Valixhja 4 milionë euro për plehrat

4 milionë euro ryshfet me valixhe është shkëmbimi mes Ramës dhe grupeve mafioze për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve. Ish kryeministri Berisha solli në vëmendje qëndrimet e Ramës kundër këtij ligji katër vite më parë si dhe ndryshimin e qendrimit të tij si vepër të  mafias. Berisha tha se ryshfeti prej 4 milionë eurosh është vetëm dora e parë që Rama ka marrë në lidhje me këtë aferë. “Për të mos qenë naivë le të shtrojmë pyetjen sot: si ka mundësi që ky njeri, që tre vjet më parë e quante tradhti kombëtare futjen e plehrave, si ka mundësi që ky njeri, që detyroi 50-60 mijë socialistë për të firmosur referendumin për bllokimin e plehrave, si ka mundësi që ky njeri, që tre vjet më parë këtë e quante vepër të mafies i lëpin dhe i kapërdin të gjitha këto, shkelmon mbi të gjitha këto, shkelmon mbi veten e tij? Mundësia është një dhe vetëm një: 4 milionë euro ryshfet me valixhe. Dhe kjo është vetëm dora e parë.  Sot ju dëgjuat këtu ligjëratën më të gjatë të gënjeshtrës në historinë e këtij Parlamenti. Njeriu që u ofron këto kohë shqiptarëve, si dëshmi e degradimit të tij të plotë qeverisës, intelektual dhe moral, njerëzor dhe të gjithanshëm, u ofron drogën, helmin, plehrat dhe prostitucionin. Një njeri që, në një kohë kur shqiptarët përballen me problemet më të rënda të jetesës, të sigurisë, të kafshatës, të punës, alternativë e vetme e tij është droga, prostitucioni, alternativë e vetme e tij është plehu, mashtrimi dhe plehrat.  Një fjalë e urtë popullore thotë “Kur nxjerr gënjeshtra për një gjë, fshiji buzët se ajo gjë të ka ngelur dhe në buzë”. Tani gënjeve dy orë për plehrat mos harro se në plehra përfshihet dhe haleja, ndaj fshiji mirë buzët se i ke plot me to, me këto që u the shqiptarëve. Dhe do të them një gjë: gënjeshtari është gjithmonë i lig, por më i ligu i të gjithë gënjeshtarëve është hipokriti, ai është shkalla supreme, ai varet në çengelin më të epërm të shtyllës së turpit. Edhe ti (Rama) atje e ke vendin, në shtyllën e turpit të kombit.  Berisha tha se çështja e plehrave është një çështje kapitale për shqiptarët, në mënyrë absolute dhe siç citoi ai ka të bëjë, ndofta më shumë se çdo gjë, me sëmundjen, me epidemi, me shëndetin, me jetën e fëmijëve, të moshuarve dhe të qytetarëve në tërësi. “Çfarë ka ndodhur?  Ky zotëri që e konsideronte akt tradhtie kombëtare ligjin, i cili përcaktonte futjen e mbetjeve, plehrave jeshile, ky zotëri sot bëhet avokati më i tmerrshëm i futjes së tyre dhe ndryshon ligjin. Nëse ligji i parë autorizimin e jepte për çdo rast me vendim të Këshillit të Ministrave, tani autorizimin e jep ministri, nga xhepi, natyrisht me telefon nga Kryeministri. Nëse autorizimi jepej për 1 vit, këta e bënë për 2 vjet. Pra, shtroni pyetjen qytetarë: si ka mundësi kjo? Gënjeshtari ka vetëm një aleat, të pafajshëm. Aleati i gënjeshtarit është njeriu naiv” tha Berisha. Ndër të tjera, Berisa u ndal edhe tek mungesa e investimeve në vend prej tre vitesh. “A e dini që para dy-tre netësh një nënë e re desh pësoi fatin e asaj të gjorës në maternitetin tjetër, te Mbretëresha Geraldinë? Pse? Sepse nuk kishte kirurg që ta operonte. Dhe u operua kur i erdhi kirurgu nga QSUT. Kur ka ndodhur që mjeku i maternitetit nuk operonte dot? E shkatërruat sistemin në një mënyrë të paimagjinueshme me korrupsionin që futët.  Ka ardhur koha të bëjmë një ligj. Këtij njeriu (Ramës) t’i kufizojmë kohën, se ky është në gjendje përçartjeje të vazhdueshme. A e dëgjuat në inaugurimin e HEC të Banjës? Ka nga ata që thonë se s’ke ndërtuar një kilometër rrugë në tre vjet tha, dhe numëronte kilometrat e ndërtuara nga Statkraft. O njeri, ti si qeveri s’ke ndërtuar një kilometër rrugë, ndërsa një kompani e vetme ka ndërtuar 97 kilometra rrugë. Kjo duhet të të trishtojë ty, duhet të të bëjë të kapësh kokën me duar se je qeveria më kot në historinë e këtij vendi. Rri i numëron kilometrat një kompanie private, që e ka sjellë Berisha në kohën e vet, po pak rëndësi ka kjo, ajo do të vazhdojë punën.  A e dini ju që investimet tuaja arrijnë në 3.2 miliardë lekë në tre vjet dhe s’ke ndërtuar asnjë kilometër rrugë, një shkollë të re, një spital të ri, një ujësjellës nga e para apo kanalizim? Që të gjitha zyra e rrush e kumbulla. Prandaj del dhe këndon këngën e Statkraftit se ndërtove 97 kilometra rrugë. Pra, ligji për të kufizuar kohën këtij njeriu, i cili përhap nga mëngjesi deri në darkë vetëm gënjeshtra. Ju them me sinqeritet që daja i tij, Koleka, pavarësisht se ishte i rrjedhur, por mufka të tilla nuk këpuste, se kishte frikë diktatorin, kurse ky del këtu dhe gënjen gjysmë ore rresht, në fund këput dhe fyerje të denja vetëm për të.  Ky njeri është bërë një megagjenerator gënjeshtrash i pashembullt” u shpreh Berisha ndër të tjera gjatë fjalës së tij.

Arben Shahini