Vdekja e policit, lihet në burg djali i ish-deputetit të PS

Gjykata e Tiranës ka lënë dje në burg 22-vjeçarin Arnold Kola, i cili aksidentoi për vdekje një polic dhe plagosi dy kolegët e këtij të fundit. Togat e zeza pranuan kështu kërkesën e Prokurorisë për masën “arrest me burg” ndaj të riut, i cili gjatë momentit të ngjarjes ishte në gjendje të dehur.
Fill pas dhënies së masës, avokati i Kolës, Marash Ibraj, deklaroi para gazetarëve se klienti i tij kishte shfaqur shenja të mëdha pendese për ngjarjen, pasi gjithçka ishte aksidentale sipas tij. Ai pohoi ndër të tjera se, klienti i tij nuk kundërshtonte vendimin e Gjykatës, ndërsa ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike, ndaj edhe seanca gjyqësore është zhvillur me dyer të mbyllura.
Emri i Arnold Kolës nuk është i panjohur për policinë, pasi ai disa kohë më parë ishte ndaluar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa këtë dënimin e kishte përfunduar tre ditë para aksidentit. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së dielës përballë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku u përfshinë dy automjete dhe një patrullë policie. Si pasojë mbeti i vdekur Ervin Haxhiaj, një prej efektivëve të policisë, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.
Sipas policisë, djali i ish-deputetit socialist Ndue Kola, udhëtonte me automjetin e tij tip Fuoristradë “Lexus” me 150 km/orë dhe në gjendje të dehur, ndërsa furgoni i policisë, me 20 km/orë në anë të rrugës. I riu tentoi të parakalojë furgonin, por për shkak të shpejtësisë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me mjetin e policisë, duke shkaktuar vdekjen e punonjësit të policisë, Ervin Haxhiaj dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, Besmir Voji, dhe Ismail Hoxha.