Arben Ndoka, 10 ha kanabis në Skuraj me lejen e Tahirit

Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka dhe njëkohësisht miku i Ramës, ka në zotërim 10 hektarë ara me kanabis në Skuraj të Kurbinit me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri. Denoncimi është bërë nga një ish-efektiv policie, i cili është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha të shoqëruar edhe me një foto nga parcelat me kanabis.
“Qytetari dixhital denoncon: me foto, sipas tij arat e kanabisit të ish-deputetit Arben Ndoka në Skuraj! sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Në arat e ish-deputetit Arben Ndoka në Skuraj Kurbin. Janë mbi 10 hektarë parcela të mbjella me lëndë narkotike me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri. Janë me qindra të punësuar në këtë aktivitet kriminal, të cilët ruajnë dhe patrullojnë zonën në një distancë rreth 1 kilometër. Kanë bllokuar edhe ujin e pijshëm. Kordinatat 41,39,41.68”N; 19,48,29.21”E, lartësia 55a metër mbi nivelin e detit. Vendi quhet Zaje, ndodhet në Skuraj të Kurbinit. Nga një ish-efektiv i policisë”, përfundon mesazhi i qytetarit dixhital.
Po ashtu, dy ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi një tjetër mesazh të një qytetari ku denoncohej kryetari i PS të Kukësit për arat me kanabis. “Gëzim Omuri, ish-drejtor Tatimesh, i cili para disa muajsh dha dorëheqjen, sepse u kap, duke lëshuar vërtetime, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej një miliard lekë. Ky është truri i PS në Kukës, pretendent për drejtor Dogane në Morinë. Personi në fjalë ka të mbjella në fshatin Kalis 300 rrënjë bimë kanabis”, i shkruante një qytetar nga Kukësi ish-Kryeministrit Berisha.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë. Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”.
Para dy javësh u denoncuan publikisht nga opozita arat me kanabis në afërsi të Rinasit. Janë 6 ha me kanabis që lulëzon fare afër pistës së Rinasit, në Larushk, ndërsa policia nuk guxon t’u afrohet parcelave. Denoncimi është bërë nga Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj para medias, ndërsa publikoi video dhe pamje filmike që vërtetonin akuzat e ngritura prej tij. Janë të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit. Raportohet se këtu janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij. Shtëpia afër parcelave me drogë, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë Krujë, Bushi. Dhe shefi operativ i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacioni me drogë.
Ndonëse denoncimi u bë publik para dy javësh, policia ende nuk ka shkuar për të korrur kanabisin, sepse pas këtyre parcelave qëndrojnë zyrtarë të lartë. Plantacionet e drogës shtrihen që nga Ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës. Edhe këto parcela nuk preken nga policia, ndërsa ka nisur vjelja e kanabisit për t’u bërë gati për trafikim jashtë shtetit.

R.POLISI