Pseudonimi i Putin në KGB “Bishti Cigares”

Natalia Dvaly

Juri Shvec, ish-oficer i Drejtorisë së Parë Qendrore të KGB-së, i diplomuar në Institutin e Zbulimit të Jashtëm “Andropov”, tani analist amerikan i financave, në vitet 1980, në kulmin e “luftës së ftohtë”, ka qenë zbulues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka punuar nën maskën e korrespondentit të TASS-it (Agjencisë Telegrafike të Bashkimit Sovjetik), merrej me grumbullimin dhe me analizën e informacionit për ndonjë goditje të mundshme të papritur bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Bashkimit Sovjetik.
Në vitin 1990 atë e liruan nga shërbimi. Tre vjet më vonë, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku botoi librin me titull “Jetesa në Washington: Jeta ime si spiun i KGB-së në Amerikë”. 18 vjetët e fundit, ish-zbuluesi po drejton një firmë për grumbullimin e informacionit dhe për vlerësimin e rreziqeve tregtare të kompanive që planifikojnë të administrojnë një biznes shumëmilionësh, si në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe në mbarë botën, duke përfshirë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë.
Në intervistën ekskluzive, Juri Shvec ka rrëfyer sesi vite më parë, para fillimit të aktivizimit të operacioneve ushtarake në Donbas, ishte përpjekur të jepte ndihmën e tij “për të likuiduar separatistët e armatosur” dhe se çfarë përgjigjeje i kishte dhënë atij udhëheqja ukrainase. Ai ka shpjeguar, gjithashtu, se pse e vlerëson Putinin si një njeri me “aftësi poshtë mesatares” dhe “cilat janë dy shkresat që mjafton t’i nënshkruajë” Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, që ekonomia e Rusisë të marrë tatëpjetën. Zbuluesi Putin është marrë me budallallëqe: zbulonte dhe denonconte thashethemet e studentëve për profesorët, kurse në Republikën Demokratike Gjermane shtronte tryeza me të ngrëna e me të pira për shokët e rangjeve të larta që vinin nga Moska.

– A është e vërtetë që ju keni qenë shok klase me Vladimir Putinin në Institutin “Andropov” të KGB-së të Bashkimit Sovjetik?
Ky informacion është bërë i ditur në muajin maj të vitit 2001, në sajtin e Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm të Federatës Ruse. Në atë material thuhej se unë jam tradhtar, sepse unë po bëja publike gjëra demaskuese për KGB-në, kurse në kllapa thuhej:  “Në fillim të viteve ‘80 Juri Shvec ka qenë shok klase me Vladimir Putinin në Akademinë e KGB-së”.

– Por cila ishte arsyeja që shërbimeve sekrete ruse u lipsej demaskimi juaj pikërisht në vitin 2001?
Nuk e kam idenë. Me Rusinë passovjetike mua nuk më lidhte asgjë, unë asnjëherë nuk kam qenë qytetar i Federatës Ruse, unë madje as pasaportë ruse nuk kam patur. Në vitin 1993 u largova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse tre vjet më vonë botova librin me kujtime me titull “Rezidentura e Uashingtonit: jeta ime si spiun i KGB-së në Amerikë”. Sapo kujtimet e mia panë dritën e botimit, në Rusi filluan klithmat: se, demek, Juri Shvec paska zbuluar të gjitha sekretet. Për çfarë sekretesh ishte fjala, përderisa Bashkimi Sovjetik kishte kohë që ishte shpërbërë, KGB-ja asokohe nuk ekzistonte, kurse përfaqësuesi i KGB-së, Vladimir Krjuçkovi qe dergjur tashmë në burg se qe orvatur të kryente një grusht shteti në vitin 1991.

– Mos ndoshta klithmat shpërthyen për faktin se ju dini shumë gjëra për të kaluarën e Putinit si zbulues?
Putini nuk ka punuar asnjëherë në zbulim.

– Por në jetëshkrimin zyrtar të Presidentit të Federatës Ruse a nuk thuhet se ai ka shërbyer si kundërzbulues në Leningrad (tani Shën Petërsburg), kurse më pas në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ)?
Pas përfundimit të Institutit “Andropov”, Putinin e dërguan në organet territoriale dhe konkretisht, në Drejtorinë e KGB-së për Leningradin dhe për qarkun e Leningradit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të kuptuar “Kush është z. Putin?” dhe se çfarë po ndodh tani me Rusinë. Që të pranoheshe në Institutin “Andropov” të KGB-së së Bashkimit Sovjetik ishte një gjë jashtëzakonisht e koklavitur. Por po të pranoheshe, atëherë gjasat ishin 99,9% që ty do të të dërgonin të shërbeje në zbulim (me përjashtim të shokëve të republikave nga Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës dhe nga republika të tjera: ata i dërgonin në Moskë për përgatitjen e kuadrove kombëtare, kurse më pas shumë shpesh i kthenin mbrapsht). Por për Leningradin ndryshonte puna. Me mua kanë qenë shokë të institutit disa djem nga ky qytet, ata u emëruan në Drejtorinë e Parë Kryesore të KGB-së, drejtori kjo që përgjigjej për zbulimin e jashtëm, kurse Putinin nuk e emëruan atje.

– Pse?
Pavarësisht nga miti i përhapur, në zbulim emëroheshin jo vetëm Xhejms Bondët, se të tillët mund të numëroheshin me gishta. Masa kryesore e bashkëpunëtorëve të Drejtorisë së Parë Kryesore të KGB-së, përbëhej nga njerëz me aftësi mesatare analitike dhe me karakteristika të përshtatshme psikologjike. Fjala kyç që përdorej për karakterizimin e tyre ishte fjala “mesatar”. Fakti që Putinin e dërguan jo në zbulim, por në Drejtorinë e KGB-së në Leningrad, dëshmon se mes kolegëve, aftësitë e tij ishin poshtë mesatares.
Gjatë vazhdimit të studimeve në Moskë, Putini, si i ardhur nga një qytet tjetër, banonte në një objekt të mbyllur që ndodhej jashtë qytetit, thellë në pyll dhe të rrethuar me një gardh të lartë. Presidenti i ardhshëm i Federatës Ruse pati ndenjur atje 24 orë, shtatë ditë në javë gjatë gjithë vitit. Në Institutin “Andropov” studentët i pajisnin jo vetëm me dije, por edhe i studionin për të kuptuar nëse ata ishin të përshtatshëm për të punuar në zbulim ose jo. Studentin Putin gjatë një viti e patën studiuar në atë mënyrë, siç nuk e studion asnjë laborator në botë. Për t’u shprehur në një mënyrë figurative, mund të thuhet se atë e patën përshkuar me të gjitha rentgenët e mundshëm, duke ia kthyer të brendshmet nga jashtë dhe në përfundim, e nisën për të punuar në qarkun e Leningradit.

– Por ama në Bashkimin Sovjetik, qyteti i dytë për nga rëndësia, pas Moskës, ishte Leningradi. Pse ju shpreheni me kaq shpërfillje për shërbimin në kryeqytetin verior?
Drejtoria e Sigurimit për Leningradin dhe për qarkun e Leningradit ishte një zyrë tipike provinciale e KGB-së që nuk kishte asnjë dallim nga Drejtoria e KGB-së, për shembull, në Zhmerinkë ose në Berdiçevë. Sipas idesë që qarkullonte, bashkëpunëtorët duhej të gjuanin spiunët dhe të rekrutonin të vetët, por, në të vërtetë, me një gjë të tillë nuk merreshin, sepse në mbarë botën nuk kishte aq spiunë, sa kishte në Bashkimin Sovjetik njësi zbulimi territoriale. Kështu që në Leningrad zbuluesi Putin merrej me budallallëqe: zbulonte thashethemet e studentëve për profesorët, thashethemet e profesorëve për rektorët etj.

– Megjithatë, në vitin 1985, Presidentin e ardhshëm të Federatës Ruse e dërguan me punë në Gjermaninë Lindore, ku, sipas jetëshkrimit zyrtar, “ai kaloi me shërbim në një pikë zbulimi territorial në Drezden, nën maskën e detyrës së drejtorit të Pallatit të Miqësisë BRSS-RDGJ”, apo jo?
Në RDGJ nuk ka pasur rezidenturë të KGB-së dhe në bazë të urdhrit, KGB-ja nuk merrej me veprimtari zbuluese në territorin e vendeve socialiste, veçanërisht në RDGJ, e cila përfaqësonte njërin nga regjimet më miqësore të Bashkimit Sovjetik. Gjermanolindorët kishin një zbulim agjenturor të tyren të mrekullueshëm. Kryesorja ishte që atij të mos i nxirrje pengesa. Ata e kryenin vetë detyrën e tyre dhe i raportonin Moskës.
Rezidentura është një nënrepart konspirativ i zbulimit të një shteti në territorin e një shteti tjetër. Në RDGJ një gjë e tillë nuk ekzistonte, por ka qenë një përfaqësi zyrtare e KGB-së në Berlin, në Drezden dhe me sa mbaj mend, edhe në një qytet tjetër. Pse? Në kohën e Bashkimit Sovjetik, dalja jashtë shtetit ishte një ngjarje e shënuar për çdo qytetar sovjetik. Dhe KGB-ja, për bashkëpunëtorët e nënreparteve territoriale, organizonte këtë “festë të jetës”. Oficerin e KGB-së e dërgonin për disa vjet në RDGJ, ku ai dridhte zinxhirin dhe kthehej në atdhe me një aparat fotografik me lenten “Karl Cejs” dhe me një takëm tryeze “Madona”. Këto dy gjëra standarde ishin praktikisht rezultati i tij i vetëm i “veprimtarisë së tij zbuluese” në RDGJ.  Me të njëjtat gjëra është marrë edhe Putini. Si drejtor i Pallatit të Miqësisë BRSS-RDGJ, ai kishte për detyrë të shtronte tryezat për shokët e rangjeve të larta që vinin nga Moska, t’i qeraste me të ngrëna e me të pira, t’u blinte gjësend nëpër shitoret e qytetit, të shtronte përsëri tryezat, t’i përcillte për në aerodrom dhe t’i niste për në Moskë. Ja, kjo ka qenë gjithë puna “zbuluese” e Putinit në RDGJ.

– Ju po ngulni këmbë se Putini i kohës së shërbimit në KGB aftësitë i kishte poshtë mesatares dhe se me zbulim të vërtetë ai nuk qenka marrë asnjëherë?…
Nuk jam unë ai që po ngul këmbë, por jetëshkrimi i tij i rremë profesional. Vetë fakti që Putinin, pas Institutit “Andropov” e rikthyen në Leningrad, është mjaft domethënës. Gjatë vazhdimit të institutit, atë e studiuan dhjetëra pedagogë dhe instruktorë profesionistë dhe secili prej tyre, pas përfundimit të studimeve, shkruante për çdo student karakteristikën përkatëse. Unë kam lexuar disa nga ato karakteristika: ato ishin tronditëse për nga thellësia e përshkrimit të aftësive intelektuale dhe psikologjike të studentëve të diplomuar. Meqë ra fjala, a e dini se sa shumë dëshmon për njeriun nofka e tij? Në KGB Putinin e quanin “Bisht Cigareje”.

– Por megjithatë, në dallim nga shokët më të talentuar të klasës, pikërisht Putini është ai që drejton pa ndërprerje njërin nga shtetet më të mëdhenj të botës, apo jo?
Pikërisht për këtë arsye u ngrit në pozitë se, në këtë mes kemi të bëjmë me një traditë tashmë të kristalizuar të sistemit politik, deri dje sovjetik dhe tani rus, kur në sipërfaqe dilnin… mbeturinat. Si shpjegohet që në vitin 1953 Nikita Hrushovin e emëruan Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik? Se ai ka qenë një njeri absolutisht i neveritshëm, një njeri që bënte për të qeshur Stalinin. Por atë e emëruan si kukull, prapa shpinës të së cilës rrinin njerëz seriozë.
Leonid Brezhnjevin, si një njeri i butë dhe mendjeshkurtër që ishte, po ashtu, e vunë përkohësisht në krye të Bashkimit Sovjetik. Pas nja dy vjetësh atë duhej ta zëvendësonte njeriu me mend, “Shuriku i hekurt”, Aleksandër Shelepini. Por të gjithë kishin nevojë për një kukull: se, gjoja, do t’ia mbledhim fijet dhe pas nja dy vjetësh do ta shkarkojmë. Si përfundim, ato dy vjetët u bënë tërkuzë deri në 18 vjet të epokës brezhnjeviane.
E njëjta histori po ndodh edhe me Putinin. Atë e zgjodhën si një kukull të bindur, e cila, në postin e kreut të Federatës Ruse, duhej t’u garantonte sigurinë dhe kuletën atyre që u zuri vendin. Unë kam komunikuar me Boris Bjerezovskin, i cili ka luajtur një rol jo të vogël që Putini të bëhej President. Borisi më ka thënë: “Më jepni një kanal televiziv dhe trungun kam për ta bërë President të Rusisë”. Ja kjo është e tërë përgjigjja se si Putini u bë President.

– Në Rusinë e ditëve të sotme a është e mundur vallë një përmbysje, e cila do ta largonte Putinin nga pushteti?
Është plotësisht e mundur, aq më tepër kur “elitave” të Kremlinit po u dëmtohet biznesi për shkak të sanksioneve perëndimore. Ato as që duan t’ia dinë as për Krimenë, as për Donbasin. Konflikti kryesor strategjik tani është konflikti mes pikësynimit të Putinit për të qëndruar në pushtet deri në gurin e varrit dhe kërkesave objektive të vendit për një zhvillim normal. Në qoftë se Putini do të vazhdojë të rrijë në krye të pushtetit derisa të jetë gjallë, atëherë Rusia ose do të shpërbëhet, ose do të shndërrohet në një shtet të dorës së tretë, si puna e Koresë së Veriut ose e Mongolisë.

– A nuk ju duket se elitat e Kremlinit i frikësohen më shumë rebelimit popullor, sesa sanksioneve perëndimore dhe prandaj nuk përpiqen të kryejnë një grusht shteti?
Përgjigje: Kjo është një sëmundje e rrënjosur e “elitës” moskovite. Në prag të shembjes së Bashkimit Sovjetik, te ne në KGB, çdo javë vinte një punonjës partiak i radhës nga Komiteti Qendror dhe na thoshte: “Që ta merrni vesh, djema, ju duhet të na ndihmoni të rrimë në pushtet, përndryshe ka për të filluar një rebelim i pakuptimtë dhe i pamëshirshëm. Atëherë edhe ju, edhe neve kanë për të na varur nëpër shtyllat e fenerëve të rrugës, si në Budapest, gjatë kryengritjes antisovjetike të vitit 1956”.

– Sa e madhe është mundësia që Putini të shtypë butonin e luftës bërthamore?
Është zero. Unë, në kulmin e “luftës së ftohtë” mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, profesionalisht jam marrë me problematikën strategjike, kur rreziku i luftës bërthamore ekzistonte realisht. Ç’do të thotë të fillosh një luftë bërthamore? Do të thotë që të japësh goditjen e parë, e cila ka si qëllim të shfarosë maksimalisht një sasi sistemesh raketore të kundërshtarit me bazë tokësore dhe kur, si kundërpërgjigje, do të nisen drejt teje raketat e tjera, ato është e domosdoshme t’i rrëzosh në ajër me mjetet e tua të mbrojtjes raketore. Bashkimi Sovjetik nuk e ka pasur asnjëherë potencialin e goditjes së parë raketore, Rusia jo e jo.

– Sipas të dhënave zyrtare të shtatorit të vitit 2015, në arsenalin e Federatës Ruse kishte rreth 3 mijë mbushje bërthamore, kurse në burimet jozyrtare përmendet një shifër më e madhe se 50 mijë, apo jo?
Struktura e raketave ruse me bazë tokësore është e tillë që përafërsisht gjysma e mbushjeve bërthamore është e instaluar në raketat SS-18 ose “Satana”, të prodhuara në byronë e konstruksionit “Jugorja” në Dnjepropetrovsk. Ato janë prodhim i viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Atje ka afërsisht nga 10 mbushje bërthamore për çdo raketë, por ato nuk e kanë saktësinë e domosdoshme. Raketat janë parashikuar të japin goditje në sipërfaqe, por jo në objektiva të saktë. Domethënë, raketat ruse mund t’i fshijnë nga faqja e dheut Nju Jorkun, San Franciskon dhe qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por pas kësaj do të vijë një kundërgoditje, e cila do ta fshijë nga faqja e dheut krejt Rusinë.
Faktor i rëndësishëm kritik për të marrë vendimin “për të dhënë ose jo një goditje bërthamore”, është fakti se me çfarë saktësie raketa jote do të bjerë në objektiv. Raketat sovjetike dhe tani ato ruse, dallohen për faktin se saktësinë e kanë të dobët. Për më tepër, saktësinë reale të goditjes së tyre nuk e di askush, sepse një ndikim të madh mbi trajektoren e fluturimit të raketës ushtrojnë veçoritë atmosferike të asaj zone, nëpër të cilën ajo po shkon drejt objektivit. Është tjetër punë kur bëhet prova e një rakete, e cila fluturon nga poligoni lindor sipas një korridori të caktuar me veçori të njohura atmosferike. Por edhe nëse do të jepet goditja bërthamore, atëherë raketat do të fluturojnë sipas trajektores më të shkurtër, domethënë përmes hapësirave të Polit të Veriut dhe si përfundim, askush nuk e di se ku do të arrijnë ato, sepse prova të tilla deri tani nuk janë bërë.
Madje edhe sikur Putini të luajë mendsh përfundimisht dhe të vendosë të shtypë butonin bërthamor, shokët do ta korrigjojnë shpejt e shpejt dhe do t’i shpjegojnë gjithçka. Presidenti i Federatës Ruse nuk i njeh këto punë. Në filmin dokumentar me titull “Krimeja – Rruga për në atdhe”, Putini mburret se si “kishte trembur” një torpedinier të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Detin e Zi: pra, ne rreshtuam në formacion të hapur kompleksin e mbrojtjes bregdetare dhe e zbuluam atë për satelitët, në mënyrë që amerikanët ta shikonin dhe të tmerroheshin.
Por pse nuk doli askush që t’i shpjegonte Putinit një hollësi të vogël: largësia e qitjes së kompleksit rus është 250 km, kurse largësia e fluturimit të raketave të telekomanduara që lëshohen nga torpedinieri amerikan është 2500 km. Po të fillojë një luftë serioze, komplekset që kreu i Rusisë kishte vendosur në Krime, do të shfaroseshin nga flota e gjashtë amerikane në Detin Mesdhe, madje pa hyrë fare në ujërat e Detit të Zi. Për të shtypur sustën bërthamore, duhet të jesh i pushtuar nga një ide prej manjaku, kurse Putini është skllav vetëm i dy dëshirave plotësisht tokësore: ta zgjatë jetën deri në pafundësi dhe të mbetet në pushtet përgjithmonë. E vutë re një hollësi të rëndësishme në takimin që u zhvillua në Minsk?

– Në bisedimet që vazhduan 17 orë në Minsk në muajin shkurt të vitit 2015 pati shumë hollësira të rëndësishme. Për cilën e keni fjalën konkretisht?
Ishte fillimi i bisedimeve. Merkel, Hollande, Poroshenko dhe Putini po hynin në sallë. Lukashenko po i ulte vetë të gjithë nëpër vende. Sakaq, drejt Presidentit të Bjellorusisë turret kreu i Rusisë dhe gati s’po ia rrëmbente nga duart ndenjësen ku do të ulej. U krijua një gjendje pështjellimi. Dhe a e dini pse? Sepse lartësia e ndenjëses është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i politikës së jashtme të Federatës Ruse. Ndenjësja duhet të jetë e lartë, në mënyrë që Putini të mos duket shkurtabiq. Por, njëkohësisht, ndenjësja nuk duhet të jetë edhe shumë e lartë, në mënyrë që këmbët e Presidentit të Federatës Ruse të mos hallakaten në ajër. Përgatitja e ndenjëses për Putinin përbën një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme para çdo daljeje të tij në publik. Atë ndenjëse e bëjnë gati që më parë. Por në atë rast, Lukashenko, duke mos e ditur një gjë të tillë, po ia ofronte dikujt tjetër atë ndenjëse personale. Për pak sa nuk dështuan bisedimet e Minskut për shkak të asaj karrigeje.

– A mendoni se Putini do të përpiqet të ndërmarrë ndonjë sulm të përmasave më të gjera kundër Ukrainës?
Në zbulim dhe në analitikë kanë rëndësi hollësitë. Unë ato nuk i njoh. Por shikoj dy gjëra serioze.
Së pari, grumbullimi i trupave ruse në kufi me Ukrainën është tashmë një gjë e palejueshme. Ta mbash kot një sasi kaq të madhe njerëzish, është punë me zarar. Ata do të demoralizohen dhe do të shndërrohen në një forcë të rrezikshme për vetë Rusinë.
Së dyti, për Federatën Ruse është tejmase e domosdoshme që Perëndimi t’i heqë sanksionet dhe të mos vendosë sanksione të tjera. Para pak kohësh, Kryeministri Dmitry Medvedev ankohej teksa raportonte për gjendjen brenda vendit. Nëse Putini do të përpiqet të ndërmarrë ndonjë sulm, ekonomia e Rusisë s’ka për t’i përballuar dot sanksionet e tjera. Por duhet marrë parasysh faktori i “administrimit territorial të KGB-së”, shembull i qartë i të cilit është Putini. Siç thoshte edhe Bjerezovski: “Është e vështirë ta parashikosh logjikën e idiotëve”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI