Mediat e huaja jehonë protestës kundër plehrave

Protesta e shoqërisë civile në Tiranë kundër ligjit për importin e plehrave është pasqyruar edhe nga mediat e huaja.  New York Time, Fox News, Reuters, Assosiated Press etj i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dje protestës së zhvilluar në Shqipëri nga shoqëria civile kundër ligjit për plehrat.
“Fox News” shkruan se protestuesit mbanin parulla kundër importit të plehrave, të cilët i frikësohen faktit se vendi do të kthehet në një terren mbeturinash. “Qindra aktivistë shqiptarë protestuan në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, kundër një ligji që lejon importin e plehrave nga vendet e huaja për t’u ricikluar. Ligji fillimisht u miratua nga qeveria e kaluar në vitin 2011, u shfuqizua nga koalicioni aktual në vitin 2013 kur erdhi në pushtet. Tani qeveria e koalicionit të majtë ka rikthyer ligjin me disa ndryshime”, raporton “Fox News”.
“Qindra aktivistë shqiptarë mbajtën një protestë në Tiranë kundër ligjit që lejon importin e plehrave nga vendet e tjera jashtë shtetit. Protestuesit mbanin pankarta në duar dhe shprehën shqetësimin se vendi do të shndërrohet një kazan plehrash. Muajin e kaluar, qeveria kaloi ligjin për importin e plehrave” thuhet në artikullin e New York Times. Edhe, italiania “ANSA” i ka kushtuar një artikull protestës së djeshme në Tiranë kundër ligjit të miratuar në Parlament javën e shkuar nga mazhoranca, që lejon importin e plehrave. “Me kartonë të kuq në duar dhe disa thasë plehrash në të cilat ishin stampuar fotografitë e Kryeministrit, të depozituara para selisë së qeverisë, manifestuesit i bënë thirrje Presidentit të Republikës që të mos firmosë ndryshimet që lejojnë importin e mbetjeve. Sipas tyre, Rama ka tradhtuar besimin e popullit të cilit i kishte premtuar, para se të vinte në pushtet, se nuk do të lejonte importin e mbetjeve”, shkruan ndër të tjera “ANSA”.

Berisha: Protestë më e madhe e shoqërisë civile në 25 vite

“Mijëra qytetarë të të gjitha moshave dhe bindjeve politike mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe protestojnë për mbrojtjen e jetës, shëndetit, mjedisit dhe dinjitetit të tyre dhe mbarë shqiptarëve nga plehrat, helmet dhe mashtrimet e Edi Ramës. Kjo ishte protesta më e madhe e Shoqërisë Civile në 25 vite organizuar me thirrjen e parë! Edi Rama, që tani po quhet në rrjetet sociale në mbarë botën Pleh-Man, njeriu i plehut, i tronditur deri në palcë bëri gjithçka që t’u mbyllë ekranet protestuesve, por dështoi! Dhe një herë thirrja ime për të gjithë qytetarët është: të mbështesim protestën e Shoqërisë Civile si dëshmi e përgjegjësisë tonë qytetare, sepse ajo po mbron jetën, shëndetin, mjedisin, dinjitetin e secilit prej nesh. Urimet më të përzemërta organizatorëve dhe pjesëmarrësve për protestën më madhështore, me thirrje të parë, e Shoqërisë Civile në historinë e vendit” u shpreh Berisha.

Rreziku i plehrave

Diçka më shumë se një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara.
Vetëm pak javë para miratimit në Parlament, edhe Këshilli i Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillim-gushtit përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati i PS-së, si dhe Bujar Derveni i LSI-së.
Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mos respektimi i kontratave ka kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Ja çfarë thotë Këshilli i Ministrave për këtë:   “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”.