Gjoba kompanive të sigurimeve që rritën siguracionet

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka artikuluar marrjen e masave administrative ndaj shoqërive të sigurimit, që rritën në mënyrë të njëkohësishme tarifat e sigurimit TPL, si dhe për ato që nuk kanë zbatuar mbajtjen në nivelin e duhur të nivelit të rezervave teknike dhe provigjoneve. Burime zyrtare pranë AMF-së të kontaktuara nga “Monitor”, thanë se këto masa pritet të zbardhen në vazhdim.
Nga shoqëritë e sigurimeve mësohet se jo të gjitha që operojnë në tregun e Sigurimeve të Jo Jetës pritet të kenë masa administrative. Numri i tyre mendohet të jetë tre.
Sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit deri tani është artikuluar se gjoba për të dyja këto shkelje do të jetë 2 milionë lekë. Shoqëritë e sigurimeve thanë për “Monitor” se nuk kanë marrë ende një njoftim zyrtar nga AMF-ja dhe se të gjitha janë përfshirë në një debat të fortë.
Gati katër vjet më parë ishte Autoriteti i Konkurrencës, i cili vendosi gjobitjen e tetë shoqërive të sigurimit me argumentin se kishin rritur në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë çmimet për të gjitha sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta MTPL.
Ndërsa në datë 24 gusht 2016, të gjitha shoqëritë e sigurimeve të Jo Jetës rritën në mënyrë të koordinuar tarifat e sigurimit TPL me rreth 20-25%, duke e çuar çmimin në rreth 18,900 lekë.
Kjo situatë shkaktoi rritje të pakënaqësive te konsumatorët, të cilët nuk ishin paralajmëruar për një masë të tillë.
Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim paraprak në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga shoqëritë e sigurimeve.
Vetë shoqëritë e sigurimeve janë shprehur se rritja e tarifave erdhi si masë ndaj rritjes së shpenzimeve, dhe ndryshimit të regjimit fiskal, pra rritjes së taksës kombëtare për sigurimet deri në 10%.