Trafiku i drogës, BE vendos nën survejim Shqipërinë

“Bashkimi Europian ka vënë në survejim Shqipërinë përsa i përket situatës së kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”
Shqipëria është nën mbikëqyrje nga Bashkimi Europian, përsa i përket shqetësimit për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ambasadori austriak, Johann Sattler, ka theksuar se ky fenomen është i shtrirë në shumë rajone të Shqipërisë, ndërsa ai ka deklaruar se misioni i Bashkimit Europian në vendin tonë po mbikëqyr këtë çështje. Komentet diplomati i bëri nga Kukësi i pyetur në lidhje me rrëzimin e avionit në Ishëm. “Bashkimi Europian ka vënë në survejim Shqipërinë përsa i përket situatës së kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”.
Kjo është bërë e ditur nga Ambasadori i Austrisë, Johann Sattler, nga qyteti i Kukësit ku u pyet në lidhje me avionin e rrëzuar të enjten në Ishëm. Diplomati tha se misioni i Bashkimit Europian në vendin tonë po bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme dhe po mbikëqyr këtë situatë shqetësuese.
“Nuk është problem për rajonin e Kukësit. Është problem për disa vende të Shqipërisë. BE po e ndjek nga afër këtë fenomen në mënyrë intensive. Ne sëbashku me misionin e BE-së në Shqipëri po bashkëpunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme e sidomos me misionin italian që po mbikëqyr këtë çështje”, u shpreh Sattler.
Ambasadori komentet mbi çështjen e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike i bëri pas takimeve me kryetarin e Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu dhe kreun e Këshillit të Qarkut, Abedin Oruçi.