Pasojat shkatërrimtare të uraganit Matthew

228

Uragani Matthew është cilësuar si “përbindësh” dhe vërtet “stuhi e shekullit” derisa po përparon drejt bregut lindor të Floridës.
Matthew tashmë ka lënë pas vetes qindra të vrarë në Karaibe, përfshirë 283 në Haiti.
Të enjten vonë, Matthew goditi pjesën perëndimore të ishujve Bahamas, derisa po lëvizte drejt Floridës ku pritet të godasë të premten.
Stuhia e fuqishme e shkallës së katërt sjell me vete erëra të forta që arrijnë në 210 kilometra në orë.
Zyrtarët e Floridës i quajtën “të marrë” ata që kanë vendosur të mos evakuohen, duke theksuar se nuk mund të shpjegojnë mjaftueshëm se sa e rrezikshme është kjo stuhi dhe çfarë shkatërrimesh mund të shkaktojë mbi shtetin.
Presidenti Barack Obama tashmë e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Florida dhe në Karolinën e Jugut.
Kryetari i Floridës ka aktivizuar 3 mijë e 500 trupa të Gardës Kombëtare. Ekspertët thonë se pjesë të shtetit mund të jenë të pabanueshme për javë të tëra pas stuhisë.
Zëdhënësi i Administratës Federale për menaxhimin e emergjencave, Raphael Lemaitre, i tha “Zërit të Amerikës” se agjencia ka personel dhe burime të tjera të gatshme për të vepruar.
“Kemi furnizime në terren të shpërndara në zonën që mund të goditet. Gjëra si ujë, ushqime, batanije e shtretër. Po ashtu kemi personel në terren”, tha Lemaitre.
Matthew la pas vetes skena të dhembshme mjerimi në Haiti, shteti më i varfër në hemisferën perëndimore.