Ekonomia informale përfshin gjithë Kosovën

258

Ekonomia joligjore apo evazioni fiskal në Kosovë, konkretisht në pjesën veriore të Kosovës, mbetet i pranishëm, por jo në përmasat para vitit 2013, kur në pikat kufitare 1 dhe 31 (Bërnjak dhe Jarinë) janë vendosur oficerët doganor të Kosovës, thonë zyrtarë qeveritar. Drejtor i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, për Radion “Evropa e Lirë” ka thënë se në këtë pjesë, që dikur është quajtur “vrima e zezë e kontrabandës”, tashmë kjo dukuri është zvogëluar dukshëm. Për këtë ai thotë se Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse, është duke mbuluar të gjitha rrugët alternative, në mënyrë që të ndalohet hyrja e mallrave kontrabandë. “Përveç që kemi inkasuar të hyra në ato dy vende-kalime dhe kontrollojmë mallra që importohen përmes atyre dy vendkalimeve, ne kemi kontroll të territorit në pjesën e veriut. Dhe indikacionet që na dëshmojnë se jemi duke luftuar kontrabandën në pjesën veriore janë për arsye se çmimet me pakicë në pjesën veriore janë ngritë”. “Më pas në kontaktet që i kemi të përditshme me kompanitë në pjesën jugore, ato na dëshmojnë se çdo ditë e më shumë, janë duke u shitur mallra për pjesën veriore të Kosovës”, tha Rafuna. Betejën e pakompromis kundër evazionit fiskal disa herë e kanë e paralajmëruar zyrtarë qeveritar, pasi sipas tyre, kjo dëmton buxhetin e Kosovës. Vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vitin e kaluar pati thënë se nga ekonomia joligjore 400 deri 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit në arkën e shtetit. Kurse nga zyrtarë tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, disa herë është pranuar se evazioni fiskal arrin në 33 për qind.