Bizneset: Kuvendi të pranojë dekretin e Presidentit për dhomat e tregtisë

Shoqatat e biznesit i bëjnë thirrje deputetëve që të marrin në konsideratë dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë. Pika më e kundërshtuar është anëtarësimi me detyrim dhe pagesë pranë dhomave në nivel qarku. Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë, një organizatë private që e ka kundërshtuar me forcë këtë ligj thotë se, tregu duhet të jetë i lirë dhe secili të bëjë zgjedhjen e vet. “Ne jemi tani tek pazari ri dhe shikojmë shumë aktivitet… a duhet të detyrojmë të gjithë ata që janë shumë të ndryshëm, por shumë aktivë që të bëjmë pjesë të një dhome kur mbase nuk përshtaten të gjithë”, thotë Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë për TCH. Në të njëjtën gjatësi vale është edhe shoqata “Biznes Albania”, një nga bashkimet vullnetare më të mëdha të sipërmarrësve në vend. Presidenti i saj Luan Bregasi pohoi se, anëtarësimi me detyrim është në shkelje të parimeve të demokracisë. Por, nëse Parlamenti rrëzon dekretin e presidentit, çfarë do të ndodhë? Mark Crawford thotë se do të konsultohen me avokatë për apelimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. “Meqenëse presidenti ka të njëjtin qëndrim siç e kemi ne për shkeljen e Kushtetutës është një faktor, por do flasim me avokatët”, thotë ai. Ligji për Dhomat e Tregtisë u kthye në Parlament nga Presidenti për rishqyrtim, me argumentin se shkel Kushtetutën. Më parë, pothuajse të gjitha shoqatat e biznesit në vend patën kërkuar mos miratimin e këtij ligji. Sipas Nishanit, “detyrimi i anëtarësimit në dhomat e tregtisë është një shkelje kushtetuese. Kush ka të drejtë të organizohet vullnetarisht”. Ndryshimet e ligjit parashikojnë që anëtarësimi i biznesit në Dhomën e Tregtisë të jetë i detyrueshëm kundrejt tarifës vjetore që varion nga 1 mijë deri në 100 mijë lekë. Por kjo është kundërshtuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma Britanike, sipas të cilave, ndryshimet e ligjit rrisin barrën e taksave ndaj biznesit. Dhoma Amerikane e Tregtisë ngriti shqetësimin se, anëtarësimi i detyrueshëm rrit barrën fiskale ndaj biznesit. Nishani sqaron se me ligjin e miratuar në Kuvend, i vendoset një taksë e fshehtë biznesit: “Iniciativa për forcimin e pozitës së dhomave publike të tregtisë (që është në parim një përpjekje pozitive nga ana e qeverisë) po bëhet duke iu vendosur bizneseve një taksë të fshehtë. Ky qëndrim nuk është në përputhje me rregullat bazë të ekonomisë së tregut. Ashtu si vetë subjektet e biznesit, shoqatat e biznesit duhet të kryejnë aktivitet mbi bazën e rregullave që janë të drejta dhe jodiskriminuese, argumenton Kreu i Shtetit. Anëtarësimi absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në dhomat e tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë krijon premisat e një takse të fshehtë për biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në realizimin e fitimeve. Sipas tij, “rregullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës, ku përcaktohet qartë se, ‘Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm’ duke njohur kështu një parim themelor të të drejtave themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat, qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre”.
Kundër këtij ligji është shprehur edhe Dhoma Britanike në Shqipëri, e themeluar 15 vjet më parë në Shqipëri në bazë të principeve dhe modelit anglo-amerikan, si edhe standardeve udhëzuese të ICC (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë), të cilat veprojnë mbi bazën e lirisë. Përmes një deklarate për mediat thuhet se, Misioni i Dhomave të Tregtisë është të punojnë për të mbështetur biznesin në bazë të interesit reciprok. Dhomat duhet të ofrojnë shërbime cilësore dhe sa më shumë fokus në ndihmë të biznesit. Biznesi duhet të jetë në gjendje të bëjë dallimin dhe zgjedh atë që ofron më të mirën. Konkurrueshmëria e lirë do të përsoste Dhomat dhe Organizatat e Biznesit për t’u shndërruar vërtet në aleatë të natyrshëm të biznesit. “Anëtarësimi i detyruar është një kosto ekstra mbi të bërit biznes dhe një detyrim që mbi të gjitha krijon ndjesinë e të qenit në fuqi të sistemit të marrjes me dhunë, pasi ky ligj nuk i detyron dhomat lokale t’i ofrojnë diçka në këmbim të biznesit. Modeli gjerman-italian nuk mund të krahasohet me gjobëvënësit e rinj siç do të jenë dhomat në të gjithë territorin e Shqipërisë.