Vdekja e dyfishtë në maternitet, pranga mjekëve

Policia ka ndaluar mbrëmjen e sotme dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajku, dhe foshnjës që priste të sillte në jetë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, blutë e komisariatit nr.1 ndaluan mjekët Dritan Decka dhe Helidon Klosi, të cilët dyshohet se vonuan shërbimin për 35-vjeçaren.
Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë pasi nga hetimet u konstatua neglizhencë dhe mjekim i pakujdesshëm i gruas shtatzënë.
Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk kanë mundur të përcaktojnë diagnozën që në fillim, madje nuk e kanë kuptuar situatën e 35-vjeçares, duke e orientuar drejt shërbimit të urgjencës për probleme kardiake. Ajo ka qëndruar në maternitet vetëm 45 minuta. Por vetëm pas një konsulte të gjerë ekipi i mjekëve në maternitet ka përcaktuar diagnozën hemorragji masive në pjesën e shpretkës, një patologji e rëndë kjo, sipas tyre, dhe e rrallë ku 75% e rasteve humbin jetën. Mjekët e maternitetit e kanë diagnostikuar me shumë vonesë këtë gjë, pas sorollatjeve të gruas shtatzënë për mbi 5 orë dhe pasi ajo kishte humbur jetën.
Aida Çajka, nga Paskuqani, ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë. Ajo ishte shtatzënë në muajin e nëntë dhe priste të sillte në jetë një vajzë.
Nënë e bijë që ndërruan jetë në spital njëra pas tjetrës e po kështu veç e veç iu është dhënë lamtumira e fundit. Aida Çajku, 31 vjeçe, nëna e Ornelës dhe Flavios humbi jetën së bashku me foshnjën e saj mëngjesin e 16 shtatorit në maternitetin e ri, “Koço Glozhieni”. Familjarë, të afërm dhe bashkëfashtarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit nënës 31-vjeçare dhe foshnjës së saj 9 muajshe. Dhimbja dhe pikëllimi ka përshkuar të gjithë të pranishmit në ceremoninë mortore, por familjarët e kanë përjetuar edhe më rëndë këtë tragjedi. Dhimbja dhe lotët nuk kanë reshtur për dy fëmijët e nënës 31-vjeçare që humbi jetën bashkë me foshnjën e saj në maternitet vetëm pse mjekët nuk i gjenin diagnozën.
Gruaja kishte shkuar mbrëmjen e të premtes rreth orës 21:00 me dhimbje, por sipas familjarëve ajo është sorollatur dhe nuk i është dhënë ndihma nga mjekët. As nëna dhe as foshnja nuk kanë mundur të mbijetojnë. Vajza nga Kukësi, e martuar prej 10 vitesh jetonte me dy fëmijët, ndërkohë që bashkëshorti ishte emigrant në Itali. Njerëzit që e njohën e kanë të vështirë të gjejnë fjalët.
“Njeriu më i dashur me të gjithë, vetëm qeshte, asgjë tjetër. Mezi po prisnim të lindte vajzën, sa herë që e takoja i thosha kur do të lindësh…”, tregon Elona Kuçi, e afërme e së ndjerës. Për të zbardhur vdekjen e Aidës, që u dërgua në tre spitale, nga “Koço Gliozheni” tek “Nënë Tereza”, më pas në Sanatorium për t’u kthyer sërish në maternitet po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “mjekim të pakujdesshëm”.
24 orë pas vdekjes së dyfishtë, të një nëne dhe bebës së saj në maternitetin “Koço Gliozheni”, tre pjesëtarë të stafit mjekësor janë kallëzuar penalisht në Prokurori. Policia e Tiranës, njoftoi se janë ngritur dyshime të arsyeshme, se tre pjesëtarët e maternitetit, Helidon Klosi, Dritan Deçka dhe kirurgia-gjinekologe Nazmie Ceni, kanë konsumuar veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e nënës shtatzënë. Tre të kallëzuarit, dyshohet se nuk kanë kryer detyrën, duke i sjellë vdekjen 35-vjeçares Aida Cajka dhe bebes së saj që kishte në bark. Në materialet e policisë, thuhet se tre mjekët do të hetohen për veprimet e kryera si dhe për mosveprimet gjatë natës mes së enjtes dhe të premtes në Spitalin “Koço Gliozheni”, ku humbi jetën gruaja që priste fëmijën e tretë. Por pavarësisht kallëzimit, ku janë pyetur edhe familjarët e viktimës, burimet nga Prokuroria thonë se do të presin autopsinë e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore për të parë shkakun e vdekjes. Sipas akuzës, nëse raporti i Mjekësisë Ligjore konstaton se nga moskryerja e detyrës së personelit mjekësor, ka gjetur vdekjen 35-vjeçarja, atëherë do të lëshohen edhe urdhër-arrestet përkatëse ndaj personave përgjegjës.