Kosovë, paralajmërohen ndryshime në tregun e pensioneve

251

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi deklaroi  se shumë shpejt do të bëhen ndryshime  në ligjin “Për skemat pensionale”, ku do të përcaktohen  çështjet që lidhen me pensionet familjare dhe personale. “Prita në takim të përbashkët përfaqësuesit e shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht kryetarin e Shoqatës së Invalidëve, Fadil Shurdha, sekretarin e Shoqatës së Invalidëve, Enver Krasniqi, kryetarin e Shoqatës së Veteranëve, Smajl Elezi, anëtarin e Kryesisë së Shoqatës së Veteranëve, Fatmir Sopi dhe përfaqësuesin e familjeve të dëshmorëve, Muhamet Bilalli. Gjatë takimit, është biseduar për zhvillimet e fundit dhe përkushtimin e përbashkët për adresimin e çështjeve që lidhen me pensionet dhe aspekte tjera që kanë të bëjnë me mirëqenien e kategorive të dala nga lufta.
U bë e ditur se shumë shpejt do të bëhen ndryshimet adekuate në Ligjin për skemat pensionale, ku do të definohen çështjet që lidhen me pensionet familjare dhe personale, pas vërejtjeve të dhëna nga Auditori. Temë tjetër ishte dhe buxheti për skemën e veteranëve luftëtarë dhe adresimin e kësaj çështj e në përputhje me mundësitë buxhetore e nevojat aktuale. Gjatë takimit, po ashtu, u shpreh nevoja e krijimit të një fondi të përbashkët të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës përmes të cilit do të adresoheshin nevoja të ndryshme të personave që i takojnë këtyre kategorive me kontribute të veçanta në çlirimin e vendit” ka shkruar ai.