55 kg kanabis në shtëpinë e kushërinjve të deputetit të PS, policia fshehu ngjarjen

204

Në shtëpinë e kushërinjve të një deputetit socialist janë gjetur 55 kg kanabis sativa e tharë por se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri po mundohet të fshehë ngjarjen.  Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur se droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën. “Edhe sot që raporti i monitorimit ajror tregon pesëfishim të sipërfaqes së drogës, Saimir Tahiri është sërish në shërbim të trafikantëve. Tahiri po mundohet të mbajë të fshehur një ngjarje që ka ndodhur pasdite, në mënyrë që të lehtësojë rrethanat e kushërinjve të deputetit Xhemal Qefalia në banesën e të cilëve është gjendur 55 kg kanabis sativa e tharë. Droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën. I ndaluari është Haxhi Qefalia, por Tahiri ka bllokuar daljen e informacionet dhe po bëhen të gjitha ndërhyrjet për ta nxjerrë të afërmin e deputetit”, deklaroi PD. PD i kërkoi policisë të bëjë transparencë dhe nxit prokurorinë për hetime. “Partia Demokratike e dënon ashpër këtë shërbim kriminal të urdhëruar nga Saimir Tahiri. I kërkojmë policisë të bëjë transparencë të menjëhershme për ngjarjen. Partia Demokratike e nxit prokurorinë të hetojë rastin dhe të ndalojë ndërhyrjet politike e presionet e Saimir Tahirit në këtë çështje”, deklaron PD. Disa orë më vonë, pas denoncimit të PD, policia u detyrua të pohonte vërtetësinë e ngjarjes ndërsa përmes një njoftimi për shtyp njoftoi arrestimin e personave të denoncuar më parë nga PD.