Guarda di Finanza kap skafin me 500 kg drogë nga Shqipëria

Mbi 500 kilogramë kanabis u kapën nga Guardia di Finanza në një skaf që vinte nga Shqipëria. Bëhet e ditur se skafi me drogë është nisur nga Kepi i Rodonit, pranë zonës së Ishmit. Skafi me drogë është kapur nga Guarda Di Finanza italiane dhe në të udhëtonin dy italianë, një 38-vjeçar me inicialet A.M, dhe një 60-vjeçar me inicialet A.C.
Reagimi i italianëve nga ana tjetër e kufirit ka qenë i menjëhershëm me helikopterë dhe gomone. “Mjetet aeronautike dhe detare italiane të GdF hynë në veprim dhe rreth orës 19:00 në momentin e hyrjes në ujërat italiane u identifikua dhe ndalua mjeti i lundrimit me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë. Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë A.M, 38 vjeç dhe A.C, 60 vjeç, të dy nga Brindisi”, bën të ditur policia.
Bie në sy fakti që trafikantët italianë tentuan të ngarkohen me kanabis në brigjet pranë Ishmit, aty ku disa javë më parë u ul avioni i pilotit Guido Guidit. Në këtë zonë, kultivuesit kishin ngritur një pistë për t’u ulur avionët e drogës, ndërsa disa ditë më parë, aty u gjet edhe një punishte për tharjen e kanabisit.
Kapja e gomones me rreth 500 kilogram kanabis është ngarkesa e dytë e drogës e kapur në 24 orë dhe që kishte si bazë pikënisje “Kepin e Rodonit”. Ditën e shtunë në afërsi të Gjirit të Lalzit në një kamion u gjetën 255 kilogramë kanabis. Dyshohej se droga po dërgohej buzë detit, për ta trafikuar më pas me gomone drejt Italisë nëpërmjet asaj që quhet Rruga e Adriatikut.
Kjo linjë trafiku u përmend pak ditë më parë edhe nga revista italiane “L’espreso” që zbuloi se veç Kanalit të Otrantos, Deti Adriatik është rruga kryesore nga ku hyn kanabisi shqiptar në Itali, prodhimi vjetor i të cilit llogaritet 900 tonë. Për transportin e saj, shqiptarët përdorin të gjitha mënyrat, deri tek motorët e ujit.
Gjatë muajit shtator policia shqiptare dhe Guardia Di Finanza italiane kanë mundur të sekuestrojnë sasi prej disa tonë hashashi të nisura nga bregdeti i Durrësit, i kthyer në një nga bazat e nisjes së drogës. Për kalimin e drogës, trafikantët përdorin edhe Portin e Durrësit, ku vetëm pak ditë më parë u bllokua një kamion me 130 kilogramë kanabis, i fshehur në konfeksione.
Rasti më flagrant ishte ai i rrëzimit të avionit “Piper” në bregdetin e Ishmit, ku ishte ndërtuar dhe një pistë 1.5 kilometra e gjatë, e cila dyshohet se ishte në funksion të transportit të drogës nga ajri.
Po në Ishëm, policia gjeti një magazinë me drogë, ku punëtorët pastronin kanabisin. Kjo banesë kishte kohë që shfrytëzohej nga trafikantët dhe ishte vetëm 1 kilometër larg pistës, ku u rrëzua piloti Guidi.