Kriminelë lufte dhe zyrtarë të korruptuar fitojnë në Bosnje

241

Votuesit në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë zgjedhur pesë persona si kryetarë komunash, të cilët janë dënuar më parë për krime të ndryshme – përfshirë Fikret Abdiç, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1992-1995 dhe tani do të jetë kryetari i Komunës së Velika Kladusës për katër vitet në vazhdim.
Pesë personat që u zgjodhën në votimin e të dielës ishin ndër 50 kandidatët për kryetarë komunash që ose janë dënuar ose akuzuar për krime të ndryshme ose kanë qenë nën hetim.
Abdiç u lirua nga një burg kroat në mars 2012 pasi kreu dy të tretën e dënimit të tij me 15 vite burg. Para luftës, Abdiç ishte drejtor ekzekutiv te Agrokomerc, selia e të cilës ishte në Velika Klaudsa dhe në të cilën ishin të punësuar 13,000 njerëz, duke e bërë atë një nga firmat më të suksesshme agrikulturore në ish-Jugosllavi. Për shkak të suksesit të tij në biznes, Abdiç kishte mbështetje të madhe lokale.
Gjatë luftës, ai ishte anëtar i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës para se të themelonte Provincën Autonome të Bosnjës Perëndimore në vitin 1993.
Shteti i vogël i vetëshpallur, qendra e të cilit ishte qyteti i Velika Kladusës, ekzistoi deri në vitin 1995. Gjatë kohës që drejtonte këtë shtet të vogël, Abdiç luftoi kundër boshnjakëve që i ishin besnikë qeverisë së Sarajevës dhe bashkëpunuan me forcat serbe dhe kroate në Bosnjë dhe Kroaci.
Disa kampe burgimi për ushtarët e kapur të Ushtrisë Boshnjake u ngritën në Provincën Autonome të Bosnjës Perëndimore, ku mbaheshin më shumë se 5,000 të burgosur dhe shumë krime lufte u kryen aty.
Murat Tahiroviç i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit tha se ishte një turp që njerëz që kanë kryer krime lufte mund të kandidonin si kandidatë në zgjedhje dhe të fitonin me politika nacionaliste.
“Për vetë Bosnjën dhe Hercegovinën, fakti që një person si Abdiçi ka fituar zgjedhjet në një nga komunat e tij nuk do të thotë asgjë, por fakti që ne patëm zgjedhje që u fituan nga një njeri si ai tregon se në Bosnjë dhe Hercegovinë mund të fitojë vetëm nacionalizmi”, tha Tahiroviç.
“Mund të shohim se të gjithë ata që thanë se nacionalizmi ishte plani dhe programi i tyre kanë fituar në këto zgjedhje”, shtoi ai. Ligji elektoral boshnjak i lejon njerëzit që kanë qenë të dënuar të kandidojnë për poste, përveç atyre që janë akuzuar nga gjykata e OKB-së në Hagë për krime lufte në ish-Jugosllavi.
Njerëzit që po kryejnë dënime të dhëna nga çdo gjykatë boshnjake për krime lufte nuk mund të kandidojnë për poste, por pasi të lirohen, ata mund të kandidojnë ligjërisht në zgjedhje.
Senaid Memiç, i cili ka qenë gjithashtu i dënuar, fitoi një mandat të dytë si kryetar i Ilidzës në zgjedhjet lokale të së dielës.
Në vitin 2005, ai u akuzua për ndërhyrje në punën e sistemit gjyqësor sepse ofendoi një gjyqtar që dha një vendim ku dënonte djalin e tij për armëmbajtje të paligjshme.
Gjykata e dënoi atë me katër muaj burg, edhe pse dënimi më vonë u reduktua në tre muaj. Në vitin 2008, Memiçit iu dha amnisti.
Memiç tha për “BIRN” se ai priste të fitonte.
“Njerëzit e kanë shprehur mendimin e tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë. Përsa i takon atyre që u përpoqën të më fusnin në kurth, tani mund ta shohin atë që bënë. Çfarëdo që bënë, e bënë për veten e tyre”, tha Memiç.
Miroslav Kraljeviç, një kandidat nga Bashkimi i Social Demokratëve të Pavarur që u shpall fajtor për rrëmbim, fitoi zgjedhjet për postin e kryetarit të Vlasenicës.
Kraljeviç u dënua për rrëmbim dhe u gjobit me rreth 2,000 euro pasi nënshkroi një marrëveshje pranimi faji me Prokurorinë.
Sipas vendimit, ai dhe një politikan tjetër rrëmbyen një delegat të këshillit të qytetit në shtator 2010 dhe e mbajtën atë në Serbi për 12 ditë.
Kraljeviç tha për “BIRN” para zgjedhjeve se dënimi i tij i përkiste të kaluarës.
“Ka gjithmonë njerëz që përpiqen të përdorin diçka për përfitimet e tyre. Personalisht, jam i bindur që do të fitoj. Nuk mund ta garantoj këtë, por mendoj se kjo nuk do të ndikojë në kandidaturën time gjithsesi”, tha ai.
Radenko Banjac, i cili u zgjodh kryetar i Ribnikut të dielën, u shpall fajtor për abuzim të autoritetit të tij.
Emir Bubalo, i cili u zgjodh kryetar i Konjicit, ka qenë i dënuar për mashtrim në punë.
Përveç pesë kandidatëve që u dënuan me vendime nga gjykata të shkallëve të dyta, 14 kandidatë të tjerë, që ose ishin akuzuar apo nën hetim për krime të ndryshme, fituan mandate në zgjedhjet lokale të ditës së dielë.