Qeveria përzë FMN-në, nuk do të ketë rinovim marrëveshje

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që mbahen vitin e ardhshëm, qeveria do të largojë Fondin Monetar Ndërkombëtar nga Shqipëria. Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi në Top Channel se marrëveshja aktuale me Fondin nuk do të rinovohet, por qeveria do të kërkojë një marrëdhënie të re, ku FMN të ketë vetëm rol këshillues. “Nuk do të ketë një marrëveshje të re detyruese apo kushtëzuese. Do të preferonim të kishim një marrëveshje të bazuar thjesht një monitorim dhe këshillim,” deklaroi ministri i Financave. Largimi i FMN duket i lidhur drejtëpërdrejtë me zgjedhjet. Qeveria do që të ketë dorë të lirë vitin e ardhshëm për të shpenzuar më shumë dhe marrë më tepër borxh, çka nën marrëdhënien aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk do ishte e mundur.
Marrëdhëniet e qeverisë me Fondin Monetar ishin acaruar dhe marrëveshja mes palëve ishte vënë seriozisht në rrezik.  Konfirmimi zyrtar nga Arben Ahmetaj, paralajmëron se marrëdhëniet mes qeverisë dhe Fondit Monetar janë tashmë të tendosura. Shkak është bërë deficiti buxhetor që qeveria ka programuar për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në programin trevjeçar të nënshkruar në vitin 2014, qeveria dhe FMN kishin rëndë dakord që për vitin e ardhshëm buxheti të mbyllej me një suficit primar sa 0.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por qeveria ka devijuar nga marrëveshja dhe ka vendosur që për vitin 2017 suficiti primar i buxhetit të jetë 0.3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Kjo do të thotë që qeveria do të marrë më shumë hua vitin që vjen dhe borxhi publik do të ulet më ngadalë nga sa ishte parashikuar duke vazhduar të qëndrojë në maksimumin historik prej 73 për qind.
Ulja e suficitit primar nga 0.9 për qind e PBB-së në 0.3 për qind ka një diference prej rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka programuar që vitin e ardhshëm të marr borxh rreth 10 miliardë lekë më shumë nga sa kishte rënë dakord me FMN në programin trevjeçar. Shifra përkon saktësisht me faturën e rritjes së pagave. “Ky është qartazi një devijim nga marrëveshja trevjeçare për të cilën kemi rënë dakord” u shpreh për SYRI.net burimi konfidencial nga brenda FMN-së.
Qeveria kërkon më shumë hapësirë për të marr borxh për të financuar rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, e cila është lajmëruar se do të ketë një faturë nga 10-12 miliardë lekë.  Por huamarrja më e lartë nënkupton se vitin tjetër borxhi do ulet më pak nga sa ishte rënë dakord në programin me FMN.
Në shkurt të vitit që vjen marrëveshja e ngushtë e bashkëpunimit FMN-Shqipëri përfundon dhe me shumë gjasë marrëveshja e re do të jetë më fleksibile. Nga kushtetues bashkëpunimi i ri me Institucionin Financiar Ndërkombëtar do të kalojë në këshilluese kanë lënë të kuptojnë zyrtarët e ministrisë së Financave. Gjatë këtij misioni në themel të bisedimeve pritet të jetë amnistia fiskale një projekt i propozuar në korrik nga qeveria shqiptare por që nuk ka marrë një formë përfundimtare. Duket se FMN nuk është dakord me faljen e plotë të principaleve dhe tani është në diskutim në një variant i ndërmjetëm, ku pritet të falen vetëm gjobat. Gjithashtu në themel të diskutimeve pritet të jetë dhe pragu i deficitit primar.