Vdes në qelitë e komisariatit të Lushnjes, dëshmi për dhunën

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën 54-vjeçari Fadil Hoxha, pas problemeve me zemrën, në një kohë që ishte i ndaluar nga policia, familjarët hedhin sërish akuza ndaj policisë. Vëllezërit e të ndjerit Fadil Hoxha shprehen se, i ndjeri nuk ishte hajdut, por është ndaluar pa asnjë shkak nga policia. Ata akuzojnë Policinë Bashkiake dhe atë të Rendit për dhunë psikologjike ndaj të ndjerit. “Fadili nuk ishte hajdut që e mori policia. Forcat e policisë kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij”, pohuan vëllezërit e viktimës.
Nga ana tjetër, nipi i 54-vjeçarit theksoi se kishte parë policin e Komisariatit të Divjakës ta kërcënonte. “Pashë policin e Komisariatit të Divjakës që i ulërinte xhaxhait”. Familjarët e Hoxhës bënë me dije se do të bëjnë kallëzim penal ndal policisë.
Të dielën, familjarët denoncuan policinë se nuk lejuan që t’i dërgonin në qeli ilaçe, aty ku mbahej Fadil Hoxha, i cili më pas ndërroi jetë në Spitalin “Nënë Tereza”, pas një infarkti akut. Ndërkohë, Policia e Lushnjës reagoi duke thënë se i ndaluari kishte medikamente me vete, ndërsa i kishte pirë ato dy herë, në darkë dhe në mëngjes. Vetëm pasi ai ishte ndjerë keq, policia kishte lajmëruar familjarët, të cilët i kishin sjellë ilaçe të tjera.
54-vjeçari nga Lushnja ndërroi jetë të dielën në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa familjarët e tij akuzojnë policinë si shkaktare të kësaj ngjarjeje. Mësohet se, Fadil Hoxha ishte ndaluar nga policia, pasi akuzohej se kishte marrë ullinj në tokën e dikujt tjetër, ndërsa ishte denoncuar nga ky i fundit. Pas kallëzimit, Hoxha ishte shoqëruar në polici, në një kohë që ai vuante nga zemra dhe merrte 3 herë ilaçe në ditë. Sipas dëshmisë së familjarëve të tij, ndonëse ata i kishin kërkuar punonjësve të policisë që t’i fusnin në ambientet e paraburgimit ilaçet, kjo e fundit kishte refuzuar.
Në polici, Hoxha deklaroi e vuante nga hipertensioni arterial dhe merrte mjekim 3 herë në ditë. Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës bëjnë me dije, se në 11:30 Hoxha kishte ndjerë dhimbje në gjoks dhe njoftoi policin roje, i cili më pas lajmëroi shërbimet që e shoqëruan në Urgjencën e Spitalit të Lushnjës, ku u diagnostikua me infarkt akut të miokardit dhe nivel të lartë të TST.
Duke marrë shkas nga situata, nga mjekët u mor vendim të çohej në QSUT, në Reanimacionin e Kardiologjisë, ku iu bë koronarografia dhe arteria e majtë rezultoi e bllokuar. Pas kësaj pati ulje tensioni. Po ashtu, iu bë masazh kardiak, u godit disa herë me debrifilator iu bë adrenalinë u intubua dhe pasi gjendja u rëndua u dërgua në reanimacionin qendror, ku jetoi dhe 30 minuta dhe më pas ndërroi jetë.
Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe kryetari i PD, Lushnjë, Myslim Murrizi. Ai bën të ditur se, policia po bën përpjekje për të justifikuar vdekjen e 54-vjeçarit Fadil Hoxha në komisariat. “Të gjitha përpjekjet e turpshme të një shteti kriminel po bëhen për të justifikuar ndalimin arbitrar të të ndjerit. Policia Bashkiake e Divjakës me një polic Viktor Xhara i ka vajtur dy herë në shtëpinë e qytetarit Thoma Dhori, që ky i fundit të vinte e të firmoste një proçesverbal tek punonjësi i policisë Arben Trimi. Pas ndalimit të të ndjerit Fadil Hoxha, familjarët kanë kontaktuar me kryetarin e Bashkisë Divjakë, Kokoneshin, i cili ju ka premtuar që do të flasë me policineë dhe do të dalë. Mirëpo një ndërhyrje e nënkryetarit të Bashkisë Divjakë, Avdi Snalla, ka bërë që policia të zbatojë dëshirën e këtij me të cilin i ndjeri Fadil Hoxha ka patur konflikt personal para 3 vitesh”, shprehet Murrizi.

Nipi: “U thashë policëve, mos i bëni presion se do t’u ngelet në dorë”

Veiz Veliu, nipi i 54-vjeçarit që humbi jetën në QSUT, akuzon Policinë e komisariatit të Divjakës se kanë përdorur presion dhe dhunë ndaj të afërmit të tij. Në një intervistë për “News24”, nga ambientet jashtë Morgut në QSUT, ai pohon se arrestimi i Fadil Hoxhës kishte ndodhur paraditen e djeshme, ndërsa ai ishte lajmëruar nga ora 12:30. Fill pasi kishte marrë njoftimin se 54-vjeçari ishte ndaluar, Veliu kishte shkuar në komisariatin e Divjakës dhe kishte paralajmëruar policinë për gjendjen e dajës së tij. Sakaq, të njëjtin qëndrim akuzues ndaj policisë ndajnë edhe familjarët e tjerë, të cilët kanë kërkuar nga organet hetimore zbardhjen e ngjarjes.

-Kur e morët vesh ngjarjen?
Sapo mora njoftimin që u arrestua, shkova në Policinë e Divjakës. I thashë që mos t’i bëni presion, sepse ai është i sëmurë. Më morën prej krahësh dhe më nxorën jashtë. I thashë që mos i bëni presion. Rreth orës 12:00 kam shkruar në komisariat.

-Kur e morët vesh ngjarjen?
Nuk na pranuan në fillim. I çuam ilaçe në orë 18:30 të pasdites në Komisariatin e Lushnjës, pasi atje e çuan ata të Divjakës.
Ai është keqtrajtuar në polici. Kërkojmë zbardhje nga Ministria e Drejtësisë. Duam të dimë të vërtetën.

-Pse u shoqërua Fadili?
U thashë policisë që pse e morët në polici. Më thanë se ka djegur një pronë. Pastaj na thanë se kishte vjedhur 5 kokrra ullinj.

-A është bërë autopsia?
Na kanë thënë se autopsia do të bëhej dhe ne mendojmë se e kanë bërë tashmë.

Nga Lushnja në QSUT

Fadil Hoxha ka pësuar infarkt në ambientet e paraburgimit dhe është dërguar nga Lushnja në QSUT, ku dhe ka ndërruar jetë. Familjarët, akuzojnë Policinë se u kanë refuzuar të fusnin ilaçet në ambientet e paraburgimit, pasi 54-vjeçari merrte tri herë në ditë për zemrën. Sipas dëshmisë së familjarëve, ndonëse ata i kishin kërkuar punonjësve të policisë që t’i fusnin në ambientet e paraburgimit ilaçet, kjo e fundit sipas tyre kishte refuzuar. Ndërkohë, në çertifikatën e vdekjes në QSUT shkaku i humbjes së jetës thuhet se është i panjohur. I ndjeri u shoqërua në polici për grabitjen e ullinjve.
Familjarët e 54-vjeçarit, që ndërroi jetë në spital, pasi ishte ndaluar nga policia si i akuzuar për vjedhje ullinjsh, deklarojnë se do të bëjnë kallëzim penal ndaj policisë. Ata akuzojnë policinë për sa i ndodhi të afërmit të tyre, i cili sipas tyre, nuk ishte hajdut, por u trajtua si i tillë.