Abuzimi 12 milionë euro i Veliajt dhe Ramës me qendrën e Tiranës

Këshilltarët bashkiakë të PD në Bashkinë e Tiranës denoncuan dje aferën e Ramës dhe Veliajt me sheshin “Skënderbej”, që jo vetëm ka kosto të rëndë financiare, por po shkakton çdo ditë trafik të padurueshëm, duke vështirësuar jetën e qytetarëve. Përmes një deklarate për mediat, këshilltarja demokrate, Reila Bozdo deklaroi se shuma prej 12 milionë eurosh apo 17 miliardë lekësh po shpenzohet vetëm për të plotësuar tekat e Ramës në një kohë kur qytetarët dhe bizneset e Tiranës janë mbytur nga taksat e larta, rritja e çmimeve si dhe varfëria.
“Jemi këtu në sheshin “Skënderbej”, trafiku është shumë kaotik. Në dijeninë tonë deri tani është projektuar të shpenzohen në këtë shesh, 12 milionë euro ose 17 miliardë lekë, për të ndërtuar diçka e cila nuk ka vlerë për qytetarët. Çfarë përfitojnë qytetarët nga 12 milionë euro, ose 17 miliardë lekë, të shpenzuara në sheshin “Skënderbej”? Asgjë, kjo është vetëm një kapriçio e Edi Ramës. Në kushtet kur varfëria bëhet gjithmonë e më e madhe, në kushtet kur qytetarë që kanë biznese ankohen për taksa të larta, në kushtet kur çmimet rriten, rriten tarifat, kur gjithçka shkon keq e më keq, qeverisja lokale dhe ajo qendrore ka zgjedhur t’i  stresojë edhe më shumë banorët me një trafik kaotik.
Çfarë mund të kishte bërë pushteti me këto para? Pushteti me këto para mund të kishte paguar pensionet e qytetarëve. 12 milionë euro janë rreth 200 mijë pensione fshati, rreth 110 mijë pensione qyteti, 75 mijë qytetarë mund të kishin marrë pagën minimale me atë buxhet që shikoni atje, i cili nuk do t’i sjellë qytetit asgjë. Kjo pra është ajo që ky pushtet ju ofron. Për çfarë i shpenzojnë paratë? Për të përmbushur ambiciet, kapriçot dhe egot dhe interesat e tyre financiare personale, në një kohë që e gjithë Shqipëria po vuan”, deklaroi këshilltarja e PD, Reila Bozdo.

Afera e Veliajt me projektin

Kostoja totale e projektit të debatuar të qeverisë për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” sipas planit të miratuar fillimisht në vitin 2008, pritet të arrijë në mbi 1.7 miliardë lekë dhe qeveria ka miratuar së fundmi përmes Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve fondin për fazën e dytë prej 1.2 miliardë lekësh.
Vendimi nr. 45 i KZHR-së, institucionit kontrovers që menaxhon një pjesë të rëndësishme të fondit të investimeve publike, ka miratuar edhe 10 projekte të tjera të ngjashme në qytetet Kurbin, Fushë Arrëz, Lushnjë, Tepelenë, Përmet, Vlorë e Selenicë, me vlerë totale prej 2.2 miliardë lekësh.
Qeveria vendosi të riaktivizojë projektin e vitit 2008 për sheshin kryesor të Tiranës këtë vit, pasi administrata e mëparshme e drejtuar nga Lulzim Basha, refuzoi ta zbatojë atë plan, duke i dhënë sheshit pamjen që kishte deri së fundmi. Tenderi për fazën e parë të punimeve u zhvillua në muajin gusht dhe u fitua nga e vetmja kompani që hodhi një ofertë financiare, Fusha sh.p.k.
Punimet nisën në shtator, duke shkaktuar bllokime trafiku dhe ankesa nga qytetarët. Pas fillimit të punimeve të fazës së dytë, sheshi “Skënderbej” do të mbyllet tërësisht për trafikun për t’u kthyer në hapësirë për këmbësorët.
Nuk është e qartë se çfarë e ka shtyrë qeverinë të shpenzojë kaq shumë para për të rindërtuar një shesh që është ndërtuar vetëm pak vite më parë.
Kryeministri Rama u kritikua së fundmi nga komentuesit në faqen e tij në Facebook, të cilët ngritën pikëpyetje se pse ai nuk mendonte për nevojën për investime në ujësjellësa, por qe përqendruar vetëm në ndërtime sheshesh dhe fasadash. Kryeministri iu përgjigj se qeveria nuk ka para.
Qeveria është vënë vazhdimisht nën kritika për përdorimin e institucionit të njohur si Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, një krijesë e qeverisë së kaluar që u përdor nga qeveria për të shpërndarë fonde pa kurrfarë transparence paraprake, në përgjithësi për bashkitë e kontrolluara nga qeveria qendrore. Kritikat për vetë ekzistencën e Komitetit janë të shumta pasi, megjithëse supozohet se bashkitë konkurrojnë për të përfituar fonde nga ky institucion, vendimmarrja në të është tërësisht jo transparente, ndërkohë që kontrolli i përket efektivisht vetë qeverisë, pasi Komiteti drejtohet nga kryeministri dhe në përbërje të tij janë në shumicë dërrmuese ministrat e kabinetit të tij.
Së fundmi, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi deklaroi se ndjehej e persekutuar nga mungesa e financimeve të projekteve të kësaj bashkie nga qeveria qendrore. Kryeministri iu përgjigj me fyerje, duke deklaruar se “Bashkia e Shkodrës drejtohet nga një hu”.
Duke reflektuar pjesërisht kritikat për persekutim të bashkive të pakta, që aktualisht kontrollohen nga kryebashkiakë të opozitës, vendimet e fundit të Komitetit i kanë akorduar Bashkisë Shkodër një projekt me vlerë 76 milionë lekë, ndërsa bashki të tjera të kontrolluara nga opozita, si Tropoja e Përmeti morën gjithashtu një pjesë të fondeve.