E paprecedentë rritet brenda ditës me 4% çmimi i naftës

Çmimi i naftës ka shënuar rritje ditët e fundit me 5 lekë për litër. Në pikat e tregtimit te Kastrati, operatori më i madh i shumicës dhe pakicës në vend, një litër naftë tregtohet me 167 lekë, nga 162 lekë që shitej më parë. Edhe benzina shitet 5 lekë më shtrenjtë në 168 lekë. Kjo është hera e tretë që çmimet me pakicë të karburanteve rriten këtë vit, pasi arritën në janar afër 150 lekë si rrjedhojë e rënies së naftës në bursat ndërkombëtare në 27 dollarë për fuçi.
Aktorët e tregut pohojnë se dy janë arsyet e rritjes së çmimeve.
Së pari, shtrenjtimi i naftës në bursat ndërkombëtare, ku aktualisht tregtohet me 52 dollarë për fuçi.
Së dyti, bashkitë kanë filluar të arkëtojnë taksën e rilicencimit të karburanteve, 5 milionë lekë në Tiranë dhe 2 milionë lekë në rrethe. Kjo taksë u shumëfishua nga janari i këtij viti sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Tregtuesit paralajmëruan që kjo taksë do të reflektohej me 4-5 lekë për litër në çmimin final të naftës. Ata duket se i kanë humbur shpresat se Gjykata Kushtetuese, që pritet të marrë vendimin përfundimtar për pak javë, do ta rrëzojë këtë tarifa.
Luigj Aliaj i Kastrati thotë se, taksat fikse kanë arritur në 105 lekë për litër, ndërsa çmimi i naftës në bursa u rrit nga 300 dollarë për tonë në 400 USD dhe tashmë ka arritur në 460 USD për tonë, duke e bërë të pashmangshme rritjen e çmimeve.
Nga një vëzhgim i bërë në kryeqytet konstatohet se një litër naftë shitet me 167 -168 lekë nga 162 që shitej disa ditë më parë. Shoqata e hidrokarbureve argumenton se impaktin më të madh e ka dhënë taksa e riliçensimit të pikave të karburanteve e cila parashikon një tarifë prej 5 milionë lekësh në Tiranë dhe 2 milion lekë në qytete të tjera. Aktualisht ky vendim i qeverisë është ankimuar në Gjykatën kushtetuese dhe është në fazën e shqyrtimit përfundimtar. Ndikim në rritjen e çmimit të karburanteve ka dhënë edhe çmimi i arit të zi në bursë i cili ka pësuar një rritje me rreth 60 dollarë për ton.
Po ashtu edhe forcimi i dollarit kundrejt monedhës evropiane ka dhënë efekt në shtrenjtimin e karburanteve. Shoqata e hidrokarbureve paralajmëron se gjatë nëntorit mund të ketë një tjetër rritje të çmimit të karburanteve nëse në mbledhjen e OPEK vendoset të ulet sasia e prodhimit të naftës. Ekspertët e tregut të karburanteve vlerësojnë se vetëm rritja e prodhimit vendas do të sjellë ulje të ndjeshme të çmimit.