Barça kapitullon me Celta Vigon

Barcelona ishte hija e vetvetes në transfertën e Vigos aty ku u mposht 4-3 nga Celta vendase falë një mbrojtjeje katastrofë që fuste ujë në çdo anë. Një rezultat i pabesueshëm, por jo për tifozët galicianë, pasi Celta kishte mundur t’i shënonte 4 gola Barçës edhe sezonin e kaluar. Futbollistët katalanas vuajtën presionin e kundërshtarit që në minutat e para në stadiumin “Balaidos”, ku në të 22 vendasit shënuan me Siston.
Celta e kuptoi se ishte momenti për t’i dhënë një tjetër goditje Barcelonës, ndaj në minutën e 31-të Aspas realizoi të dytin. Sikur të mos mjaftonte ky avantazh i dyfishtë i Celtas, vetëm dy minuta më pas Jeremy Mathew shënoi në portën e tij për rezultatin 3-0.
Barça tentoi të përmbyste shifrat në pjesën e dytë, ku fillimisht gjeti golin e parë me Gerard Pique në të 58-tën. Në të 64-rën Neymar e çoi rezultatin në 3-2 pas ekzekutimit të saktë të një 11-metërshi.
Por në momentin më të mirë të katalanasve Andre Ter Stegen bën një gafë të pafalshme, godet kokën e kundërshtarit me topin që kthehet e përfundon në rrjetë. Për të rikthyer në lojë kampionët në fuqi të Spanjës mendon sërish Gerard Pique, që realizon me kokë shumë pranë portës. Mbrojtësi blaugrana iu afrua mrekullisë edhe në minutën shtesë, por pa mundur të shmangë humbjen e skuadrës së tij.