U nis për të blerë librat e fëmijëve, vdes në aksident

Një person ndërroi jetë dhe katër të tjerë u plagosën rëndë në një aksident që ndodhi dje në rrugën Librazhd-Prrenjas. Një prej mjeteve drejtohej nga një 32-vjeçare Bardha Bogdani, banore e fshatit Rrajcë, ndërsa makina tjetër nga një 37-vjeçar nga Korça. Si pasojë e përplasjes, ka gjetur vdekjen pasagjeri 39-vjeçar Astrit Bogdani, bashkëshorti i drejtueses Bardha Bogdani, banor i Rrajcës. Policia bëri të ditur se, shkak i aksidentit mendohet të jetë humbja e kontrollit të njërit prej mjeteve prej lagështirës në rrugë.
Pak pas aksidentit fatal që i mori jetën një 39-vjeçari nga Rrajca, në aksin Prrenjas-Librazhd, ku dy mjete u përplasën, të tjera detaje dalin në dritë. Mësohet se burrë e grua ishin nisur nga Rrajca në Prrenjas për të blerë librat e fëmijëve, por përplasja kokë më kokë me një mjet tjetër me targa të Korçës, ka qenë fatale për 39-vjeçarin Astrit Bogdani, i cili rezulton të jetë edhe vëllai i kryetarit të Njësisë Administrative Rrajcë.
Sipas policisë shkak për aksidentin është bërë shpejtësia me të cilën lëviznin dy mjetet. “Përplasja e dy automjeteve pasditen e kësaj të hëne në aksin Qafë Thanë-Librazhd ka qenë fatale për një 39-vjeçar. Policia bën me dije se, nga përplasja e dy mjeteve, kokë më kokë, njëri me targa të Tiranës TR 1237 P dhe tjetri me targa të Korçës KO 4272 B, ka humbur jetën shtetasi me iniciale A.B 39 vjeç dhe janë plagosur 3 persona të tjerë. Mësohet se viktima ishte pasagjer në mjetin me targa të Tiranës, që drejtohej nga një femër”, thuhet në njoftimin e policisë.