Bllofi me amnistinë, biznesi i paguan se s’merr dot vërtetim, as apelimi nuk i anulon

Ndërsa bizneset prisnin që gjobat masive që u vunë nga sistemi në qershor të këtij viti të faleshin, tatimet po u kërkojnë që t’i paguajnë ato, përmes shkresave zyrtare që po u dërgohen atyre. Ka dhe subjekte që tashmë i kanë paguar gjobat, sepse nuk mund të bëjnë asnjë veprim për të nxjerrë ndonjë dokument që u duhet për arsye personale apo të mbarëvajtjes së biznesit.
I kontaktuar nga “Monitor”, Xhevdet Kacani, administrator i një subjekti, tha se kishte qenë i detyruar të paguante gjobën, për shkak se nuk merrte dot një vërtetim.
Kontabilistët kanë paraqitur pranë “Monitor” dokumentet e pagesës së gjobave dhe për subjekte të tjera, që për efekt të marrjes së vërtetimeve kanë paguar gjobat 10 mijë lekëshe apo dhe më shumë, kur kanë marrë disa gjoba.
Subjekteve nuk u ka ardhur në ndihmë as Apelimi Tatimor. Në një vendim të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, referuar kërkesës së një biznesi, i cili ka ankimuar gjobën në lidhje me dorëzimin e vonuar të ESIG 027, pasi i vetëpunësuari me regjistrimin në QKR është i regjistruar dhe në institucione të tjera thuhet se, “Pretendimet e tatimpaguesit nuk mund të merren në konsideratë, duke qenë se aktet ligjore dhe nënligjore nuk kanë parashikuar raste të tilla përjashtimore për mosdorëzimin në afat të formularit ESIG027”.

Konflikti

Në datën 22, shumë bizneseve u kanë dalë në sistem njoftimet për “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim i shkoi një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara më 2015-2016 dhe gjoba ishte për deklarim të vonuar të administratorit në sistemin e sigurimit. Kjo ndodhi pasi me përditësimin e sistemit e-tax u vu në funksion një aplikim për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (më 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive).
Ekspertët e tatimeve sqaruan se për gjobat e bizneseve të reja me të vetëpunësuar, gabimi ishte i sistemit, për ato ekzistuese me të punësuar ishte faji i vetë kompanive.
Gjithsesi, në fillim të korrikut, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pohoi për mediat se do t’i propozonte Parlamentit që gjobat 10 mijë lekëshe për vonesë të deklaruar të administratorit të faleshin dhe të fshihen nga sistemi. “Por dua të theksoj se kjo është hera e fundit që qeveria do të propozojë një masë të tillë, sepse disiplina fiskale është në favor të qytetarëve”, ka thënë në atë kohë Ahmetaj, ndërsa pohoi se gjenerimi i gjobave nga sistemi ishte në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale.
Por bizneset sot ndihen të “tradhtuar”. “Si mund të bëhet deklaratë që do të falen dhe pastaj në përgjigjen e Apelit thuhet që jo referohu ligjit……. Ku e çon përgjegjësinë e fjalëve që deklaroi në media që do të falen?”, thotë një kontabiliste.

Shkresa e tatimeve

Shumë subjekte kanë marrë ditët e fundit një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara. Por, ajo që ka çorientuar bizneset është fakti që në totalin e tyre përfshihen dhe gjobat të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat ministri i Financave deklaroi se do të ishin objekt i faljes. Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit.  Kjo pasi sistemi i ri e-tax, që u vu në funksion nga tatimet nga janari 2015, përditësohet vazhdimisht. Veprimi më i fundit ishte vënia në funksion e një aplikimi për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (më 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive). Kjo gjobitje masive shkaktoi zemërim te biznesi, disa prej të cilëve pohuan se kishin marrë gjoba përpara se të merrnin NIPT-et. Ekspertët e tatimeve pohuan në atë kohë se për gjobat e bizneseve të reja me të vetëpunësuar, gabimi ishte i sistemit, për ato ekzistuese me të punësuar ishte faji i vetë kompanive. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë. “Dua të sqaroj drejtpërsëdrejti që gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikmëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim dita-ditës në territorin fiskal. Pra, dua të sqaroj të gjithë qytetarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo një keqpërdroim të ligjit, por ka të bëjë me një zbatim të drejtpërdrejtë dhe rigoroz të ligjit. Janë vendosur gjoba nga sistemi në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve të tjera për mosdeklarim të punonjësve dhe të vetëpunësuarve”, tha Ahmetaj. Tashmë që bizneseve u ka shkuar nga sektori i mbledhjes së borxhit shkresa që i paralajmëron se, nëse nuk paguajnë, ata do të jenë subjekt i procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve, ata janë të çoroditur për seriozitetin e mesazheve që u jepen nga administrata tatimore dhe ministri i Financave. Për më tepër, që mbetet ende në diskutim plani për një amnisti fiskale, që parashikon, ndër të tjera, edhe faljen e gjobave. Të kontaktuar nga ‘Monitor’ lidhur me shkresën e fundit të tatimeve, që u është dërguar bizneseve nga 6 tetori, burime nga Drejtoria e Tatimeve na thanë të drejtoheshim në Ministrinë e Financave, ndërsa kjo e fundit nuk dha komente.