Leipzig mposht edhe Augsburgun

Leipzig nuk njeh humbje në Bundesligë. Skuadra e ardhur nga Bundesliga e 2-të, mori fitoren e 3-të në kampionat pasi mundi 2-1 në shtëpi Augsburgun duke u ngjitur për më tepër në vendin e 3-të në renditje. Vendasit që i kanë bërë një fillim befasues sezonit, e nisën mjaft mirë dhe ndeshjen përpara publikut të tyre duke kaluar në epërsi pas vetëm 11 minutash lojë me anë të Fosberg që arriti të kthejë për në rrjetë një top të pritur nga Hitz. Formacioni nga Bavaria megjithatë e gjeti shumë shpejt barazimin falë dhe një zgjidhjeje individuale të koreanit Ji Dong Won që finalizoi mrekullisht me një goditje dënimi në hyrje të zonës.
Ashtu siç nisi pjesën e parë, Leipzig nisi dhe të dytën duke gjetur golin në të 52-tën me danezin Poulsen. Goli i dha siguri vendasve që dominuan sfidën duke ruajtur deri në fund epërsinë e duke u rikthyer te fitorja pas 2 barazimeve. 3 pikë që vlejnë tashmë dhe vendin e 3-të në renditje për formacionin e austriakut, Hassenhutl.