Cristiano Ronaldo: Luaj deri 40 vjeç

Momenti i vështirë që po kalon në fushë, pasqyrohet edhe jashtë kuadratit të gjelbërt për Cristiano Ronaldon. I pranishëm në ndeshjen e parë të të birit, Cristiano Jr me Pozuelo-n, fituesi i “Topit të Artë” u shfaq në rolin e pritësit të topave. Por, fakti që ka humbur shënjestrën, ku nuk shënon në tri ndeshje radhazi të kampionatit, duke regjistruar ecurinë më të dobët prej tetorit 2015 apo ndoshta emocionet që e tradhtuan, për t’i rikthyer fëmijëve topin, yllit portugez iu nevojitën dy tentativa.
Ndërkohë, menjëherë pas barazimit të tretë të Realit të Madridit në kampionat me Eibar, Cristiano Ronaldo udhëtoi drejt Portugalisë, ku mori pjesë në inaugurimin e hotelit “Pestana CR7 Lisboa”. I dyti nga zinxhiri me katër hotele të investimit me vlerë mbi 61 milionë euro, pjesë e të cilit janë edhe nëna e futbollistit, i biri dhe menaxheri Jorge Mendes. Por, ndërsa marka dhe bizneset e Cristiano Ronaldos po lulëzojnë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për futbollin dhe rreth momentit të vështirë, sulmuesi nuk ngurroi të ironizonte gjatë fjalës së tij në kryeqytetin portugez.
“Natyrisht që futbolli është pasioni im i madh. Por, duhet të mendosh edhe për të ardhmen. Më kanë mbetur afro 10 vjet si profesionist… Duhet të mendosh edhe çfarë të bësh në momentin kur tërhiqesh nga futbolli dhe krijimi i një zinxhiri hotelesh është diçka që e kam ëndërruar. Mbetem i përqendruar te futbolli, por kjo lojë nuk është gjithçka në jetë”, u shpreh Ronaldo.
Cristiano Ronaldo ka markën e tij të këpucëve, bluzave dhe linjën personale me kompaninë sportive Nike, ndërsa me përfshirjen në biznesin e hoteleve, ai synon rezidenca ndryshe nga të zakonshmet. Ylli i Realit e cilësoi investimin në Lisbonë si një hotel larg klasikes, por që synon të jetë luksoz dhe zbavitës, një koncept për mënyrën e jetesës.
Real Madrid është në krizë dhe këtë e tregojnë qartësisht rezultatet e skuadrës së Zinedin Zidan. Duke llogaritur kampionatin dhe Ligën e Kampioneve, skuadra e drejtuar nga tekniku francez ka regjistruar tashmë katër barazime radhazi. I fundit, ishte ai i djeshmi i arritur përballë modestëve të Eibar, të cilët kaluan në avantazh me anë të Franko Riko që në minutën e 5-të të sfidës. Edhe pse Garet Bejl rivendosi barazinë në shifra kur regjistrohej minuta e 17 e sfidës së luajtur në “Santiago Bernabeu”, madrilenët shfaqën shumë vështirësi në fazën ofensive. Ronaldo, Bejl e Benzema provuan me të gjitha mënyrat të shënonin në portën e skuadrës mike, por nuk ia dolën, duke konfirmuar se diçka i ka ndodhur makinerisë perfekte të vitit të kaluar, e cila mbylli edicionin me suksesin në Ligën e Kampioneve.