Moviola debuton në Serinë A

Debuton këtë të dielë moviola në fushë në Serinë A, me Video Assistant Referees që do të marrë jetë në Itali me Fiorentina-Torino dhe Milan-Sassuolo. Pas shumë polemikave ky do të jetë testi i parë në Serie A. Eksperimenti në Itali këtë vit do të jetë off-line, që do të thotë se ndryshe nga vendet e tjera nuk do të ketë asnjë komunikim mes ekspertëve pas ekraneve dhe arbitrave në fushë. Programi parashikon përdorimin e teknologjisë për dy ndeshje në javë.
“Nuk do të ketë mundësi komunikimi me grupin e arbitrave, janë dy botë krejt të ndryshme”, shpjegon Marco Brunelli, drejtor i Përgjithshëm i Ligës së Serie A. Gjithë materiali do t’i dërgohet më pas FIFA-s dhe Universitetit të Brukselit, që pas dy vitesh do të vendosin nëse do të kalohet në fazën e dytë nëpërmjet implementimit të teknologjisë online, ku ekspertët e moviolës do të komunikojnë me arbitrat gjatë ndeshjeve. “Motivi i zgjedhjes së dy videoarbitrave në një ndeshje është teknik, vazhdon Brunelli që shton, nëse një videoarbitër duhet të bëjë një sinjalizim teknik, tjetri vazhdon të ndjekë ndeshjen. Videoarbitri duhet të familjarizohet me teknologjinë dhe të mësojë të dialogojë me drejtuesin e ndeshjes. Vendimi duhet të jetë korrekt, por ka rëndësi dhe shpejtësia dhe pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme faza e parë gjatë së cilës nuk ka komunikim me arbitrat në fushë”.
Drejtuesit e projektit të moviolës sigurojnë se askush nuk dëshiron të zbehë figurën e arbitrit në fushë dhe kjo fazë e parë është e rëndësishme për hapat e mëtejshëm. Për sa i përket kohës së përgjigjes për të dhënë një vendim, gjithçka do të varet nga rastet e veçanta pasi ka vendime ku mjaftojnë 10-12 sekonda, ndërsa mund të ketë dhe situata të tjera më të komplikuara. Në Bundesliga ku projekti ka nisur më parë koha mesatare e një vendimi të moviolës është 22 sekonda. Gjithsesi vlen të theksohet se vendimi final do t’i takojë gjithmonë arbitrit në fushë dhe moviola është një mjet ndihmës në rast të gabimeve të qarta dhe evidente.