshjet e para nuk janë mjaftueshëm dhe pozitat e teknikut Hecking në stol kanë nisur të lëkunden. Me barazimin e marrë, Mainz ngjitet në kuotën e 8 pikëve, duke u afruar me zonën e kupave të Europës, që është vetëm 2 pikë larg.