Zvicra sulmon Kosovën

FIFA vazhdon të mbajë në shqyrtim dosjet e futbollistëve që duan të ndryshojnë federatë dhe t’i bashkohen përfaqësueses së Kosovës. Sipas agjencisë “Reuters”, organizata ndërkombëtare ka pranuar se po sheh një numër të konsiderueshëm aplikimesh dhe për momentin nuk ka vendime të qartë. Ndërkaq, ajo që ka sulmuar hapur Federatën e Kosovës, ka qenë homologia e saj zvicerane, e cila e ka akuzuar për mungesë respekti ndaj lojtarëve palën kosovare.
FIFA bëri të qartë se, mangësitë ligjore e bëjnë shumë të vështirë trajtimin e kësaj çështje. “Aplikimet në fjalë janë në pritje dhe po hetohen. Për momentin nuk mund të komentojmë më shumë rreth tyre, por as edhe të japim një afat kohor për zgjidhjen”, theksoi kjo organizatë.
FIFA normalisht nuk lejon lojtarët të ndryshojnë kombëtare, pasi kanë marrë pjesë në një turne madhor, por sipas saj nuk është e qartë nëse rregulla të njëjta duhet të përdoren edhe pas anëtarësimit të një federate të re. “Situatat specifike dhe lojtarët potencialisht të përfshirë nuk duket sikur janë të mbuluara plotësisht nga statutet”, ishte argumentimi i FIFA-s për “Reuters”, ndërsa pohoi se “po merren në konsideratë të gjitha faktet dhe rrethanat e çështjes në fjalë”.
Edhe pse kombëtarja më e dëmtuar për momentin është ajo shqiptare, Federata që ka ngritur publikisht zërin ndaj ndërhyrjeve të FFK-së vazhdon të jetë ajo e Zvicrës, e cila ka bërë edhe një komunikatë zyrtare rreth kësaj teme, duke lëshuar akuza të rënda kundër Kosovës.
“Situata aktuale vuan nga mungesa e qartësisë në rregullore. Federata Zvicerane kërkon që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur. Fatkeqësisht, FIFA dhe UEFA nuk u janë përgjigjur kërkesave tona.
Federata Zvicerane e Futbollit sheh me keqardhje që prioriteti i drejtuesve kosovarë ka qenë të rekrutojnë lojtarë për kualifikueset e Kupës së Botës, në vend që të përforcojnë themelet e Federatës së tyre.

Rei Manaj do të luajë me 21-vjeçarët kundër Greqisë

Rei Manaj do të luajë me kombëtaren shqiptare të futbollit U-21 në ndeshjen kundër Greqisë. Sulmuesi i talentuar është nisur sot drejt Athinës, për t’iu bashkuar kuqezinjve të drejtuar nga Redi Jupi, i cili ka marrë dritën e gjelbërt nga De Biazi.
Manaj nuk u aktivizua në miqësoren ndaj Marokut, pasi De Biazi bëri zgjedhje të tjera teknike për repartin e avancuar. Pas bisedave mes stafeve të dy ekipeve kombëtare, u vendos që ai të vihej në dispozicion të Jupit në Athinë, meqë takimi ndaj Greqisë është i rëndësishëm për Shpresat kuqezi dhe Manaj është një prej futbollistëve më cilësorë.
Pas takimit që luhet nesër në drekë, Manaj, bashkë me portierin Strakosha, do të kthehen në Shqipëri për t’u vënë përsëri nën urdhrat e De Biazit, i cili dëshiron t’i mbajë të dy në Kombëtaren A dhe do t’i ketë në gatishmëri për sfidën ndaj Maqedonisë.
Shqipëria është në vendin e dytë të Grupit 4 të kualifikuesve të Europianit, me 12 pikë pas 8 ndeshjesh të luajtura, ndërsa Greqia ka 7 pikë pas 6 ndeshjesh. Grupi kryesohet nga Portugalia e cila ka fituar të 6 ndeshjet e saj dhe është në kuotën e 18 pikëve.