Nishani për ligjin e plehrave: Prevalon interesi i qytetarëve

Presidenti Nishani deklaroi dje se lidhur me vendimmarrjen për kthimin apo jo të ligjit për importin e mbetjeve do të prevalojë interesi i qytetarëve. I pyetur nga mediat dje në lidhje me qëndrimin që ai do mbajë mbi ligjin e mbetjeve Nishani tha se në çështje të tilla madhore, që lidhen me interesat e qytetarëve vendimmarrja duhet të fokusohet në rrugën e zgjidhjes që mbështet pikërisht interesat e qytetarëve.
“E sigurt është që do të ketë një qëndrim, por Presidenti rezervon të drejtën, por dhe privilegjin që të flasë i fundit. Aktualisht specialistët dhe këshilltarët juridikë janë duke punuar. Jam duke përgatitur një takim konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar një takim dhe konsultim me Presidentin e Republikës. Është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla madhore, që lidhen me interesat e qytetarëve, me interesin e publikut ne gjithmonë i fokusojmë ato pikërisht në rrugën e zgjidhjes së këtij interesi, ku interesi i publikut gjithmonë prevalon, ku interesi i marrjes dhe i shprehjes së mendimit dhe i vullnetit të sovranit që në fund të fundit për gjithsecilin prej nesh është qytetari, të prevalojë dhe të jetë ai maksimalisht i respektuar” tha Nishani.
Nga ana tjetër ai theksoi se kjo çështje do të trajtohet me kujdes
“Por natyrisht edhe duke patur mundësinë e afateve që Kushtetuta parashikon mendoj që nuk duhet të ketë një zvarritje të qëndrimit të Presidentit, por sapo mendimi përfundimtar i konsultuar gjerësisht pasi unë preferoj që për çështje të tilla madhore të ezauroj një konsultë sa më të gjerë të jetë e mundur jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit publik do të ketë qëndrimi përfundimtar opinioni të Presidentit të Republikës, edhe Kuvendi dhe të gjithë aktorët e tjerë të interesuar. Unë dua t’ju falënderoj për pyetjen që bëni, sepse çështje të tilla që kanë sensibilitet apo le të themi ndjeshmëri të madhe të opinionit publik të qytetarëve për të cilët jemi të angazhuar dhe ngarkuar për t’u shërbyer, është një çështje që duhet trajtuar dhe duhet trajtuar me sa më shumë kujdes, me sa më shumë përfshirje të jetë e mundur” u shpreh Presidenti Nishani.
Një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe vet qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara.  Vetëm pak javë para miratimit në Parlament, edhe Këshilli i Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave.
Kjo rezulton nga një rezolutë e fillim-gushtit përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati i PS-së, si dhe Bujar Derveni i LSI-së. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mos respektimi i kontratave ka kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë.

Arben Shahini