Akademia Politike, sfida e të rinjve, besimi dhe angazhimi

Akademia Politike zhvilloi dje ditën e dytë të trajnimit në qytetin e Durrësit me pjesëmarrës mbi 200 të rinj të zgjedhur të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Të rinjtë demokratë patën rastin të bashkëbisedojnë dhe të trajnohen nga disa prej ekspertëve të njohur ndërkombëtarë në fushën e politikës. Çështje të politikës, si të fitojmë besimin e qytetarëve, si të punojmë në fushata elektorale, eksperienca të të rinjve demokratë në vite, ishin disa prej temave të trajtuara dje.
Eksperti gjerman, Jochen Konig trajtoi për të rinjtë demokratë temën e instrumenteve dhe shembujve të fushatave politike të suksesshme në botë. Ai foli për ndryshimin e politikës në vite, si dhe mënyrat e reja të organizimit të të rinjve, sfidat e ndryshme, si dhe qasjen që të rinjtë duhet të kenë në fushatë. “Burimi kryesor i pushtetit në politikë është besnikëria. Dhe ju si të rinj duhet të jeni të pasionuar në politikë në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek ju. Besimi tek ju do të jetë aleati më i mirë”, u shpreh ai.
Eksperti tjetër, norvegjezi Bjoarte Tora foli me të rinjtë demokratë në lidhje me procesin e politikëbërjes mes të rinjve duke dhënë eksperincën e tij 25-vjeçare në mbarë botën. “Në shumë vende dhe jam i bindur që edhe në Shqipëri ka politikanë të mirë që mund të flasin shumë mirë dhe të identifikojnë saktë problemet. Por më pas çfarë ndodh?! A adresohen siç duhet ato? Është shumë e rëndësishme që të konsultohemi, të dëgjojmë anëtarët dhe qytetarët, që mbi të gjitha të ndërtoni besim. Bërja e politikave duhet të ndërtohet tek besimi”, tha Tora.
Gjatë ditës së premte, të rinjtë demokratë trajtuan edhe mjaft tema të tjera politike me figura të njohura publike dhe politike të së djathtës në Shqipëri. Preç Zogaj, Jorida Tabaku dhe Besnik Mustafaj ndanë me të rinjtë demokratë vlerat dhe identitetin përmes të shkuarës së Partisë Demokratike dhe vizionit të saj. Me deputetët Edmond Spaho dhe Astrit Patozi u fol për karakteristikat e së djathtës në Shqipëri, ndërsa me deputetët Arben Ristani, Albana Vokshi dhe Aldo Bumçi për pritshmëritë e qytetarëve ndaj Partisë Demokratike. Vota dhe demokracia ishin tema që të rinjtë bashkëbiseduan me deputetët Arben Imami dhe Oerd Bylykbashi, ndërsa Majlinda Bregu dhe Genc Pollo ndanë me të rinjtë sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndërsa ditën e djeshme të rinjtë e Partisë Demokratike bashkëbiseduan me deputetë që kanë dalë nga radhët e FRPD si Gent Strazimiri dhe Keltis Kruja. “Forumi është shumë i rëndësishëm në PD dhe ka qenë shpirti i organizimit”, tha Strazimiri. Ndërsa deputeti Kruja, duke ndarë eksperiencën e tij në FRPD, u shpreh se të rinjtë demokratë kanë ditur të ofrojnë më shumë shpresë brenda partisë dhe jashtë saj. “E vërteta është se forumi rinor i PD i ka dhënë gjithnjë shpresë partisë dhe ka lëvizur më shpejt se strukturat e tjera të partisë”, tha Kruja.
Përmes eksperiencave më të mira botërore dhe ato shqiptare, të rinjtë e zgjedhur demokratë patën rastin të flasin edhe për shumë nga eksperiencat e tyre. Ata do të fokusohen edhe në çështje të organizimit dhe ngritjes së ekipit me kryetarin Belind Këlliçi dhe drejtorin ekzekutiv të Fondacionit për Liri dhe Demokraci, Akil Kraja.
Akademia Politike do të vijojë edhe sot trajnimin e të rinjve demokratë në qytetin e Durrësit për të folur mbi organizimin, angazhimin politik, si dhe hartimin e programeve rinore politike dhe më tej. Të rinjtë demokratë do të trajtojnë tema të tjera me politikanë, ekspertë dhe aktivistë të njohur mbi çështjen e rëndësishme të shoqërisë në ditët e sotme.
Ky organizim i Akademisë Politike u bë falë mbështetjes së Fondacionit Konrad Adenauer, drejtorit të këtij fondacioni Walter Gros dhe punës së drejtorit ekzekutiv të FLD, Akil Kraja dhe kryetarit të FRPD, Belind Këlliçi.